
"E vetmja zgjidhje e qëndrueshme është një konferencë ndërkombëtare paqeje për të vendosur territoret që Moska mund të mbajë. Çdo gjë midis asaj vije dhe vendeve të NATO-s do të përbëjë shtetin ukrainas". Kështu u shpreh Kryeministri hungarez, Viktor Orban, në një intervistë për Welt am Sonntag.
Z. Orban , a nuk mendoni se plani i paqes me 28 pika i propozuar nga Shtetet e Bashkuara mund të krijojë vetëm një pauzë, në vend të një zgjidhjeje, në konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë?
Qëndrimi hungarez është ky: në vitin 1999, NATO u zgjerua duke përfshirë Poloninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë, dhe më vonë shtetet baltike, si dhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë. Kjo formoi kufirin lindor të Aleancës. Si pasojë, Ukraina u bë një shtet tampon midis NATO-s dhe Rusisë . Kjo garantoi sigurinë ushtarake të Evropës dhe ekuilibrin ushtarak që formonte bazën e paqes. Sot, Rusia dhe NATO akuzojnë njëra-tjetrën për shkatërrimin e kësaj strukture. Rusët pretendojnë se ne perëndimorët e armatosëm Ukrainën, e integruam atë në mënyrë efektive në strukturat e NATO-s dhe madje kishim ndërmend ta përfshinim zyrtarisht. Kjo, sipas tyre, kompromentoi ekuilibrin e fuqisë. Megjithatë, qëndrimi perëndimor është se Rusia nuk e ka pranuar ekuilibrin e krijuar pas vitit 1999; ajo dëshiron të pushtojë Ukrainën, të eliminojë statusin e saj si një zonë tampon dhe prej andej të përgatisë një sulm ndaj vendeve të NATO-s.
Si mund të pajtohen pozicione kaq të largëta?
E vetmja zgjidhje e qëndrueshme është të sigurohet që rendi i pasluftës të bazohet në parimin themelor se Ukraina do të kthehet në shtetin tampon që ishte dikur. Rusia do të mbajë territorin që do të përcaktohet në një konferencë ndërkombëtare paqeje, dhe çdo gjë në perëndim të asaj vije, deri në kufirin lindor të NATO-s, do të përbëjë shtetin ukrainas.
Nëse plani i paqes do të përfshinte lëshime territoriale ose sovranitet të kufizuar për Ukrainën, si duhet të reagonte BE-ja? A do ta mbështeste Hungaria një marrëveshje të tillë?
Është koha të braktisim iluzionet dhe të përballemi me realitetin, i cili, sado i ashpër që të jetë, ilustrohet në planin amerikan të paqes. Së pari, faktori kohë favorizon Rusinë, jo Ukrainën, dhe kjo do të thotë se sa më shumë të vonohet paqja, aq më shumë njerëz dhe territor do të humbasë Ukraina. E vetmja mënyrë për ta shmangur këtë do të ishte që NATO të dërgonte trupa tokësore në front, gjë që do të çonte drejtpërdrejt në luftën e ardhshme të madhe evropiane.
Së dyti, sipas indikacioneve amerikane, Rusia do të riintegrohet në ekonominë globale, sanksionet do të hiqen gradualisht, asetet e ngrira do të përdoren për të krijuar fonde investimi ruso-amerikane dhe biznesi do të rifillojë.
Së treti, përralla se evropianët po e financojnë luftën me paratë ruse ka mbaruar. Duhet t'u pranojmë qytetarëve tanë se çdo euro që kemi shpenzuar deri më tani, dhe do të shpenzojmë në të ardhmen, për të mbështetur Ukrainën do të paguhet 100% nga popullsia evropiane. Nga e gjithë kjo, rrjedh se, në afat të shkurtër, negociatat e nivelit të lartë evropiano-rus duhet të fillojnë menjëherë. Në afat të mesëm, burimet ruse duhet të riintegrohen në ekonominë evropiane.
Dhe në planin afatgjatë, aftësitë ushtarake të Evropës duhet të forcohen për ta bërë të mundur që ajo të mbrohet nga çdo kundërshtar. Por, për ta mbajtur riarmatim brenda kufijve të arsyeshëm, duhet të arrijmë një marrëveshje për kontrollin e armëve me rusët. /Përshtati Pamfleti/
Qëndrimi i Orban bazohet në realpolitikë. Marrëveshja e paqes Rusi-Ukrahinë do finalizohet shumë shpejt. Me këtë rastë, Rusia do pranoi që kufijtë e saj me gjithë kufitarët është 'KY.Garantët e sovranitetit të çdo shteti kufitar me Rusinë do jetë NATO. Nëse shkelet sovraniteti i çdo shteti kufitar me Rusinë, qoftë ky antar i NATO-s apo jo ,NATO ka legjimitet të ndërhyi.