Është e rrezikshme të nënvlerësohet Joe Biden, siç e ka theksuar me të drejtë republikani i linjës radikale Newt Gingrich. Biden mund të mburret me një ecuri ekonomike shumë të mirë të SHBA-së gjatë presidencës së tij...
Një kritikë e ashpër nga këshilltari i posaçëm republikan Robert Hur, ka sjellë në fokus moshën e presidentit Joe Biden dhe aftësitë e tij njohëse në rënie. Pas intervistimit të Biden, Hur e përshkroi atë si një “burrë me synime të mira, një të moshuar me një kujtesë të dobët”, të cilit i ishin “zvogëluar aftësitë tani në moshë të thyer”.
Ndërsa është relativisht i shëndetshëm për një burrë 81-vjeçar, pengesat në perspesktivë të Bidenit në të folur dhe humbjet e kujtesës po shqetësojnë shumë amerikanë. Nëse do të përshpejtohen simptomat e lidhura me moshën e Biden - edhe pse le të jemi të qartë, nuk ka asnjë arsye për të treguar se do të ndodhin vërtet - ai do të detyrohej të tërhiqej nga gara presidenciale e këtij viti. Atëherë, cilët janë demokratët më të spikatur që mund të zënë vendin e tij?
Gretchen Whitmer (52 vjeçe)
Guvernatorja e Miçiganit është një pragmatiste që vjen nga rajoni që etiketohet si “Brezi i Ndryshkut”. Ajo mbron kujdesin shëndetësor të grave dhe zgjerimin e Medicaid. Ndërsa po bashkëpunon me republikanët lokalë për një buxhet të balancuar të shtetit të saj dhe ka miratuar 900 projektligje dypartiake, ka refuzuar vazhdimisht uljen e taksave për të lehtësuar sadopak kostot në rritje të jetesës. Kur u pyet për aspiratat e saj presidenciale, Whitmer tha: “Unë kam ndërmend të shërbej 4 vjet si guvernatore”. Por të synosh të bësh diçka, nuk është njësoj si të thuash se nuk dëshiron ta bësh.
Dean Phillips (55 vjeç)
Phillips e ka lëshuar tashmë sfidën e tij. Ai është një kongresmen hebre nga Partia Demokratike e Minesotës. Babai i tij vdiq në Luftën e Vietnamit, ndërsa gjyshja e tij ishte kolumnistja e famshme e këshillave për lexuesit “Dear Abby”. Phillips beson fuqishëm në kufizimet e mandatit për Senatin dhe Gjykatën e Lartë. Ai është një centrist mbështetës i Biden, por kohët e fundit ka thënë për presidentin “Votuesit duan konkurrencë dhe jo një kurorëzim”.
Jared Polis (48 vjeç)
Polis është një politikan me përvojë të lartë që arrin rezultate. Miliarderi homoseksual nga Kolorado, nuk tërhiqet përballë kauzave delikate progresiste, dhe e ka përmirësuar infrastrukturën dhe qasjen në internet në të gjithë shtetin e tij. Megjithatë, Kolorado ka përdorim të lartë të drogës dhe shumë probleme të shëndetit mendor, ndonëse guvernatori është përpjekur të zbatojë disa programe për t'i luftuar ato. Polis e anashkaloi përgjigjen kur u pyet nëse do të kandidonte për president. Edhe pse një nga kompanitë e tij regjistroi emrin e domain-it JaredPolisforPresident.com.
Gavin Newsom (56 vjeç)
Newsom është një demokrat i qendrës. Ai mërziti shumë progresistë, kur ushtroi presion për të mbajtur hapur centralin e fundit bërthamor të shtetit të tij, dhe mbrojti programet e diskutueshme që i detyrojnë të pastrehët t'i nënshtrohen trajtimit për problemet e shëndetit mendor dhe abuzimit me substancat narkotike. Ai polemizon shpesh në Fox News, ku çdo deklaratë e tij zmadhohet shumë. Megjithatë, ai nuk është shumë popullor jashtë Kalifornisë. Publikisht ai mohon ambiciet presidenciale, por privatisht i ka ushqyer prej kohësh ato.
Kamala Harris (59 vjeçe)
Harris është e mirënjohur në nivel global. Qëndrimi i saj për të drejtat e abortit është popullor për gratë e të gjitha bindjeve politike. Brenda vendit, Harris ka qenë e qëndrueshme, por në momente vendimtare hezituese. Biden dyshohet se e ka quajtur atë “një punë në progres”,
me gjasë për shkak të paaftësisë së saj për të krijuar konsensus edhe brenda partisë së saj. Megjithatë, pritet që ajo të shpallë kandidaturën e saj. Kandidaturë që është një “mish-mash” që përfshin ose (të dyja palët) një grua me një burrë, ose një person të bardhë me një person me ngjyrë, Harris është në përzierje.
Andy Beshear (46 vjeç)
Duke ardhur nga një familje e mirë politike nga jugu i SHBA-së, Beshaer është një demokrat i moderuar që bashkëpunon shumë mirë me republikanët. Ndaj është e sigurtë se ai do të merrte shumë vota nga shtetet e lëkundurat. Një pikë tjetër e fortë e tij është qëndrimi historikisht kritik ndaj industrisë farmaceutike teksa mbështet reformat në kujdesin shëndetësor dhe atë të pensioneve. Nga ana tjetër, demokratë progresistë mund të kundërshtojnë konservatorizmin e tij relativ. Beshear i ka thënë publikisht jo kandidimit, por demokratët e Kentakit e citojnë atë si një pretendent për të zëvendësuar Biden në rastin e një zhvillimi të papritur.
Wes Moore (45 vjeç)
Veterani i luftës i zgjedhur së fundmi guvernator i shterit të Maryland-it, ka një qasje të fortë në lidhje me çështjet sociale si strehimi dhe arsimi. Por pengesë për të është mungesa e një profili kombëtar, ndaj disa do ta shohin atë thjesht si elitistin urban të radhës.
Ai ende nuk e ka provuar veten në përballje me problemet e vazhdueshme të krimit në qytetin më të madh të këtij shteti, Baltimora. Moore nuk ka shpallur interes për të qenë një kandidat në presidencialet, por burime brenda Konventës Kombëtare të Partisë Demokratike po flasin tashmë për të si një kandidat të ardhshëm.
Të gjithë këta kandidatë potencialë do të garojnë në kushtet e një ekonomi në rritje, duke iu kundërvënë diktaturave në Kinë dhe Rusi, dhe duke lobuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut, veçanërisht ato të grave dhe homoseksualëve. Kandidati më i fortë nga republikanët mbetet ende ish-presidenti Trump (77 vjeç) që po përballet paralelisht me disa çështje gjyqësore.
Në këtë fushatë ai do të luajë sërish me pikat më të forta të krahut të djathtë: inflacioni, kriminaliteti, emigracioni dhe çështjet gjinore. Kandidatja tjetër republikane që mbetet ende në garë, Nikki Haley (52 vjeç) po e distancon veten nga Trump, bazuar në rininë e saj dhe apelin drejtuar votuesve më të rinj.
Megjithatë, ajo e ka shumë të vështirë të fitojë mbështetjen e një pjese të bazës së mbështetësve të Tump. Sigurisht, është e rrezikshme të nënvlerësohet Joe Biden, siç e ka theksuar me të drejtë republikani i linjës radikale Newt Gingrich. Biden mund të mburret me një ecuri ekonomike shumë të mirë të SHBA-së gjatë presidencës së tij./Përshtati Pamfleti nga “The Hill”
Lini një Përgjigje