TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Janar 2024, 17:17

Në 'zemer' të Kremlinit, kultura ruse e bandave që ushqen pushtetin e Vladimir Putinit

Shkruar nga Svetlana Stephenson
Në 'zemer' të Kremlinit, kultura ruse e bandave që
Kremlin /

Kultura e dhunës në Rusi po ndikon si në vendimmarrjen e udhëheqësve të saj, po ashtu edhe në mirëqenien e të gjithë shoqërisë...

Seriali televiziv shumë popullor “Slovo Patsana” (patsan në rusisht nënkupton një gangster të ri të rrugës) - ose “Llaf burrash” - i riktheu teleshikuesit rusë në vitet 1980, në atmosferën e ngjarjeve famëkeqe në Kazan, ku kryeqyteti i republikës së Tatarstanit ishte i ndarë në çifligjeve midis bandave kriminale.

Në dekadën që pasoi, krimi i organizuar dhe dhuna e bandave u bënë një fenomen përcaktues në të gjithë Rusinë. Nga fundi i viteve 2000, dhuna u zbut disi ndërsa shteti nisi të forcohej. Ish-krerët e bandave që nuk ishin vrarë në përleshje me bandat e tjera apo kishin përfunduar në burg, arritën të bëheshin biznesmenë të ligjshëm apo të depërtonin në strukturat e qeverisë. Madje disa ish-patsany u bënë anëtarë të Dumës së Shtetit (parlamentit rus) ose rektorë universitetesh. Sot, sjelljet e tyre të dhunshme vazhdojnë ende të kenë një jehonë të fuqishme nëpër gjithë kulturën dhe shoqërinë ruse, duke kushtëzuar mënyrën se si njerëzit dhe shteti e perceptojnë forcën.  

Nën sundimin e presidentit Vladimir Putin, e kaluara e dikujt si një patsan (i fortë rrugësh) - që në Bashkimin Sovjetik nuk ishte aspak një arsye për të qenë krenar - u shndërrua në simbolin e një mashkulloriteti heroik. Edhe para se të bëhej president, Putin i referohej shpesh rinisë së tij të kaluar në rrugët e Leningradit (sot Shën Petersburg).

Ai u tha gazetarëve që e intervistuan për biografinë e tij të parë: “Unë kam qenë një huligan dhe jo një pionier i ri... Kam qenë realisht një djalë i keq”. Mesazhi që i përçoi qëllimisht publikut, ishte se leksionet që i mësoi rruga, do ta ndihmonin atë të bëhej një udhëheqës i madh rus.

Një udhëheqës i dorës së fortë, vendimtar, i gatshëm për çdo konfrontim dhe i përgatitur për t’u siguruar që as ai dhe as vendi të mos përfitonin. Gjatë një intervistë të vitit 2000 për gazetarin Mikhail Leontiev, Putin e ndërpreu brutalisht gazetarin që po citonte kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Rusinë, duke thënë: “Kushdo që na përçmon nuk do të jetojë më shumë se 3 ditë!”

Sipas kodit të gangsterëve, është e ndaluar të ankohesh. Vetëm një viktimë do ta pranonte dobësinë e dikujt. Një i fortë i rrugës i vërtetë nuk do të ankohej, por do të hakmerrej me shumë forcë. Të perceptuarit si të dobët, pashmangshmërisht të ekspozon ndaj sulmeve të të tjerëve.

Në vitin 2004, Putin tha se autorët e marrjes peng të qindra nxënësve dhe mësuesve në Beslan por edhe mbështetësit e tyre, po përfitonin nga dobësia e Rusisë. “Të dobëtit rrihen. Disa njerëz do të përpiqen të na rrëmbejnë ushqimin më të mirë nga pjata. Të tjerët do t’i mbështesin dhe ndihmojnë ata”.

Më vonë, duke folur në Forumin Valdai në vitin 2015, Putin e justifikoi kështu vendimin e Rusisë për të ndërhyrë në luftën civile në Siri: “Pesëdhjetë vjet më parë, rrugët e Leningradit më mësuan rregullin: Nëse një konflikt është i pashmangshëm, atëherë t’i duhet të sulmosh i pari!”.

Duke iu referuar rinisë së tij të kaluar rrugëve, Putin beson se po i dërgon audiencës së tij ruse sinjalin se ai është një njeri i popullit. Gjithashtu, ai po përpiqet të tregojë se nuk është as një mik i oligarkëve të pasur dhe as anëtar i elitës liberale që e la vendin të zhytej në kaos gjatë viteve 1990.

Në këtë mënyrë, ai shpreson të gjejë një përgjigje të gatshme dhe pozitive nga publiku.

Vlerësimet e tij të mëdha në sondazhe tregojnë se ai ka të drejtë. Sjellja prej të forti e Putin - e shoqëruar me politikën e tij të jashtme agresive dhe kontrollin e hekurt mbi pushtetin në vend - gjen një audiencë të gatshme në mesin e një pjese të konsiderueshme të rusëve.

Kjo nuk vjen vetëm nga “luftëtarët e divanit” që e mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë, ndërsa qëndrojnë ulur në shtëpi duke parë televizor, por nga anëtarët e bandave kriminale dhe tejet të dhunshme, të cilët kanë qenë tradicionalisht në armiqësi me shtetin.

Kur intervistoja anëtarët e bandave kriminale të rrugës për librin tim, dëgjova shumë lëvdata për Putin. Siç më tha njëri prej tyre: “Putin ka treguar se nuk do të lejojë të tërhiqet për hundësh nga askush. Ky lloj tipi gëzon respekt, si nga gangsterët në rrugë po ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Pas udhëheqjes së Putinit, edhe anëtarët e qeverisë ruse gjithashtu i përforcojnë deklaratat e tyre publike me referenca mbi botën e gangsterëve rusë. Në shkurtin e vitit 2022, teksa trupat ruse po afroheshin në kufijtë me Ukrainën, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se Rusia do të kërkonte një marrëveshje të drejtë në dialogun e saj të sigurisë me SHBA-në. “Unë nuk dua të flas në zhargon, por ne rusët kemi një thënie: Atë që tha patsan-i e bëri. Ponyatiya (normat e rrugës dhe botës së krimit) të tilla duhet të respektohen edhe në nivel ndërkombëtar”.

Për të kuptuar Putin dhe mbështetjen e tij popullore në Rusi, duhet të kujtojmë se pavarësisht stigmatizimit të saj nga shteti sovjetik, kultura e rrugës kishte një rëndësi të madhe në shoqërinë ruse edhe para ditëve të saj më të lavdishme në vitet 1980-1990.

Breza të tërë rusësh, i mësuan disa nga leksionet e tyre më të rëndësishme të jetës, pikërisht në rrugët ku u rritën. Në përleshjet në grup me rivalët e tyre nga lagjet rivale, ose duke u mbrojtur nga sulmet e dhunshme, ata mësuan se si të ndiheshin dhe silleshin si “burra të vërtetë”; si të qëndronin në këmbë dhe të godisnin të parët; dhe mos ta tradhtonin kurrë frikën që ndjenin brenda vetes.

Po ashtu, ata mësuan të ecin dhe të flasin si njerëz që askush nuk do të guxonte t’i sfidonte.

Gangsterët e rrugës në Rusi kanë të përbashkët fiksimin për të qenë të respektuar. Ata druhen se mos shihen si të pavendosur dhe i shohin me përbuzje të rinjtë që shmangin formimin e karakterit të rrugës, duke preferuar qëndrimin në shtëpi dhe studimin e teksteve të tyre shkollore.

Të mbrosh territorin tënd, dhe të jesh gjithnjë vigjilent mbi ndërhyrësit e mundshëm, është e domosdoshme për një të ri të rrugëve. E tillë është edhe besnikëria ndaj anëtarëve të grupit dhe mbrojtja e krahëve gjatë një përleshje. Ish-kriminelët, që kanë respektuar të rinjtë e rrugës, kanë qenë gjithmonë figura me ndikim në lagjet e zonave urbane.

Sipas mbrojtësit të të drejtave të njeriut Valery Abramkin, 1 në 4 rusë ka qenë të paktën njëherë në paraburgim ose burgim. Kjo do të thotë se kultura e burgjeve, me imazhin e saj të romantizuar të të jashtëligjshmëve, këngët dhe zhargonet përkatëse, është përhapur gjithnjë me lehtësi në lagjet e shtresës punëtore nëpër qytete.

Rruga e përthithi këtë kulturë si një sfungjer, dhe breza të njëpasnjëshëm burrash rusë e përvetësuan gjuhën e të fortit, që tani dëgjohet shpesh nga tribunat publike. Në studimin mbi mënyrën e ndërtimit të mashkulloritetit midis rusëve të zakonshëm, Marina Yusupova zbuloi se ata që e kishin braktisur prej shumë kohësh botën e rrugës, përdornin një zhargon nënçmues dhe kriminal kur flisnin për homoseksualitetin.

Ky depërtim i thellë i stigmatizimit të rrugës dhe kriminalitetit të homoseksualizmit në kulturën më të gjerë ruse na ndihmon të kuptojmë popullaritetin e agjendës anti-LGBTQ+ të promovuar nga regjimi i Putinit.

Popullariteti jetëshkurtër por i konsiderueshëm në intensitet i ish-kreut të mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin, një ish i burgosur që arriti jo vetëm fitore në fushën e betejës, por refuzoi publikisht të pranonte “pederastët” në Grupin Wagner, tregon gjithashtu se sa afër është bota e kulturës kriminale si për ata në qeveri po ashtu edhe për publikun e thjeshtë.

Në përpjekjen e tij për të mobilizuar sa më shumë trupa për luftën në Ukrainë, shteti korrupton burrat rusë, duke ofruar shpërblime të majme për ata që i bashkohen vullnetarisht ushtrisë ruse, dhe u bën apel nëpërmjet perceptimit të tyre mbi burrërinë.

Gatishmëria për të ushtruar dhunë, frika se mos shihen si burracakë dhe detyra madhore për të mbrojtur bashkëshortet dhe fëmijët, përfshihen shpesh në mesazhet sensibilizuese për rekrutimin ushtarak për të tërhequr sa më shumë ushtarë në front, dhe për t’i nxitur ata që të qëndrojnë sa më gjatë atje.

Figura e djalit të rrugës, u bë personifikim i mashkulloritetit të rusit luftarak, dhe nevoja për të mbështetur “mashkulloritetin rus” është shndërruar në një nga motot kryesore për gazetarët rusë që janë pro luftës (voenkory) por edhe rusët që identifikohen si patriotë të mëdhenj. Në këtë kuptim, patsan (gangsteri), është bërë një figurë kyçe në shoqërinë ruse të kohës së luftës. Sot ai shihet më pak si një huligan dhe më shumë si një hero.

Kjo lloj kulture, e mbështetur hapur nga shteti, e bën dhunën një zgjedhje sociale të pranueshme. Dhe kjo qasje ndikon drejtpërsëdrejti tek fakti që shkalla e vrasjeve sot në Rusi mund të jetë më e lartë se sa në çdo vend tjetër evropian. E njëjta gjë vlen edhe për nivelin e lartë të dhunës në familje.

Në Indeksin e Shoqërive të Dhunshme, Rusia renditet ndër 10 shoqëritë më të dhunshme në vitet 1990-2000. Që t’i japë fund trajektores së dhunshme, mbi të cilën e ka vendosur vendin regjimi politik aktual, Rusia duhet jo vetëm të rivlerësojë politikën e saj të jashtme dhe ushtarake, por të adresojë me seriozitet kulturën e dhunës, e cila po ndikon si në vendimmarrjen e udhëheqësve të saj, po ashtu edhe në mirëqenien e të gjithë shoqërisë.

Pa një ballafaqim të tillë me këtë problem akut, dhuna do të vazhdojë të diktojë marrëdhëniet e vendit me fqinjët dhe vetë zhvillimin e Rusisë./ Përshtati Pamfleti nga “The Moscow Times”

Shënim:Svetlana Stephenson, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin Metropolitan të Londrës dhe autore e librit “Bandat e Rusisë:Nga rrugët në korridoret e pushtetit”.

në zemër të kremlinit kultura e dhunës vladimir putin

Lini një Përgjigje