
Çfarë fshihet pas lidhjeve të Steve Witkoff me mafian ruse? Gjatë 3 dekadave të fundit, të paktën 13 persona me lidhje të njohura ose të dyshuara me mafiozët ose oligarkët rusë kanë zotëruar, jetuar dhe madje drejtuar aktivitete kriminale nga Trump Tower dhe prona të tjera të presidentit aktual.
Cilitdo që e kishte vënë në dyshim pretendimin, se presidenti amerikan Trump ka krijuar një aleancë të errët me Vladimir Putinin, java që shkoi mund t’i ketë zhdukur edhe mëdyshjet më të vogla. Arsyeja: Steve Witkoff, i dërguari special i Trump për Rusinë dhe Ukrainën, u kthye nga takimet me Putinin në Moskë.
Ai dha disa intervista për mediat amerikane, duke e bërë të qartë se në cilën janë ai dhe presidenti. Pasi Witkoff e cilësoi Putinin si një “burrë super të zgjuar, që e mban fjalën e tij”, kongresmeni demokrat Seth Moulton tha se është “çmenduri që një negociator amerikan të mbajë anën e armikut tonë”.
“Ai është duke negociuar për palën tjetër, për agresorin dhe shkelësin e ligjit ndërkombëtar”- theksoi ai. Por çuarja përpara e kauzës së armikut, nuk ishte arritja e vetme e Witkoff në Moskë.
Siç raportoi kolegia ime Olga Lautman, kur Witkoff ishte në Moskë për të biseduar me Putinin - një operativ i zgjuar që di disa gjëra për sigurinë - ai u përfshi në skandalin e njohur tashmë si “Signalgate”, shkeljen flagrante të masave të sigurisë, kur zyrtarët më të lartë përfshinë edhe një gazetar në diskutimet e planeve të tyre për të bombarduar objektivat e rebelëve Huthi në Jemen.
Po kush është Steve Witkoff? Një biznesmen miliarder i pasurive të paluajtshme, Witkoff zotëron Woolworth, Daily News Building dhe Hotelin Park Lane etj. Ai e njeh Trumpin prej dekadash. Në vitin 2018, Trump e përshkroi Witkoff-in si “shokun tim tw ngushtw” dhe si një “burrw të veçantë”.
Por kjo nuk shpjegon dot, se si një shok golfi i Trump, pa asnjë përvojë diplomatike, u bë i dërguari kryesor i tij në dy vatrat më të nxehta në botë: Rusia dhe Izraeli. Si i dërguar i posaçëm për Lindjen e Mesme, ai mori pjesë në negociatat që çuan në armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit.
Witkoff ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në një nga sipërmarrjet më të guximshme financiare të Trump, duke ndihmuar në ngritjen e World Liberty Financial, kompaninë e kriptomonedhës në pronësi të familjes Trump.
Megjithatë një kapitull i jetës së Witkoff-it nuk është eksploruar sa duhet: lidhja e tij me mafian ruse. Në vitin 2013, The Real Deal, një kompani mediatike që mbulon veprimtaritë në sektorin e pasurive të paluajtshme, raportoi se Witkoff paraqiti një rekomandim për mafiozin e paditur rus Anatoli Golubchik disa vite më parë, kur ky i fundit aplikoi për të jetuar në një rezidencës 971 Madison Avenue.
Rekomandimi është me interes të veçantë, sepse sipas aktakuzës në gjykatën e Distriktit Jugor të Nju Jorkut, Golubchik luajti një rol kyç në një rrjet lojërash të paligjshme brenda Trump Tower.
Sipas Poker News, një revistë komerciale kushtuar industrisë së lojërave, në lojërat ilegale të pokerit merrte pjesë një klientelë e famshme, që përfshinte aktorët e Holliwood-it, Leonardo De Caprio, Ben Affleck dhe Matt Damon.
Historia e tyre u shndërrua më vonë në filmin “Molly’s Game” me protagonistë aktorët Jessica Chastain dhe Idris Elba. Ky rrjet lojërash, u shkatërrua në prill të vitit 2013, kur “policia hyri në një apartament në katin e 63 të Kullës Trump në Fifth Avenue, vetëm 3 kate poshtë apartamentit të Donald Trump.
Me rubinetat e tij prej ari 24 karatësh, muret prej alabastri të punuar nga artizanët portugezë, dhe me dyshemenë e banjës 350.000-dollarëshe prej gurësh ametisti të importuar nga Tanzania, apartamenti ishte një nga më të spikatur në atë që tashmë ishte një nga ndërtesat më të famshme në Amerikë.
Më e rëndësishmja: ndërtesa ishte e populluar nga një numër miqsh të mafiozit rus Semion Mogilevich. Mogilevich, ishte një nga figurat më të fuqishme të mafies ruse, i renditur dikur në listën e 10 personave më të kërkuar nga FBI.
Ai drejtonte rrjete të trafikut të drogës dhe prostitucionit në shkallë ndërkombëtare. Bleu një linjë ajrore të falimentuar për të transportuar heroinë nga Azia Juglindore në Evropë. Përdori një biznes bizhuterish në Moskë dhe Budapest si maskim për veprat e artit që gangsterët rusë vidhnin nga muzetë, kishat dhe sinagogat në të gjithë Evropën.
Po ashtu, Mogilevich është akuzuar se i ka shitur Iranit rreth 20 milionë dollarë armë të vjedhura, përfshirë raketat tokë-ajër dhe transportues trupash të blinduara. “Ai e përdor këtë pasuri dhe fuqi jo vetëm për të çuar përpara sipërmarrjet e tij kriminale por për të ndikuar mbi qeveritë dhe ekonomitë e tyre”- thotë FBI.
Siç raportoi James Henry në American Interest, Golubchik ishte i lidhur me Mogilevich përmes kompanisë guaskë Lytton Ventures, që ai e zotëronte bashkë me një drejtore të quajtur Galina Telesh, e cila ishte gruaja e Mogilevich.
Sipas padisë së ngritur nga prokurori amerikan Preet Bharara, rrjeti i lojërave të fatit kishte funksionuar që nga viti 2006, në mos edhe më herët, dhe kishte pastruar të paktën 100 milionë dollarë. Në fund, 28 të pandehur, mes tyre edhe Golubchik, u deklaruan fajtorë dhe shkuan në burg. Golubchik u dënua me 5 vjet.
Por përpara se të shkonte në burg, Golubchik vendosi të blinte pasuri të paluajtshme në Manhattan. Ai kishte nevojë për një referencë personale, dhe këtu hyri në skenë Witkoff. Në një deklaratë dhënë për The Real në 2013, një zëdhënës i Witkoff, tha se biznesmenit i vinte keq që kishte dhënë një referencë për mafiozin.
“Steven Witkoff u takua me Golubchik në vitin 2009, dhe paraqiti një rekomandim për të përfunduar një marrëveshje si një favor për një të njohur të përbashkët. Ai e njihte përmes këtij të fundit. I vjen keq që dha një referencë në emër të tij, dhe e pranon se ishte një gabim”- thuhej në deklaratë.
Deklarata nuk sqaroi nëse i njohuri i përbashkët ishte Donald Trump. Unë pyeta Shtëpinë e Bardhë mbi marrëdhënien e Witkoff me Golubchik, dhe nëse Trump ishte “miku i përbashkët” që përmendet në deklaratë.
E pyeta gjithashtu nëse Witkoff, po aktualisht fiton para nga roli i tij në krijimin e World Liberty Financial, por Shtëpia e Bardhë refuzoi të përgjigjej. Tani që Trump është kthyer në pushtet dhe Witkoff është njeriu i tij kryesor, lidhjet e tyre me mafien ruse janë me interes të veçantë.
Sepse, siç e kam treguar më herët, mafia ruse është shumë e ndryshme nga mafia që kemi parë në filma si “Kumbari”, ku është gjithmonë në luftë me FBI-në. Në Rusi, mafia ka qenë prej kohësh një aktor shtetëror de fakto, që i shërben Federatës Ruse njëlloj si shërbimet sekrete amerikane i shërbejnë Shteteve të Bashkuara.
Dhe shumë nga njerëzit e lidhur me Trump, kanë pasur lidhje të forta me FSB-në ruse, shërbimin e sigurimit shtetëror, pasardhësja e KGB-së së frikshme të epokës sovjetike. Për më tepër, siç kam shkruar më herët, gjatë 3 dekadave të fundit, të paktën 13 persona me lidhje të njohura ose të dyshuara me mafiozët ose oligarkët rusë kanë zotëruar, jetuar dhe madje drejtuar aktivitete kriminale në Trump Tower dhe prona të tjera të presidentit aktual.
Shumë prej tyre i përdorën apartamentet dhe kazinotë e tij për të pastruar miliona dollarë para të pista. Të tjerët i ofruan Trumpit marrëveshje fitimprurëse, që nuk kërkonin asnjë investim nga ana e tij.
Të marra së bashku, fluksi i parave nga Rusia i solli Trumpit një sasi domethënëse financimi, që e ndihmoi në shmangien e rënimit të perandorisë së tij, për të forcuar imazhin dhe nisur karrierën e tij në televizion dhe politikë./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Whowhatwhy”
Lini një Përgjigje