
Kur liderët përballen me sfida të mëdha ndërkombëtare, historia nuk i mat me slogane, por me pasoja...
Premtimi i Donald Trump për të ndalur luftën në Ukrainë “brenda 24 orësh” u duk që në fillim si një deklaratë e formatuar për t'u duartrokitur në auditorë propagandistikë, por që realiteti brutal i gjeopolitikës së luftës e shkatërroi pa mëshirë. Jo vetëm që lufta nuk u ndal, por agresioni rus është intensifikuar me ritme të frikshme – me bombardime përgjakshme, zhvendosje masive dhe një zgjatje të tragjedisë humane që e kthen këtë konflikt në një plagë të hapur të rendit ndërkombëtar.
Dështimi i politikës së jashtme të Trump është bërë më i prekshëm se kurrë. Duke u bazuar në zhvillimet e fundit në Ukrainë, ku një sulm me raketa ruse në qytetin Sumy vrau 34 persona dhe plagosi 117 të tjerë – shumica prej tyre civilë që po shkonin në kishë për të festuar të Dielën e Dafinave – është e qartë se agresioni rus po intensifikohet. Ky sulm është dënuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Presidentin Zelensky, i cili i ka bërë thirrje Donald Trump-it që të vizitojë Ukrainën për të parë nga afër shkatërrimin e shkaktuar nga Rusia.
Trump, që dikur e quajti Vladimir Putinin “të zgjuar” për lëvizjet e tij në Ukrainë, jo vetëm që nuk ndikoi për të ndalur ofensivën ruse, por krijoi një klimë ndërkombëtare të heshtur, të pasigurt dhe të lodhur nga qëndrime të vakëta. Në vend që të ndërtonte besim dhe unitet mes aleatëve perëndimorë, ai përçau, relativizoi dhe bëri lojëra fjalësh që i dhanë Moskës hapësirë të manovrojë.
Është e pamohueshme se një nga efektet më të rënda të qasjes së tij është ç’fokusimi i Shteteve të Bashkuara nga lidershipi tradicional në mbrojtjen e vlerave perëndimore. Fjalimet e Trumpit, më shumë sesa diplomaci, kishin elemente biznesi: ai i shihte konfliktet si llogari fitimi dhe jo si beteja për të drejtën ndërkombëtare. Dhe Ukraina, në këtë kontekst, u bë thjesht një kartë që mund të shitej, negociohej apo lëshohej.
Rusia e nuhati këtë boshllëk dhe goditi më fort. Është ky pikërisht dështimi i madh: krijimi i një ambienti global ku agresioni nuk ndëshkohet, por thjesht negociohet. Nëse sot bombat ruse bien mbi infrastrukturën ukrainase, kjo është edhe pasojë e një politikë të jashtme që vendosi interesin elektoral dhe personal përballë solidaritetit ndërkombëtar dhe rendit të ligjit.
Trump solli kohën prapa. Në vend të ndalimit të luftës, u krijua një klimë e re ku kufijtë duken të negociueshëm dhe dhuna, e lejueshme. Në një kohë kur duhej përballje morale me pushtuesin, ai i dha hapësirë për të avancuar.
Dhe kur liderët përballen me sfida të mëdha ndërkombëtare, historia nuk i mat me slogane, por me pasoja. E historia tashmë ka filluar të flasë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje