Një zyrtar i lartë i Hamasit thotë se vetëm një numër i vogël i komandantëve të lartë brenda Gazës e dinin për inkursionin e gjerë të nisur në Izrael, por se aleatët si Irani dhe Hezbollahu libanez "do t'i bashkohen betejës nëse Gaza i nënshtrohet një lufte asgjësimi".
Ali Barakeh, një anëtar i udhëheqjes në mërgim të Hamasit, foli për Associated Press në zyrën e tij në Bejrut ndërsa Izraeli bombardonte Gazën dhe u zotua për një bllokadë totale të territorit të sunduar nga Hamasi.
"Vetëm një pjesë e vogël e komandantëve të Hamasit e dinin për orën zero.", thotë Barakeh, duke shtuar se askush nga komanda qendrore apo byroja politike e Hamasit nuk ishte në kryeqytetin libanez javën e kaluar.
Ai pranon se Irani dhe grupi militant Hezbollah i Libanit e kanë ndihmuar Hamasin në të kaluarën, por tha se që nga lufta e Gazës në vitin 2014 Hamasi ka prodhuar raketat e veta dhe ka trajnuar luftëtarët e vet.
Ndërkohë Izraeli ka siguruar kufirin me Gazën pasi militantët thyen barrierën në disa vende të ndryshme të shtunën.
Asnjë militant nuk ka kaluar gardhin sipas ushtrisë izraelite gjatë ditës së kaluar.
Izraeli këshilloi njerëzit që të largohen nga Gaza nëpërmjet pikës që kontrollohet nga Egjipti. Më vonë, po të njëjtët thanë se pika e kalimit është e mbyllur.
Rreth 900 veta kanë humbur jetën në Izrael që prej sulmeve të së shtunës. 260 prej tyre janë pjesëmarrës në një festival muzikor. Ushtria izraelite thotë se ka gjetur trupat e 1500 militantëve. Ndërkohë në Gaza janë vrarë nga sulmet ajrore 690 persona.
Lini një Përgjigje