
Pra si do të ligjërohet ndalimi i emigrantëve në këto qendra nga ana e gjyqtarëve, gjë që duhet të ndodhë brenda 48 orëve. Dhe parashikohet që në ditët në vijim të vijnë edhe ankesat e para në rrugë ligjore.
Qendrat po përgatiten të presin emigrantët e parë. Në Gjadër dhe Shëngjin, janë tashmë gati strukturat për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Pra po nis të testohet plani për t’i dërguar azilkërkuesit jashtë territorit italian, dhe për të vlerësuar nga atje nëse ata përmbushin apo jo kriteret për të ndërtuar një të ardhme në Evropë.
Kjo nismë është përballur me shumë kritika, është mirëpritur gjithsesi nga nivelet e larta drejtuese të BE-së. Ndërsa tani do të mund të verifikohet konkretisht nëse është një model që funksionon apo jo. Por Alessia Di Pascale, profesoreshë e së drejtës së Bashkimit Evropian në Universitetin e Milanos, dhe eksperte mbi problemet e migracionit, ka shumë pikëpyetje në lidhje me këtë çështje.
Njëra prej tyre u ngrit së fundmi edhe nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila gjatë një vendimi mbi një padi ndaj Republikës Çeke, ka dhënë edhe përkufizimin se çfarë është
një vend i sigurt. Ky vendim mund të vërë jo pak në vështirësi projektin italo-shqiptar.
Le ta nisim me ligjin italian. Ç’thotë ai për përdorimin e qendrave të reja në Shqipëri?
Ligji i ri që shoqëron marrëveshjen Itali-Shqipëri, nuk specifikon se si bëhet përzgjedhja e personave që zbulohen duke udhëtuar në det drejt vendit tonë. Në media thuhet se ata duhet të jenë vetëm meshkuj mbi 18-vjeç. Por kjo kategori personash nuk është e përcaktuar në ligj.
Atëherë, çfarë thonë në mënyrë specifike rregullat e reja?
Ligji i datës 21 shkurt, i referohet nenit 1 të marrëveshjes, i cili përcakton dërgimin në Shqipëri “të shtetasve të vendeve të treta dhe personave pa shtetësi, për të cilët duhet konstatuar ekzistenca apo ‘mungesa e kritereve’ për hyrje apo qëndrim në territorin e Italisë”.
Nuk ka asnjë tregues specifik se si do të bëhet vlerësimi për transferimin e emigrantëve të gjetur në det drejt Shqipërisë apo Italisë. Por filtri mund të bazohet tek rregullat që përcaktojnë se cilët janë personat që i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara.
Ato do të zbatohen në Shqipëri dhe kërkojnë të merret parasysh situata specifike e rasteve më në nevojë, koncept që përfshin ndër të tjera, të moshuarit, të miturit, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e trafikut, dhunës apo torturave, personat e prekur nga sëmundje të rënda apo çrregullime mendore.
Çfarë problemesh mund të shkaktojë krijimi i këtij filtri, kur vendoset se cilët emigrantë do të dërgohen në qendrat e ngritura në Shqipëri?
Identifikimi i të miturve, kur ata janë 16-17 vjeç, përfshin një procedurë shumë komplekse. Si do të realizohet ai? Në rastet të dyshimta do të dërgohen në Itali apo Shqipëri, dhe a do të kryhen vlerësimet atje? I njëjti problem vlen edhe për kategoritë më vulnerabël, si viktimat e torturës, dhunës apo trafikimit, apo personave që kanë probleme të fshehura të shëndetit fizik dhe mendor. Elementi i parë i rëndësishëm, është mënyra se si do të krijohet ky filtër. Në teori, përzgjedhja duhet të ndodhë që në anije.
Pra për adoleshentët është e vështirë të përcaktohet nëse një person është i mitur apo jo?
Po. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për situata të tjera që kërkojnë një vlerësim më të detajuar. Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë në praktikë. Edhe nëse në Shqipëri do të dërgohen vetëm meshkujt nga vende të sigurta, duhet të kuptohet se si do të konstatohet origjina e tyre që në anije. Mendoj se gati të gjithë meshkujt e rritur që nuk paraqesin ndonjë problem kritik të dukshëm, do të dërgohen në Shqipëri dhe shqyrtimi do të bëhet atje.
Duke supozuar se filtri funksionon, dhe se në Shqipëri mbërrijnë vetëm meshkuj të rritur nga vende të sigurta, çfarë tjetër mund të vihet në dyshim?
Më 4 tetor, Gjykata e Drejtësisë interpretoi një rregullore, e cila ishte pjesë e një direktivë të vitit 2013. Ajo i lejon vendet anëtare të identifikojnë shtetet e sigurta të origjinës. Mbi këtë bazë, Italia miraton dekretet që identifikojnë vendet e treta të sigurta. Gjykata sqaroi se një vend që nuk është plotësisht i sigurt, nuk mund të konsiderohet i sigurt.
Kushti i pasigurisë, edhe nëse i referohet vetëm një pjese të vendit, pra një rajoni, mund të nënkuptojë se ai vend nuk mund të klasifikohet si i sigurt. Koncepti bazohet në kritere që përfshijnë respektimin e të drejtave, shmangien e torturës apo formave të tjera të ndëshkimit apo trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues, respektimin e parimit të moskthimit etj.
A përcakton Italia se cilat vende janë të sigurta, edhe nëse kjo mund të kundërshtohet më pas në gjykatë?
Gjykata thotë se gjyqtari duhet të ketë parasysh situatën e përgjithshme të vendit në fjalë. Rasti konkret ka të bëjë me një shtetas moldav. Çekia i kishte refuzuar azilin, duke e identifikuar Moldavinë si një vend të tretë të sigurt. Në fakt ky shtet nuk është plotësisht i sigurt, pasi një rajon i tij, Transnistria, nuk konsiderohet i tillë.
Në Shqipëri duhet të mbërrijnë vetëm burrat që vijnë nga vende të sigurta. Po të tjerët që vijnë nga vende të pasigurta?
Të tjerët pas një procedure të plotë do vijnë këtu në Itali. Protokolli ka shumë probleme në lidhje me filtrin:nëse merr në pyete një person se nga vjen në kohën kur është ende në anije, nuk është e garantuar se ai do të përgjigjet saktë. Pra duhet të shohim se si do të bëhet përzgjedhja e azilkërkuesve. Por edhe nëse kjo do të zbatohet me shpejtësi, vendimi i Gjykatës së Drejtësisë rrezikon që të ketë një ndikim të madh.
Në ç’mënyrë?
Në dekretin italian të këtij viti, përmenden 22 vende të sigurta:Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnje-Hercegovina, Kameruni, Kabo Verde, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka dhe Tunizia. Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë vë në dyshim edhe këto 22 vende. Ato mund të mos konsiderohen të sigurta.
Në rast se emigrantët vijnë nga vende të sigurta, a do të thotë kjo se s’kanë të drejtë të aplikojnë për azil?
Rrethanat kur një person vjen nga një vend i sigurt, paraqet në pari një garanci sigurie në lidhje me atë vend, që megjithatë është i pakapërcyeshëm. Ndaj për të fituar mbrojtjen e një shteti, duhen paraqitur arsye individuale serioze.
Modeli i marrëveshjes Itali-Shqipëri vlerësohet në Bruksel. A mund të jetë ai një pikë referimi?
Ky model ka ngjallur vërtet interes në nivel evropian. Në një letër drejtuar krerëve të shteteve para rikonfirmimit të saj në detyrë, presidentja e KE Ursula von der Leyen nënvizoi rëndësinë e Paktit të BE-së për Migracionin dhe Azilin. Ajo theksoi se ai nuk përjashton reflektimin mbi strategjitë e tjera për të parandaluar migrimin e parregullt, pa e përmendur hapur rastin italian.
Pra do pritet të shihet si do të zbatohet plani italian?
Përtej efektivitetit të tij, i cili mbetet të verifikohet, modeli ka të ngjarë të ndikojë tek politikat evropiane. Shumë vende anëtare janë të interesuara, dhe presidentja e Komisionit Evropian e ka përmendur atë. Ndaj mund të shndërrohet në një model referimi.
A mund të ketë shumë ankesa në lidhje me këtë marrëveshje?
Unë mendoj se po. Sepse janë shumë aspekte që duhen sqaruar. Teksti i zbardhur i marrëveshjes ka ende të papërcaktuara shumë aspekte të këtij operacioni. Zbatimi i tij praktik nuk është përcaktuar në detaje. Ndaj mbetet të presim dhe shohim se çfarë do të ndodhë në javët dhe muajt në vijim. Pra si do të ligjërohet ndalimi i emigrantëve në këto qendra nga ana e gjyqtarëve, gjë që duhet të ndodhë brenda 48 orëve. Dhe parashikohet që në ditët në vijim të vijnë edhe ankesat e para në rrugë ligjore./ Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje