
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell tha se muajt e ardhshëm mund të jenë vendimtarë për luftën në Ukrainë, duke u kërkuar aleatëve perëndimorë të nxitojnë për të rritur ndihmën për Kievin gjatë një vizite në Uashington.
“Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë. Çdo gjë që duhet bërë duhet të bëhet shpejt,” këmbënguli ai, duke theksuar se shumë analistë presin një sulm rus në verë dhe Ukraina nuk mund të presë për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme amerikane.
Borrell u takua në Uashington me shefin e politikës së jashtme të SHBA, Anthony Blinken.
Sipas tij, nëse presidenti rus Vladimir Putin fiton këtë luftë, pushton Ukrainën, vendos një regjim kukull në Kiev, siç e shohim në Bjellorusi, ai nuk do të ndalet me kaq.
“E gjithë kjo do të ketë pasoja të mëdha për SHBA-në dhe sistemet e aleancës të ndërtuara rreth SHBA-së dhe Europës”, u shpreh ai.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u takua gjithashtu me Don Bacon, një ligjvënës republikan.
Administrata e presidentit demokrat Joe Biden ka kërkuar që nga viti i kaluar që Kongresi të miratojë një paketë financimi prej 60 miliardë dollarësh për të vazhduar ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, por çështja mbetet e bllokuar në Kongres.
Lini një Përgjigje