“Nga të gjithë bosët e drogës me të cilët kam pasur marrëdhënie biznesi, El Chapo ishte ndoshta më i vështiri”- më thotë Margarito Flores. Me kalimin e viteve, Flores dhe vëllai i tij binjak, Pedro, shpërndanë 60 ton kokainë, heroinë dhe met kristal, nëpër Amerikë në emër të kartelit famëkeq meksikan Sinaloa të drejtuar nga Joaquín “El Chapo” Guzman.
Por në vitin 2008, binjakët u kthyen kundër mbretit meksikan, duke ndihmuar për ta vënë atë pas hekurave. I njohur si J (një shkurtesë për Junior), Flores është sot 42 vjeç, por duket më i ri. I pëlqen të flasë shumë, duke kaluar nga detajet mbi mënyrat që përdorte për trafikun e drogës deri tek librat e shumë që lexoi në burg.
Ai njeh botën e fshatit të vogël të Chikagos ku lindi, dhe qytetin e vogël Zacatecas në Meksikë, nga e ka origjinën babai i tij. Edhe pse nuk ka një qëndrim agresiv dhe nuk u dënua për dhunë, Flores ka pasur një rol kyç në rrjetet që kanë sjellë shumë lëndë narkotike në Amerikë dhe që kanë mbytur në gjak Meksikën.
Trafikantët meksikanë të drogës nuk do të kishin vënë pasurinë e tyre të madhe pa bashkëpunëtorët e tyre në SHBA-së që e transportonin në veri të lumit. “Chapo ose Mayo ose Arturo nuk mund të bënin atë që bënim ne në Shtetet e Bashkuara”- thotë Flores. Në fakt, binjakët përfituan më shumë nga qyteti i tyre i lindjes, Çikago, sesa nga bosët e drogës në jug të kufirit.
Flores nuk e zgjodhi atë botë. Ai lindi brenda saj. Kur nëna e tij ishte shtatzënë me të në vitin 1981, babai i tij u burgos pasi u kap me 11 kilogramë heroinë. Ai dhe Pedro u rritën me një vëlla më të madh, që më vonë u bë një nga drejtues e bandës Latin King, si dhe një trafikant i madh droge.
“Unë nuk kam pasur një fëmijëri normale si ti. Vëllezërit e mi ishin pjesë e organizatës kriminale më të dhunshme në Chikago, Latin Kings…Unë u rrita në atë lloj kulture”- rrëfen më tej ai. Kur babai i tij doli nga burgu, u tërbua nga ajo që po shihte tek fëmijët e tij.
Ai ishte një trafikant i vjetër i shkollës së vjetër nga Zacatecas, dhe i ndalonte binjakët nga ajo që ai e shihte si jetën e vrazhdë e bandave të rrugës. “Kjo ishte një kontradiktë e çuditshme. Pasi ai ishte në burg me ta. Por nuk e kuptonte sjelljen e tyre”- shprehet Flores. Ndërkohë, ideja më elegante e babait të tyre ishte t'i çonte binjakët në Meksikë për të blerë marijuanë dhe për ta çuar atë në Çikago.
Në udhëtimin e tyre të parë, në moshën 7-vjeçare, ata ndihmuan në fshehjen e kanabisit në serbatorin e makinës. Gjatë viteve që pasuan, ata mësuan se si të gjenin plantacione marijuane në male dhe të negocionin me shitësit. “Babai im kujdesej që të na prezantonte me të gjithë dhe që ne t'i trajtonim të gjithë me respekt”- kujton Flores.
Kur ata ishin 12 vjeç, babai i tyre u arratis në Meksikë. Ndërkohë binjakët u rikthyen në Chikago për të jetuar me vëllain e tyre të madh dhe për ta ndihmuar në trafikimin e drogës. Pasi edhe ai përfundoi në burg, ata filluan që të bënin marrëveshjet e tyre me ndërmjetësit e kartelit Sinaloa në Chikago.
Kur ishin 17-vjeç, arritën marrëveshjen e tyre të parë, për 30 kilogramë kokainë. Ndërsa në të 20-at, transportonin më shumë se një ton drogë në muaj dhe fitonin miliona dollarë. Fakti që binjakët u ngritën kaq shpejt në rangun e botës së krimit, ishte pjesërisht falë arsimimit të tyre, që i vendosi ata në një pozicion të veçantë në lidhjen midis bosëve të drogës në Meksikë me bandat që shisnin drogë në rrugët e SHBA-së.
Ata i njihnin të dy botët, por nuk ishin pjesë e asnjërës. Në vend të kësaj, e stiluan veten si biznesmenë. Kjo i ndihmoi që të kishin një arsimim më të mirë se shumica e trafikantëve. Edhe gjatë trafikimit gjatë viteve të adoleshencës, Margarito kishte marrë një diplomë të shkollës së mesme ndërsa Pedro kishte ndjekur disa semestra.
Në këtë biznes, truri është i rëndësishëm. “Trafikimi i drogës nuk është diçka e lehtë. Burgjet janë plot me trafikantë të dështuar droge. Edhe varrezat janë të mbushura me trafikantë të dështuar të drogës”- thekson ai. Flores shpjegon më tej se qarkullimi i drogës në Amerikë ka të bëjë me drejtimin e një operacioni logjistik të qetë.
Karteli ka nevojë që droga të dorëzohet sa më shpejt dhe që pagesa të kryhet po shpejt. Trafikantët që janë të ngadaltë në lëvizjen e ngarkesave dhe e ngatërrojnë pagesën janë edhe ata që vriten. Për fatin e tyre binjakët ishin të pasionuar pas kësaj pune. Ata kujdeseshin për çdo detaj, dhe ndërtuan një rrjet shoferësh kamioni, baza të fshehta, dhe më e rëndësishmja, të makinerive për numërimin e parave.
Ndërkohë, mbanin në vëmendje luhatjen e çmimeve të kokainës në qytete të ndryshme, njëlloj si ndërmjetësit që vëzhgojnë çdo ditë zhvillimet në bursë. Meqë çmimet janë më të larta në veri, ata fituan shumë duke shpërndarë drogën në verilindje të SHBA-së dhe në Kanada. Megjithatë, fitimi i besimit të lojtarëve kryesorë në këtë trafik nuk ishte aspak i lehtë. Në fillim të vitit 2005, një bashkëpunëtor i El Chapo e rrëmbeu Pedro dhe e mbajti atë për më shumë se dy javë, pothuajse duke e vrarë nga uria. Flores shkoi në male, ku negocioi me sukses me El Chapo-n për lirimin e Pedro-s, edhe pse u detyrua të shlyente një borxh që ishte shkaktuar nga vetë njeriu i El Chapo-s.
Përfundimisht, binjakët morën miratimin e El Chapo për të blerë kokainë direkt nga rrethi i brendshëm me një çmim më të lirë. Kjo do të rriste sasinë e trafikimit të drogës në më shumë se 3 tonë në muaj dhe deri në 10 milionë dollarë fitim. Ai kujton me respekt bosin e vjetër të kartelit El Mayo (Ismael Zambada) por edhe Arturo Beltrán Leyva, i njohur me nofkën Barbas (Mjekra), tejet i dhunshëm.
Një gangster tjetër me një reputacion të keq ishte El Mencho ose Nemesio Oseguera Cervantes. Në vitin 2008, këta bosë të Sinaloas nisën një luftë të përgjakshme midis njëri-tjetrit. Përplasja kryesore ishte midis Beltrán Leyva dhe El Chapo, Mjekra kundër Shkurtabiqit.
Binjakët u urdhëruan të zgjidhnin midis El Chapo dhe Beltrán Leyva. Por në atë moment ata kishin nisur të bashkëpunonin me DEA-n amerikane. Ndaj u përpoqën që të luanin me 2 porta duke shpresuar të mblidhnin prova për të dy. “Ishim të kërcënuar nga dy kartelet më të fuqishme e më të dhunshme në botë”- kujton Flores.
Ai përlotet kur e përshkruan vendimin e tyre për të bashkëpunuar me autoritetet amerikane. Ai e kuptoi se rruga që po ndiqte do ta çonte vetëm drejt vdekjes. Një ditë pata një ndriçim shpirtëror. Ndihesha sikur doja të bëja diçka të mirë për familjen time”- shprehet ai. Me shpërthimin e luftës civile, binjakët filluan të regjistronin bisedat e tyre me trafikantët.
Rreziku për t'u kapur duke gërmuar ishte i madh, por ata dinin si të mbuloheshin. Në fund realizuan 54 përgjime. Në një rast biseduan në telefon me El Chapon. Për ta joshur, Pedro rinegocioi çmimin e një serie heroine që e kishin marrë tashmë në dorëzim. “Zakonisht në trafikun e drogës nuk ndodh diçka e tillë”- kujton ai.
Më 30 nëntor 2008, binjakët u futën në paraburgim dhe u kthyen nga jeta e një narko-trafikanti milioner në dëshmitarë. Bashkëpunimi i tyre çoi në një padi kundër të gjithëve: Chapo, Mayo, Beltrán Leyva, djemve dhe vëllezërve, madje edhe anëtarët e vetë organizatës së binjakëve në Chikago. Ata kaluan vite vetëm në burg, të veçuar për sigurinë e tyre.
Më pas në vitin 2018, Pedro dëshmoi kundër El Chapos në gjyqin e tij në Brooklyn. Si shpërblim, vëllezërit u dënuan me 12 vite burgim në vend të burgimit të përjetshëm. Të paktën, thotë Flores, jemi gjallë dhe mund të jemi baballarë dhe bashkëshortë. Që nga lirimi nga burgu, ai është përpjekur të ndryshojë jetën e tij.
Po u jep leksione organeve të zbatimit të ligjit në lidhje me funksionimin e brendshëm të karteleve me një grup të quajtur Trajnimi Dinamik i Policisë dhe dëshmoi përpara “Task Forcës së Kongresit për të luftuar kartelet meksikane të drogës”, të kryesuar nga kongresmeni Dan Crenshaw. “Vëllai im dhe unë jemi duartrokitur gjithmonë për keq, ndaj tani më vjen mirë që shkoj për të kontribuuar në forcat e rendit. Aty ku marr një përqafim apo një shtrëngim duarsh apo një ovacion me duartrokitje. Dhe ata më thonë 'Faleminderit'”./Përshtati Pamfleti nga “Unherd”
Lini një Përgjigje