
Në një kohë kur sondazhet tregojnë se serbët anojnë nga Moska, nuk është e qartë se si Vuçiç mund ta braktisë Rusinë dhe të përqafojë me gjithë zemër Evropën edhe nëse ai dëshiron vërtet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po përballet me një “vendim të vështirë”. A duhet ta përqafojë ai Evropën, apo duhet të vazhdojë të provojë fatin, duke mbajtur në tavolinë ofertën e Serbisë për anëtarësim në BE, por në të njëjtën kohë duke ruajtur lidhjet vëllazërore me aleatin e saj tradicional sllav, Rusinë?
Armiqtë e Vuçiçit nervozohen nga qëndrimi i tij dyanësh dhe refuzimi për t'iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Pak para se të nisej nga Beogradi për në Mynih, Vuçiç i kishte thënë televizionit serb se vendi ishte në një pozitë tepër të vështirë.
Ndërkohë që vuri në dukje në rrjetin social Instagram se po shkonte në konferencë për "takime të vështira". Ai e përdori fjalën të “vështirë” në mënyrë të përsëritur, duke thënë se bisedat e tij dypalëshe kanë qenë të vështira sepse ne kemi perspektiva të ndryshme nga shumica e vendeve perëndimore, dhe kështu asgjë nuk është e lehtë.
Presidenti serb i zgjedh fjalët e tij me kujdes, duke komunikuar po aq me sugjerime dhe shtytje verbale sa të jep idenë mbajtjes së premtimit në fund, por që gjithmonë përfundon duke bërë hapa prapa.
A është ky një tregues se ai ende dëshiron të mbajë lojën e tij politike aktive në të dyja krahët, apo tregon një lider që i afrohet një vendimi historik?
Këshilltarët e tij tregojnë këtë të fundit, ndërsa kritikët e tij argumentojnë se ai është ende duke ndjekur një "strategji për të përdorur vazhdimisht Perëndimin dhe të moderuarit serbë kundër Moskës.
Por në një karrierë të trazuar politike që përfshin mbi 30 vjet, Vuçiç ka bërë disa kthesa të mëdha, e fundit prej të cilave ka qenë përfshirja në bisedime për "normalizimin" e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, pavarësia e së cilës as Beogradi dhe as Moska nuk e njohin.
Ndërkohë të hënën, Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti më në fund dhanë miratimin e heshtur për një plan të ndërmjetësuar nga BE dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në përmirësimin e lidhjeve afatgjatë. Megjithëse, duke folur pas kryesimit të bisedimeve në Bruksel, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell tha gjithashtu se "duhet më shumë punë" dhe të dy udhëheqësit do të takohen përsëri muajin e ardhshëm.
Bisedimet për Kosovën ishin shfaqur edhe në takimin dypalësh të Vuçiçit me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken gjatë Mynihut, ku një nga pikat e pengesës ishte krijimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe mosmarrëveshjet në lidhje me shtrirjen e kompetencave të tij.
“Ajo që mund të them është se ata [amerikanët] donin të dëgjonin anën tonë. Ata treguan respekt për një vend kaq të vogël siç jemi ne. Dhe ne e dimë se çfarë presin ata; por ata e dinë gjithashtu se çfarë ndjejmë për sigurinë e njerëzve tanë në Kosovë”, tha ai.
Ndërkohë, Blinken e përshkroi uljen si “produktive”, duke nënvizuar se “ne ndajmë dëshirën e Serbisë për një të ardhme me BE-në”. Dhe vlen të përmendet se në javët e fundit, zyrtarët e Komisionit të BE-së kanë postuar në Twitter komente miqësore edhe për Serbinë, një melodi kjo që mund të jetë një prelud për Vuçiçin që të marrë “vendimin e tij të vështirë” përtej Kosovës. Përkatësisht atë vendim ku duhet të zgjedhë rrugën drejt BE-së ose ruajtja e një miqësie të ngushtë me Rusinë.
Lideri serb ndjen qartë presion të madh nga të dyja palët.
Nga njëra anë, ai me krenari flet për Serbinë duke tërhequr investime të huaja. Fitch kohët e fundit riafirmoi vlerësimin BB+ të Serbisë dhe vlerësoi "kornizën e besueshme të politikës makroekonomike, politikën e kujdesshme fiskale dhe qeverisjen disi më të fortë" megjithëse duke i vendosur këta faktorë kundër borxhit të jashtëm neto të lartë, paralajmëroi se "rreziqet gjeopolitike mbeten të qëndrueshme".
Kjo tregon se avancimi në “rrugën evropiane” do të jetë vendimtar për Serbinë ekonomikisht. Dhe zyrtarët e BE kanë theksuar se çdo përparim drejt pranimit varet nga ripërshtatja e Beogradit me politikën e jashtme të bllokut.
Nga ana tjetër, Rusia është një aleat tradicional i Rusisë që ka mbështetur Serbinë për Kosovën dhe sondazhet e opinionit që nga pushtimi i Ukrainës nuk janë premtuese për një prirje perëndimore.
Katër muaj pas luftës së Rusisë, një sondazh zbuloi se 51 për qind e serbëve do të refuzonin anëtarësimin në BE, me vetëm 34 për qind që thanë se do të votonin për t'u bashkuar. Dhe në atë sondazh, presidenti rus, Vladimir Putin kryesoi listën e liderëve të preferuar.
Në mënyrë të ngjashme, një studim i korrikut 2022 nga “New Third Way” zbuloi se 66 për qind e serbëve ndiheshin më afër Moskës sesa me Perëndimin, dhe 40 për qind dëshironin përfundimin e bisedimeve të anëtarësimit me BE. Rezultatet treguan gjithashtu se 59 për qind e serbëve fajësojnë Perëndimin për luftën në Ukrainë, me 23 për qind që fajësojnë Rusinë dhe 18 për qind që thonë se Moska dhe Perëndimi ndajnë përgjegjësinë.
Në një kohë kur sondazhet tregojnë se serbët anojnë nga Moska, nuk është e qartë se si Vuçiç mund ta braktisë Rusinë dhe të përqafojë me gjithë zemër Evropën edhe nëse ai vërtet dëshiron.
Ndërkohë, Rusia ka ushtruar presion hibrid edhe ndaj Vuçiçit. Dy ditë para Mynihut, qindra nacionalistë serbë dhe aktivistë pro-rusë me lidhje me grupin paraushtarak Wagner u mblodhën në Beograd, duke kërkuar përfundimin e procesit të normalizimit me Kosovën. Duke mbajtur pankarta me slogane si “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Tradhtia e Kosovës është tradhti ndaj Rusisë!” teksa kërcënuan me vdekje dhe Vuçiçin.
Udhëheqësi i ekstremit të djathtë Damjan Knezeviç, u arrestua më pas dhe u akuzua për nxitje të dhunës. Dhe vetë Vuçiç i akuzoi protestuesit se ishin antiserbë dhe si të paguar nga të huajt.
Por, ashtu si mbështetësit e tij, Vuçiç është ende i hidhur për humbjen e Kosovës. Ai thekson se serbët, të cilët përjetuan bombardimet e NATO-s gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, mund të kenë empati me ukrainasit.
Kështu, beteja e Vuçiçit për "vendimin e tij të vështirë" përfshin kokën, zemrën e tij, një mëri të vazhdueshme për luftën e Kosovës dhe, siç e pranoi ai vetë, një rezistencë kokëfortë për t'u nënshtruar për të bërë një zgjedhje, në përputhje me Karakteri kombëtar serb./Përshtati “Pamfleti” nga “Politico”
Lini një Përgjigje