TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Qershor 2024, 14:18

Ish-presidenti iranian Ahmadinejad, në garë për të pasuar Ebrahim Raisin

Shkruar nga Pamfleti

Ish-presidenti iranian Ahmadinejad, në garë për të pasuar

Ish-presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinejad, i është bashkuar një liste kandidatësh në garën presidenciale të këtij muaji, për të zëvendësuar të ndjerin Ebrahim Raisi, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar nga rrëzimi i helikopterit në afërsi të kufirit me Azerbajxhanin.

Ahmadinejad njoftoi më 1 qershor se do të garojë në zgjedhjet presidenciale, ndërsa mediat raportuan sot se 67-vjeçari dhe armiku i moçëm i reformistëve, është regjistruar për të kandiduar.

Ahmadinejad dhe kandidatë të tjerë të mundshëm nuk u lejuan të garonin kundër Raisit në zgjedhjet e vitit 2021 nga institucionet e vetingut, të cilat në mënyrë rutinore ua ndalojnë kandidatëve të moderuar dhe sfiduesve të tjerë pjesëmarrjen në zgjedhjet e kontrolluar në Iran.

Afati për regjistrim për zgjedhjet presidenciale të 28 qershorit mbyllet më 3 qershor.

Këshilli i Gardës prezanton listën përfundimtare të kandidatëve për president më 11 qershor, pasi procesi i vlerësimit të tyre të ketë përfunduar.

Para se të ndërronte jetë, Raisi shihej si pasardhësi i liderit suprem, 85-vjeçarit Ayatollah Khamenei, i cili ka pushtet themelor politik dhe fetar në bazë të sistemit klerik të Iranit.

Ahmadinejad shërbeu për dy mandate, mes viteve 2005 dhe 2013, ndërsa mandati i tij i dytë u mbizotërua nga protesta të mëdha për shkak të rizgjedhjes së tij të kontestueshme më 2009. Nga fundi i mandatit të tij, ai u duk i gatshme për ta sfiduar publikisht Khamenein.

Zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e tjera në Iran përshkruhen nga një pjesëmarrje e ulët në votim, e cila është përkeqësuar vitet e fundit, si pasojë e diskualifikimit të kandidatëve dhe luftës së pushtetit kundër mospajtuesve.

Grupet për të drejtat e njeriut janë ankuar për shtypje të lirisë së shprehjes në publik që kur Raisi, ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe disa të tjerë humbën jetën nga rrëzimi i helikopterit në veriperëndim të Iranit teksa po ktheheshin nga një vizitë zyrtare në Azerbajxhan.

Lini një Përgjigje