Një njësi e vogël ushtarake nga Franca ka mbërritur në kryeqytetin e Groenlandës, si pjesë e një misioni të përbashkët vëzhgues të organizuar nga disa shtete europiane.
Misioni përfshin gjithashtu forca nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Holanda dhe Britania e Madhe – në një moment të ndjeshëm diplomatik, teksa Presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të këmbëngulë se Shtetet e Bashkuara “kanë nevojë për Groenlandën” për arsye të sigurisë kombëtare.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se kjo pranisë fillestare do të pasohet së shpejti nga përforcime me kapacitete tokësore, ajrore dhe detare. Diplomati i lartë francez, Olivier Poivre d’Arvor, e përshkroi këtë mision si një mesazh të qartë politik për Uashingtonin. “Kjo është një stërvitje e parë... por ajo çfarë duam të tregojmë është se NATO është e pranishme,” deklaroi ai, duke sqaruar se grupi i parë përbëhet nga 15 ushtarë francezë.
Në anën tjetër të Atlantikut, Presidenti Trump deklaroi nga Zyra Ovale se shpreson ende për një marrëveshje me Danimarkën, shteti nën sovranitetin e të cilit ndodhet Groenlanda, një territor gjysmë-autonom në veri të Arktikut. “Nuk e përjashtoj një marrëveshje, për sa kohë është në interes të sigurisë kombëtare amerikane,” tha ai.
Ndërkohë, Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, njoftoi se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në këtë mision europian, por paralajmëroi ashpër se çdo ndërhyrje ushtarake nga SHBA në territorin e Groenlandës do të ishte një “katastrofë politike”. “Një përplasje apo përpjekje për aneksim të territorit të një anëtari të NATO-s nga një tjetër do të shënonte fundin e botës që njohim – një botë që për dekada na ka garantuar siguri,” tha Tusk në një konferencë për shtyp.
Misioni europian është pjesë e një stërvitjeje të përbashkët nën drejtimin e Danimarkës, me emrin koduar “Operation Arctic Endurance” (Operacioni Qëndresa Arktike). Për momentin, prania ushtarake është simbolike dhe nuk ka ende një vendim për kohëzgjatjen e qëndrimit të trupave europiane në Groenlandë. Situata mbetet e brishtë, ndërkohë që interesat strategjike në Arktik po përplasen gjithnjë e më shumë midis fuqive të mëdha.
Lini një Përgjigje