TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Prill 2025, 18:31

Nga Lenini tek Putini, pse diktatura është një normë në Rusi

Shkruar nga Nicholas Mirenzi

Nga Lenini tek Putini, pse diktatura është një normë në

Lenini është ende sot një prani e dukshme dhe simbolike në Rusi, pavarësisht shembjes së Bashkimit Sovjetik.

Diskutim mbi fatin (i cili nuk ekziston) e një populli, nga Cari tek Bolshevizmi, e deri më  sot. Gazetari i njohur italian Ezio Mauro, një njohës i vjetër i Rusisë, shpjegon pse diktatura mbetet ende një normë në Rusi, dhe pse Trump nuk e fsheh joshjen nga ky model.

Kur në vitin 1987 po përgatitej të shkonte në Moskë si korrespondent i La Repubblica-s, Ezio Mauro mendonte se misteri më i madh që do të donte të zbulonte për Rusinë, ishte sëmundja dhe vdekja e Leninit. “Edhe sot”, thotë ai në një intervistë për HuffPost, ”është ende i ndaluar botimi i kartelave të tij shëndetësore”.

Pak më shumë se 100 vjet pas vdekjes së udhëheqësit bolshevik, në fundin e një investigimi gjysmë-obsesiv që e nisi që sapo shkeli në Moskë, Mauro zbulon, edhe pse jo gjithçka, shumë gjëra mbi atë që i ndodhi trupit të njeriut që u dënua të ishte i përjetshëm, i balsamosur për të mbajtur ndezur flakën e revolucionit.

“Lenini është ende sot një prani e dukshme dhe simbolike në Rusi, pavarësisht shembjes së Bashkimit Sovjetik. Njerëzit vazhdojnë të flasin për sëmundjen e Leninit. Por kjo sëmundje nuk ka një emër specifik. Nuk ka një term klinik që e përcakton atë saktësisht”, thekson gazetari i njohur.

Ezio Mauro rindërton historinë, dhe u vë emra gjërave që kanë ndodhur, teksa një luftë e tmerrshme për pushtet po zhvillohej rreth trupit të sëmurë të Vladimir Iliçit. Libri e rindërton atë betejë hap pas hapi, tregon ngritjen e shkathët në krye të Stalinit, gabimet dhe fatkeqësitë që e shtynë Trotsky-n në periferi të qeverisë dhe më pas të historisë, ndërsa nga thellësitë e historisë del në pah struktura nga e cila është bërë pushteti rus.

“Lenini teorizoi pushtetin e pakufizuar, në emër të detyrës revolucionare. Një koncept absolut i pushtetit. Jehona e tij arrin deri tek Putini i sotëm. Mjafton vetëm të shihni mënyrën se si presidenti i Federatës Ruse është dyshues ndaj kujtdo që nuk pajtohet me të, dhe egërsinë me të cilën e trajtoi për shembull rastin Navalny”, nëvizon ai. Megjithatë Putini e kritikoi hapur Leninin...

Po. Përpara pushtimit të Ukrainës, ai e fajësoi atë se e kishte “shpikur” Ukrainën, duke e shkëputur nga trupi i Nënës Rusi. Putini ka në mendjen e tij një ide për Rusinë, e cila është shumë më afër asaj të Stalinit sesa të Leninit.

Ky i fundit njohu brenda Bashkimit Sovjetik pavarësinë e Bjellorusisë, Ukrainës dhe Republikës Transkaukaziane, ndërsa Stalini besonte se ato duhet të ishin pjesë e Rusisë së Madhe, si rajone autonome. Kjo çështje, ishte një burim konflikti shumë i fortë midis të dyve.

Atëherë, çfarë mbetet nga Lenini në Rusinë e sotme?

Mbetet ende kulti i pushtetit dhe i komandimit vertikal. Kjo është një konstante në Rusi. Një vend ku himni carist i lutej Zotit që ta shpëtonte Carin, e fortë dhe madhështor, një sundimtar që do të dominonte mbi armiqtë e tij të tmerruar.

Nëse në vend të Stalinit do të kishte fituar Trotsky, a do të kishte qenë ndryshe historia e Bashkimit Sovjetik?

Nga pikëpamja e diktaturës jo. Qeveria totalitare ishte e gdhendur në fatin e BRSS-së që nga fillimet e saj. Lenini mendonte se socializmi nuk mund të shërbehej në një pjatë argjendi. Për të, dhuna ishte e pashmangshme. Stalini e shtrembëroi këtë sistem deri në kulmin e Terrorit të viteve 1930. Kontradikta e vërtetë ndaj Leninit erdhi nga lëvizja punëtore, e cila fitoi njohje dhe të drejta nëpërmjet reformave, duke hequr dorë nga dhuna dhe revolucioni.

Pse nuk është ende sot e mundur të lexohen ditarët mjekësorë të Leninit?

Sepse ka shumë inerci burokratike. Kohëzgjatja e sekretit mbaroi, u rivendos dhe skadoi prapë, por ditarët mbetën të mbyllur. Por ka edhe diçka tjetër. Vështirësia e të rrëfyerit të brishtësisë së pushtetit, kulti i veçimit, një ide që ushqen hipotezën se përballë pushtetit nuk je qytetar, por subjekt, se mund t’i drejtohesh atij vetëm me lutje, por jo me ligj. Rusët kaluan nga të qenit nënshtetas të Carit në bolshevikë, pa qenë kurrë në gjendje të ishin qytetarë. Edhe sot, pas rënies së BRSS-së, është sërish kështu.

A është ky fati i Rusisë?

Unë nuk besoj në fatin e popujve dhe kombeve.

Dhe për çfarë mendoni se duhen sot rusët?

Besoj se Rusia është një pikë referimi e vazhdueshme për Evropën dhe Perëndimin. Rusia është pjesë e Evropës, megjithatë ajo vazhdon të tërhiqet prej saj. Në shekullin XIX-të, ajo quhej një “armik i trashëguar”. Tek e fundit, Putin nuk ka bërë asgjë më shumë sesa të ofronte një kornizë teorike dhe politike për këtë kundërvënie historike.

Rusia është antagonistja e re e demokracive. Siç deklaroi ai në një intervistë për Financial Times, demokracia nuk është domosdoshmërisht e thënë që të jetë liberale. Pra duke nënkuptuar atë që është modeli i tij, demokracia jo liberale.

Që është edhe modeli i preferuar i Donald Trump?

Trump mendon se bota është e ndarë në tre blloqe, amerikane, ruse dhe kineze. Cili është problemi? Kështu merr fund kanuni perëndimor, pra kuti moral dhe politik për të gjykuar botën, kriteri i vlerës për vlerësimin e të drejtave dhe lirisë.

A është jo liberal edhe Trumpi?

Trump nuk arrin ta kuptojë arsyen, pse në një moment krize si ky, nuk mund të përdorë, si Putini dhe Xi, vertikalen e pushtetit, pra instrumentin e komandës së pakufizuar. Ai pyet veten se përse pushteti i tij si president, duhet t’i nënshtrohet kontrolleve dhe balancave. Ai mendon se gjithçka do të ishte shumë më e lehtë, nëse do të mund t’i hidhte poshtë të gjitha këto pengesa, dhe të vazhdonte drejtpërdrejt në rrugën e tij./Përshtati “Pamfleti” nga “Huffington Post Italia”

Lini një Përgjigje