Administrata Trump ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për kontrabandë droge dhe tha se ushtria amerikane ka goditur dhjetëra objektiva detare të dyshuara muajt e fundit.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka urdhëruar një “bllokadë totale dhe të plotë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara, që hyjnë dhe dalin nga Venezuela, raporton The Guardian.
Në një postim në Truth Social, ai tha se qeveria e Nicolás Maduros është shpallur organizatë e huaj terroriste dhe e akuzon për vjedhje të aseteve amerikane. Trump e akuzoi gjithashtu Karakasin për terrorizëm, trafik droge dhe trafik njerëzor.
Sipas tij, prania ushtarake amerikane do të zgjerohet edhe më tej dhe do të jetë “e pranishme si kurrë më parë në histori”.
Deklaratat vijnë një javë pasi SHBA-të sekuestruan një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës.
Shtëpia e Bardhë tha se anija, e quajtur Skipper, ishte e përfshirë në transport të paligjshëm nafte dhe do të dërgohej në një port amerikan.
Qeveria venezueliane e hodhi poshtë veprimin, duke e cilësuar kërcënimin e Trump si “grotesk”.
Presidenti Maduro akuzoi Washingtonin se ka rrëmbyer ekuipazhin dhe ka vjedhur anijen. Administrata Trump ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për kontrabandë droge dhe tha se ushtria amerikane ka goditur dhjetëra objektiva detare të dyshuara muajt e fundit.
Paralelisht, SHBA-të kanë vendosur anije luftarake në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Gerald Ford në Detin e Karaibeve. Kongresmeni demokrat Joaquin Castro e quajti bllokadën detare një akt lufte dhe paralajmëroi reagim në Kongres.
Ai tha se ligjvënësit amerikanë do të votojnë një rezolutë, që i kërkon presidentit t’i japë fund armiqësive me Venezuelën.
Administrata Trump e ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për kontrabandë droge dhe që nga shtatori ushtria amerikane ka vrarë të paktën 90 persona në sulme ndaj anijeve që pretendohet se transportonin fentanil dhe droga të tjera të paligjshme në SHBA.
SHBA-ja, nën presidencën e Trump dhe ish-Presidentit Joe Biden, e ka kundërshtuar qeverinë e Maduros për vite me radhë dhe kanë bërë presion që ai të largohet duke vendosur sanksione të rrepta.
50 milionë dollarë për ‘kokën’ e Maduros
Në një njoftim të paprecedentë, autoritetet amerikane kanë shpallur një shpërblim rekord prej 50 milionë dollarësh për informacione që çojnë në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, të akuzuar për udhëheqjen e një rrjeti të gjerë trafiku ndërkombëtar droge.
Sipas Departamentit të Drejtësisë dhe atij të Shtetit, Maduro ka bashkëpunuar me organizata të njohura kriminale dhe terroriste për të futur në SHBA sasi të mëdha kokaine, shpesh të përzier me fentanil, duke shkaktuar humbje të mëdha njerëzore.
Ky veprim shënon përshkallëzimin më të fundit në përpjekjet e Washingtonit për ta sjellë Maduron para drejtësisë dhe për t’i dhënë fund, siç e cilësojnë ata, “sundimit të tij të terrorit”.
"Sot, Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit po shpall një shpërblim historik prej 50 milionë dollarësh për informacione që çojnë në arrestimin e Nicolás Maduro-s. Maduro përdor organizata të huaja terroriste si TDA, Sinaloa dhe Kartelin e Bijve për të sjellë droga vdekjeprurëse dhe dhunë në vendin tonë.
Deri më sot, DEA ka sekuestruar 30 tonë kokainë të lidhur me Maduron dhe bashkëpunëtorët e tij, me gati shtatë tonë të lidhura drejtpërdrejt me Maduron, që përbëjnë një burim kryesor të të ardhurave për kartelet vdekjeprurës me bazë në Venezuelë dhe Meksikë.
Kokaina shpesh përzihet me fentanil, duke shkaktuar humbjen dhe shkatërrimin e jetëve të panumërta amerikane. Departamenti i Drejtësisë ka sekuestruar mbi 700 milionë dollarë pasuri të lidhura me Maduron, përfshirë dy avionë privatë, nëntë automjete dhe më shumë. Megjithatë, sundimi i tij i terrorit vazhdon.
Ai është një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë dhe një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Prandaj, ne e kemi dyfishuar shpërblimin e tij në 50 milionë dollarë. Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Maduro nuk do t’i shpëtojë drejtësisë dhe do të mbahet përgjegjës për krimet e tij të neveritshme.
Nëse keni ndonjë informacion që mund të ndihmojë në vënien e këtij krimineli para drejtësisë, telefononi në 1-202-307-4228 ose vizitoni faqen online.", njoftoi Departamenti i Drejtësisë Amerikane.
Lini një Përgjigje