
Këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, deklaroi ditën e sotme se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Izraeli që të marrë çdo masë që mundet për të dalluar civilët palestinezë nga luftëtarët e Hamasit në operacionin e tij ushtarak në Gaza.
Në një intervistë për CNN, Sullivan i bëri thirrje gjithashtu kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të “frenojë” dhunën ekstremiste të kolonëve hebrenj kundër njerëzve të pafajshëm në Bregun Perëndimor.
Gjithashtu, Sullivan nuk tha nëse ka dallime mes SHBA-së dhe Izraelit për sulmin ushtarak në Gaza, por theksoi se Uashingtoni është i sinqertë me aleatin e tij.
Duke iu drejtuar protestave në rritje për bombardimet e Izraelit ndaj Gazës pas sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit nga Hamasi brenda territorit izraelit, Sullivan tha se ne nuk mbështesim vrasjen e njerëzve të pafajshëm, qofshin ata palestinezë apo izraelitë.
Forcat izraelite po zgjerojnë operacionet tokësore në Gaza ndërsa avionët e tyre luftarakë goditën sot qindra objektiva të tjerë të Hamasit, në atë që kryeministri Benjamin Netanyahu e ka quajtur fazën e dytë të një lufte trejavore.
Lini një Përgjigje