TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Mars 2024, 10:54

Pse rusët janë një komb i prirë për të qenë agresiv ndaj të tjerëve

Shkruar nga Yuri Fedorov
Pse rusët janë një komb i prirë për të qenë
Rusia /

 “Diktojnë ashpër dhe rreptë politikën e dhunës si një mami e historisë”

Shpeshherë kërcënimi që vjen nga Rusia reduktohet vetëm tek Vladimir Putini. Sigurisht, nuk mund të mohohet që ai dhe rrethi i tij i brendshëm, luajnë një rol vendimtar në nxitjen e agresionit rus kundër Ukrainës por edhe më gjerë.

Por fuqia e qëndrueshme e presidentit rus, e forcuar nga presidencialet e fundit, ku nuk pati asnjë kundërshtar serioz, buron nga afërsia midis ambicieve të tij strategjike, instinkteve të klasës sunduese ruse dhe ndërgjegjes kolektive të rusëve si popull.

Politikat e Putinit, përmbushin në fakt dëshirat që ka elita ruse por edhe shoqëria në tërësi për hakmarrje historike si dhe për ringjalljen e një perandorie dominuese euro-aziatike. Në 2-3 vitet e para pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, u supozua se Rusia do të bëhej një aleate e Perëndimit.

Se ajo do të dobësonte rolin e ushtrisë në jetën e kombit, dhe do të formonte një “brez stabiliteti dhe të fqinjësisë së mirë” përgjatë kufijve të saj. Me fjalë të tjera, do të respektonte pavarësinë dhe integritetin territorial të shteteve të pavarura që dolën nga rrënojat e BRSS.

Por kjo deklaratë e bërë nga Ministri i parë i Jashtëm i Rusisë federale, Andrei Kozyrev, u përball me rezistencën e gjeneralëve të ushtrisë, kompleksit ushtarako-industrial, si dhe të krerëve të organeve të sigurisë dhe të shumicës së elitave rajonale dhe qarqeve akademike. Dhe u rrëzua përfundimisht si qasje në vitin 1996, kur Yevgeny Primakov, drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, u emërua shefi i diplomacisë ruse. “Ne drejtuesit e organeve të sigurisë, e dinim shumë mirë se me përfundimin e Luftës së Ftohtë, nuk do të zhdukej koncepti i “armikut”- theksoi Primakov.

Sipas tij, udhëheqësit e një numri vendesh perëndimore po vepronin për të penguar Rusinë që të luante një rol vendimtar në stabilizimin e ish-republikave të BRSS dhe për të shmangur afrimin me Federatën Ruse. Ai theksoi se objektivat më të rëndësishme të politikës së jashtme ishin kundërshtimi i zgjerimit të NATO-s, ruajtja e regjimit të Slobodan Milosevic në ish-Jugosllavi dhe transformimi i ish-shteteve sovjetike në një ‘oborr strategjik’ ku trupat ruse do të vendoseshin për operacione “në kufijtë e largët”.

Asnjë nga këto synime nuk u arrit. Por Primakov arrit të transformonte në koncepte strategjike fobitë, ambiciet dhe pritshmëritë e elitës ruse. Rreziku dhe kërcënimi kryesor për sigurinë e Rusisë, ishte krijimi i një “bote unipolare”. Uashingtoni u akuzua për dobësimin e ndikimit ndërkombëtar të Rusisë, dhe për ta dëbuar nga zonat e saj tradicionale të ndikimit dhe nga sferat e interesit.

Rusia, vuri në dukje dikur Henry Kissinger, ka qenë në të njëjtën kohë gjithnjë në kërkim të zgjerimit dhe duke u ndjerë gjithmonë e kërcënuar. Në vitet 1990, NATO mbijetoi dhe u zgjerua. Dhe pas vitit 2014, e veçanërisht pas vitit 2022, Aleanca e Atlantikut të Veriut u bë fokusi i fuqisë ushtarako-politike të Perëndimit, duke e kundërshtuar zgjerimin rus.

Në Rusi pretendohet shpesh se pasi erdhi në pushtet, Putin donte sinqerisht të ishte mik me Perëndimin dhe të bashkohej me NATO-n. Dhe se ai mbështeti vendosjen e bazave amerikane në Azinë Qendrore, të nevojshme për operacionet në Afganistan.

Por në kundërshtim me kërkesat e Moskës, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Traktati ABM (Raketat Anti-Balistike) dhe shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore u pranuan në NATO, duke përfshirë edhe vendet baltike. Në këtë kontekst, ai nuk mund të mos reagonte ndaj sjelljes armiqësore të Perëndimit.

Ky version përsëritet ndonjëherë edhe në Perëndim:nëse shtetet baltike nuk do të ishin pranuar në NATO, atëherë sot Rusia do të ishte aleate e Aleancës së Atlantikut të Veriut, dhe politika botërore do të zhvillohej përgjatë një trajektoreje krejtësisht të ndryshme.

Megjithatë realiteti është shumë ndryshe. Në fakt sapo hyri në Kremlin, Putin u përpoq të ulte tensionet me Perëndimin, sepse në atë kohë Rusia nuk kishte burimet për një konfrontim të ri me të. Lufta në Çeçeni i konsumoi pothuajse të gjitha njësitë e gatshme luftarake të ushtrisë ruse.

Çmimet botërore të naftës dhe gazit në vitet 2000-2002, ishin vetëm pak më të larta se sa në vitet 1990. Pa reduktimin e përplasjeve me Perëndimin, presidenca e Putinit do të kishte hyrë në histori si katastrofike. Por në vitin 2003, çmimet e naftës u rritën dhe një fushatë e ashpër anti-amerikane u shpalos në Rusi pas pushtimit të Irakut nga SHBA.

Dhe në fillim të vitit 2007, Putin deklaroi në Konferencën e Sigurisë në Mynih se fuqia ekonomike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara, nuk përputhej me pretendimet e saj për “udhëheqje globale”, se Rusia kishte “gëzuar gjithmonë privilegjin për të ndjekur një politikë të jashtme të pavarur, dhe se nuk do ta “ndryshonte këtë traditë”.

Shumë shpejt u bë e qartë se me termin “politikë e pavarur” nënkuptohej  një politikë të pavarur nga shteti i së drejtës. Fjalimi i Mynihut, pasqyroi idetë që ishin rrënjosur në establishmentin rus për forcimin e Rusisë dhe thellimin e krizës së Perëndimit.

Moska besonte se ishte krijuar mundësia e “hakmarrjes historike”:vendosja e kontrollit ushtarako-politik mbi territorin e ish-BRSS dhe Evropës Lindore-Qendrore, si dhe shkatërrimi i NATO-s, që do të ndodhej përpara një dileme:dorëzim apo luftë bërthamore .

Sipas logjikës së Kremlinit, qytetërimi euroatlantik ka hyrë në një periudhë rënieje, i paaftë për të përballuar krizën në rritje, dhe i paaftë për t’i rezistuar me forcë ndikimit të rilindur të Rusisë. Dhe edhe nëse elitat perëndimore janë në gjendje të stabilizojnë situatën në të ardhmen, Kremlini beson se është e nevojshme të përfitojë nga dobësia e tyre aktuale dhe të sigurojë një pozicion më të favorshëm për përplasjen e ardhshme.

Përgjigja ndaj pushtimit rus të Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe aneksimit të Krimesë në vitin 2014, e përforcoi besimin e Moskës në dobësimin e Perëndimit. Në të dyja rastet, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa u përballën me një zgjedhje:ose një Luftë e re e Ftohtë ose mos-rezistencë ndaj veprimeve agresive të Kremlinit.

Reagimi i Perëndimit ishte i paqartë. Pas aneksimit të Krimesë, shtetet perëndimore vendosën sanksione ekonomike kundër Rusisë, por synuan ta zgjidhnin konfliktin ruso-ukrainas në bazë të Marrëveshjeve të Minskut. Kjo qasje, legjitimoi de fakto pushtimin rus të Krimesë dhe i ktheu të ashtuquajturat republika popullore të Luhansk dhe Donetsk në një instrument të fuqishëm të ndikimit rus në Ukrainë.

Por natyra revanshiste dhe militariste e të menduarit strategjik të establishmentit rus, dhe agresiviteti i politikës së saj të jashtme, vijnë edhe për shkak të veçorive të psikikës ruse. Sipas Qendrës Levada, që publikon të dhëna të besueshme për qëndrimin e popullsisë ruse ndaj luftës në Ukrainë, rreth 70 për qind e të anketuarve e miratojnë vazhdimisht atë, 20 për qind e kundërshtojnë dhe pjesa tjetër janë indiferentë.

Protestat kundër luftës në fillim të saj ishin të dobëta. Edhe vdekja e Alexei Navalny, u shoqërua me një sfidë relativisht modeste nga opinioni publik. Sociologët dhe psikologët e kanë ende të vështirë ta shpjegojnë këtë veçori të shoqërisë ruse. Ekspertët thonë se politika agresive e Moskës, përputhet plotësisht jo vetëm me vetëdijen, por edhe me qëndrimet dhe pritshmëritë e pavetëdijshme të të paktën treçerekut të popullsisë ruse.

Analisti kryesor i Qendrës Levada, Boris Dubin, shkroi:“Kjo sjellje nuk ka të bëjë aspak me “imponimin” e masave apo “manipulimin” e ndërgjegjes masive, por me një përforcim shtesë të një fryme që ekzistonte tashmë midis masave, por në një formë të paqartë dhe të pa- artikuluar”.

Pra propaganda e ligjëruar i dha një formë verbale pak a shumë të qëndrueshme mentalitetit agresiv, militarist e revanshist dhe gjendjes emocionale të ndërgjegjes së masës dhe konsolidoi stereotipet politike që ekzistonin. Shumë studiues janë përpjekur të kuptojnë shkaqet dhe origjinën e militarizimit të vetëdijes masive, përhapjen e madhe të ksenofobisë dhe urrejtjes etnike, konceptet e mitologjizuara që justifikojnë dhe lavdërojnë luftën dhe kërkimin e një armiku të jashtëm.

Ka shumë teori që e përshkruajnë dhe shpjegojnë këto dukuri. Ato nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, dhe formojnë së bashku një pamje të plotë. Shumica përqendrohet në mentalitetin e një “qytetari të bindur” që është formuar në Rusi, i mësuar të nënshtrohet, duke zbatuar pa asnjë diskutim jo vetëm urdhrat dhe udhëzimet e eprorëve, por edhe duke asimiluar lehtësisht doktrinat dhe pikëpamjet ideologjike dhe politike të imponuara nga lart.

Sipas një koncepti tjetër, militarizimi i vetëdijes masive ruse ishte pasojë e “përzgjedhjes negative”. Ndryshimet e përjetuara nga popullsia e Rusisë, shkroi sociologu rus Pitirim Sorokin, “janë tipike për të gjitha luftërat dhe revolucionet e mëdha, dhe këto të fundit kanë qenë gjithmonë një mjet përzgjedhjeje negative”.

“Më të fortët, të talentuarit, me të zhvilluarit moralisht dhe mendërisht vdiqën në një numër të madh gjatë luftërave. Personat me defekte morale vuajtën më pak. Gjatë revolucionit, kushtet ishin thjesht të favorshme për mbijetesën e tyre. Në kushtet e luftës brutale, gënjeshtrës, mashtrimit, mungesës së parimeve dhe cinizmit moral, ata ndjeheshin shumë mirë dhe zunë pozita fitimprurëse, kryen mizori, mashtruan, ndryshuan pozicionet e tyre sipas nevojës dhe patën një jetë të kënaqshme dhe të gëzuar”- thekson ai.

Lufta e Dytë Botërore i dha një goditje të tmerrshme moralit publik në ish -BRSS. Që të mbijetonin, ata e detyruan veten me ose pa vetëdije të besojnë në propagandën bolshevike për të shmangur mendimin e pavarur. Si rezultat, një numër i madh njerëzish u mësuan me dogmat komuniste, disa besuan thellë tek ato.

Dhe këto dogma, siç shkroi një nga ekspertët më të njohur të bolshevizmit sovjetik, Aleksandër Jakovlev “diktojnë ashpër dhe rreptësisht politikën e dhunës si një mami e historisë”. Komunizmi në Rusi vdiq që para rënies së BRSS, por logjika e tij e natyrshme e të menduarit, idetë për dhunën si instrumenti kryesor politik mbetën, dhe kryesisht falë propagandës së Kremlinit, u transferuan në sferën e politikës së jashtme.

Politika e jashtme agresive e Rusisë së Putinit, mori formën e saj përfundimtare duke filluar nga viti 2014 dhe u zgjerua në vitin 2022, e krijuar jo vetëm nga pikëpamjet dhe idetë gjeopolitike të vetë presidentit, por nga qarqet më të larta të burokracisë, kupolës drejtuese së ushtrisë, pronarëve të kompleksit ushtarako-industrial dhe krerëve të shërbimeve të sigurisë./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”

rusët një komb i prirë për të qenë agresiv

Lini një Përgjigje