TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Shtator 2024, 22:00

Lideri i Hezbollahut u vra, çfarë do të ndodhë tani?

Shkruar nga Pamfleti
Lideri i Hezbollahut u vra, çfarë do të ndodhë tani?
Hassan Nasrallah

Ndërsa Hezbollahu është goditur rëndë në një kohë të shkurtër, analistët thonë se nuk ka gjasa që grupi të dobësohet, pasi një udhëheqës mund të zëvendësohet me një tjetër ndërsa grupi ruan arsenalin dhe forcën e tij të madhe ushtarake.

Udhëheqësi i Hezbollahut për 32 vitet e fundit, Hassan Nasrallah u vra nga një sulm ajror izraelit në kryeqytetin e Libanit Bejrut.

Sipas ushtrisë izraelite, në sulmin masiv ajror në periferinë jugore të Bejrutit, Dahiyeh mbetën gjithashtu të vrarë komandanti i frontit jugor të Hezbollahut Ali Karki dhe komandantë të tjerë. Një javë më parë, Izraeli vrau gjithashtu komandantin e lartë të Hezbollahut Ibrahim Aqil në Bejrut. Këto ngjarje vijnë dy muaj pasi shefi i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra nga Izraeli në Iran.

Vdekja e Nasrallah dhe liderëve të tjerë në këto sulme të paprecedentë në Liban dhe gjatë shpërthimit masiv të pagerëve dhe radiove të dorës që u përkisnin komandantëve të Hezbollahut në fillim të këtij muaji, i ka dhënë një goditje të rëndë grupit militant libanez, pas disa muajsh luftimesh.

Izraeli tha se kjo është një fitore të madhe, por ekziston frika e përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.

Kush ishte Hassan Nasrallah?

Nasrallah, 64 vjeç, u bë sekretari i tretë i përgjithshëm i Hezbollahut në vitin 1992, pasi paraardhësi i tij, Abbas al-Musaëi, u vra nga raketat izraelite.

Hezbollah (Partia e Zotit në arabisht) është një grup i mbështetur nga Irani i formuar në vitin 1982 për të luftuar pushtimin e Izraelit të Libanit jugor. Ajo gjen shumicën e mbështetjes së saj në mesin e muslimanëve shiitë. Nasrallah arriti kulmin e popullaritetit të tij në Liban dhe më gjerë në 2006 pas një lufte me Izraelin. Fjalimet e tij, të cilat ndërthurën elementë politikë dhe fetarë, kontribuuan gjithashtu në thirrjen e tij të përhapur.

Kritikët e kanë parë Nasrallah si një lider të një partie shiite që lufton për interesat iraniane, veçanërisht pasi ai dërgoi luftëtarë për të ndihmuar në shtypjen e një kryengritjeje të vitit 2011 në Siri kundër aleatit të Iranit, Presidentit Bashar al-Assad.

Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në tetor 2023, Nasrallah ka mbajtur fjalime televizive duke ofruar mbështetje për Hamasin, ndërsa Hezbollahu ka shkëmbyer raketa ndërkufitare me Izraelin. Në fjalimin e tij të fundit më 19 shtator, ai foli për sulmet e pagerëve në Liban.

Çfarë dimë deri tani për sulmin e Izraelit ndaj Nasrallah?

-Të premten në mbrëmje, Izraeli kreu një valë sulmesh ajrore në lagjen Haret Hreik me popullësi të dendur në Dahiyeh, në Bejrutin jugor.

-Sulmet vazhduan deri në orët e para të së shtunës, duke detyruar mijëra banorë të largohen nga zona.

-Të shtunën, forcat izraelite thanë se kishin shënjestruar selinë e Hezbollahut dhe kishin vrarë Nasrallah.

-Pas disa orësh spekulimesh, Hezbollah konfirmoi vdekjen e Nasrallah.

-Sipas Ministrisë së Shëndetit Publik të Libanit, të paktën 11 persona u vranë dhe 108 të tjerë mbetën te plagosur nga sulmet.

-Mediat izraelite thonë se rreth 85 bomba të ashtuquajtura “bunker-buster” u përdorën në sulmin e së premtes. Të njohura gjithashtu si "municioni i depërtimit në tokë", këto raketa gërmohen thellë në tokë përpara se të shpërthejnë dhe peshojnë nga 900-1,800 kg secila. Konventa e Gjenevës nuk lejon përdorimin e tyre në zonat me popullësi të dendur.

Kush do ta pasojë Nasrallahun dhe si do të zgjidhet lideri?

Këshilli i Hezbollahut prej shtatë deri tetë anëtarësh, pritet të mblidhet për të vendosur se kush do ta drejtojë tani partinë. Hashem Safieddine, kreu i këshillit ekzekutiv të Hezbollahut, besohet të jetë sekretari i ri i përgjithshëm i grupit.

Si kreu i këshillit ekzekutiv, Safieddine mbikëqyr çështjet politike të Hezbollahut. Ai është gjithashtu anëtar i Këshillit të Xhihadit, i cili menaxhon operacionet ushtarake të grupit. Pas shpërthimeve të fundit të pagerit të Izraelit, Safieddine tha se Izraeli kishte nisur një "konfrontim të ri" dhe përgjigja ndaj sulmit do të ishte një "dënim special".

Si është përgjigjur Hezbollahu ndaj sulmeve të fundit?

Në një deklaratë të dhënë ditën e sotme, pasi konfirmoi vdekjen e Nasrallah, Hezbollah tha se do të vazhdojë operacionin e tij ushtarak në mbështetje të Gazës dhe mbrojtjes së Libanit. Pas njoftimit se Nasrallah ishte vrarë, Hezbollah nisi pesë sulme me raketa në veri të Izraelit.

A do ta dobësojë Hezbollahun vrasja e Nasrallahut?

Ndërsa Hezbollahu është goditur rëndë në një kohë të shkurtër, analistët thonë se nuk ka gjasa që grupi të dobësohet, pasi një udhëheqës mund të zëvendësohet me një tjetër ndërsa grupi ruan arsenalin dhe forcën e tij të madhe ushtarake. Bejruti konsiderohet të jetë "pika më e dobët" e Hezbollahut pasi aty janë ambasadat perëndimore dhe njerëzit që janë të lidhur me agjencitë e inteligjencës perëndimore.

Në përgjithësi, Izraeli nuk ka aftësinë për të mposhtur Hezbollahun ushtarakisht", tha Mohammad Marandi, një profesor në Universitetin e Teheranit, për Al Jazeera.

Analistët thonë se grupi tani përballet me zgjedhje strategjike mes një vakumi të përkohshëm drejtues dhe jo një goditje të plotë për mbijetesën e tij. "Hezbollahu nuk do të zhduket", tha Yezid Sayig, bashkëpunëtor i lartë në Programin Carnegie për Lindjen e Mesme.

Ekspertët besojnë se Hezbollahu ka bërë gabime të tjera që e kanë dobësuar në krahasim me Izraelin. “Gabimi i madh që ka bërë Hezbollahu është që i lejoi iranianët t'i përdorin”, tha Sulltan Barakat, profesor në Universitetin Hamad Bin Khalifa. “Hezbollahu ishte shumë efektiv kur ata luftuan për çlirimin e tokës libaneze për popullin e tyre. Megjithatë, vitin e fundit, Irani u ka dhënë pak mundësi për përdorimin e armëve, ndërkohë që grupi i ka bërë llogaritë gabim dhe ka harruar sesa është i gatshëm Izraeli të sulmojë jo vetëm popullin e Gazës, por edhe popullin libanez”, shtoi ai.

A është kjo një fitore për Izraelin?

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, përpara sulmeve të fundit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu drejtua anëtarëve me një mesazh: “Ne po fitojmë”.

Izraeli e quan këtë sulm shkatërrues ndaj Hezbollahut si një fitore të madhe për të. Ndërsa ekspertët mendojnë se Izraeli do të vazhdojë ofensivën. "Izraeli mendon se ka përparësi pas vdekjes së Nasrallah dhe do të donte të përfitonte nga situata", tha për Al Jazeera analisti Ali Rizk.

Suksesi i sulmit ndaj Hezbollahut mund të ndikojë gjithashtu opinionin publik të brendshëm në favor të Netanyahut, tha Mohamad Elmasry nga Instituti i Studimeve të Diplomuar në Doha. “Izraelitët që po kundërshtonin Netanyahun ishin kundër dështimeve të tij në Gaza, duke mos qenë në gjendje të eliminonin Hamasin dhe duke mos qenë në gjendje të sillnin pengjet në shtëpi, por gjithashtu nuk kundërshtuan kuftën”, shtoi Elmasry.

Megjithatë, Izraeli mund të mos arrijë domosdoshmërisht qëllimet e tij për eliminimin e rezistencës dhe krijimin e paqes. Në të kaluarën, sulmet e përshkallëzuara kanë funksionuar kundër tyre duke rritur më shumë rezistencë dhe kundërshtim ndaj Izraelit. Sipas Elijah Magnier, një analist ushtarak në Bruksel, një ofensivë e vazhdueshme do të kërkonte furnizim të vazhdueshëm me municion amerikan.

Në deklaratën e tij të parë pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, presidenti amerikan Joe Biden tha se Uashingtoni mbështet sulmet ushtarake të Izraelit dhe e cilësoi vrasjen e Nasrallah si "drejtësi" për ekzekutimin e qindra amerikanëve nga Hassan Nasrallah.

Si do të përgjigjet Irani?

Ndërsa vrasja e Nasrallah ka shtuar frikën për një përgjigje iraniane, ekspertët thonë se situata tashmë është delikate dhe duket një balancë mes qëndrimit kundër Izraelit dhe shmangies së një përhapjeje të luftës në rajon.

"Irani ndoshta nuk do të zgjedhë për një përshkallëzim të plotë", tha Rizk. Ai shtoi se ka gjasa që vendi vendi të vazhdojë qasjen e tij të zakonshme (të luftimit nëpërmjet përfaqësuesve, duke përfshirë aleatët në Irak dhe Jemen), përpara se të hyjë në ndonjë konfrontim të drejtpërdrejtë me Izraelin.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian në një deklaratë për vrasjen e Nasrallah tha se ky ekzekutim do të forcojë më tej rezistencën. Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar nuk do të harrojë se urdhri për këtë "sulm terrorist" është lëshuar nga Nju Jorku, duke iu referuar pranisë së Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të premten.

Presidenti iranian tha gjithashtu se SHBA nuk mund të mohojë bashkëpunimin në vrasjen e Nasrallah pasi ka furnizuar me armë dhe ndihmë ushtarake Izraelin që nga fillimi i luftës në Gaza gati një vit më parë./ Përshtati "Pamfleti", nga "Al Jazeera".

Lini një Përgjigje