
Irani ka reaguar ashpër ndaj presidentit francez Emmanuel Macron dhe e ka akuzuar për “hipokrizi të jashtëzakonshme” lidhur me komentet e tij mbi programin bërthamor iranian. Ndërkohë, përplasjet ushtarake me Izraelin vazhdojnë të përshkallëzohen.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei tha se është “e turpshme” që Macron po e paraqet programin bërthamor iranian si kërcënim, ndërkohë që Izraeli po kryen sulme të drejtpërdrejta ndaj objektivave civile dhe shkencëtarëve iranianë.
"E turpshme! Izraeli sulmon objekte bërthamore paqësore, bombardon shtëpi dhe vret iranianë në mënyrë të ftohtë, në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar. Por Macron zgjodhi pikërisht këtë moment për të manipuluar çështjen bërthamore të Iranit. Hipokrizia është e pabesueshme", shkroi Baqaei në platformën “X”.
Komentet e Macron vijnë pasi ai njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë me presidentin e ri iranian, Masoud Pezeshkian. Në një postim në rrjetin social “X”, ai theksoi se çështja bërthamore iraniane “është serioze” dhe kërkoi rikthimin e Iranit në tryezën e bisedimeve.
“Çështja bërthamore e Iranit është e rëndësishme dhe duhet zgjidhur përmes negociatave. I bëra thirrje Presidentit Pezeshkian të rikthehet sa më shpejt në tryezën e bisedimeve për të arritur një marrëveshje, si e vetmja mënyrë për të shmangur përshkallëzimin. Ndërkohë, bisedimet indirekte bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit, të planifikuara për të dielën në Muskat të Omanit, janë anuluar. Situata në rajon është tensionuar ndjeshëm pas sulmeve ajrore të Izraelit ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake iraniane, ku u raportua për vrasjen e disa komandantëve dhe shkencëtarëve të lartë iranianë, ndërsa Irani ka reaguar me kundërsulme", shkroi Macron.
Lini një Përgjigje