TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Qershor 2024, 22:19

Gjermania drejt koalicionit të madh SPD-CDU, e sakrifikuara do të jetë Ukraina

Shkruar nga Giuseppe Reguzzoni

 

Gjermania drejt koalicionit të madh SPD-CDU, e sakrifikuara do të
Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës, me kancelarin gjerman Olaf Scholz

Një gjë është e qartë, edhe pse mbetet e përmendur nga media: gjermanët nuk duan luftë, dhe e dinë shumë mirë se një konflikt i ri evropian do t’i shndërronte sërish në një fushëbeteje, diçka që ka ndodhur disa herë në histori.

Zgjedhjet evropiane në Gjermani sollën jo vetëm kolapsin e Partisë Socialdemokrate të kancelarit Olaf Scholz, por mbi të gjitha atë të të Gjelbërve. Nuk ka asnjë zonë në Evropë, ku ndjeshmëria ekologjike të jetë aq e rrënjosur dhe aq radikale sa në Gjermani, dhe më në përgjithësi në vendet gjermanishtfolëse.

Arsyet janë shumë të vjetra dhe lidhen kryesisht me trashëgiminë e romantizmit gjerman dhe traditat kulturore, ku natyra është hapësira në të cilën ndodhen qeniet njerëzore. Tek e fundit, lëvizja e Gjelbër ka lindur pikërisht në këtë vend, dhe për këtë arsye dhe është mirë të kujtojmë se ajo u themelua nga Herbert Gruhl, një politikan “konservator” dhe Kristian Demokrat.

Partia e Gjelbër që shohim sot, është rezultat i një sërë shkrirjesh, por mbi të gjitha i transformimit në një ideologji fluide, të imponuar nga hyrja masive e lëvizjes studentore të vitit 1968 dhe veçanërisht e një figure si Joschka Fischer duke nisur që nga viti 1980.

Të gjelbrit gjermanë nuk i humbën zgjedhjet, sepse gjermanët e humbën ndjeshmërinë e tyre ndaj çështjeve mjedisore. Arsyeja e vërtetë është lufta në Ukrainë. Shumë prej nesh e mbajnë ende mend sloganin e Luftës së Ftohtë që brohoritën në rrugën e Gjermanisë të Gjelbrit e asaj kohe:”Besser rot, als tot” (Më mirë të kuq, se sa të vdekur!”.

Në atë kohë, të Gjelbrit gjermanë kishin ndërtuar një program politik të përqendruar tërësisht në refuzimin e termocentraleve bërthamore dhe në garantimin e paqes “me çdo kusht”. Që nga ajo kohë, shumë ujëra ka rrjedhur nëpër Rin dhe Danub, dhe kursi politik i kësaj partie ka rezultuar të jetë po aq i ndryshueshëm sa rryma e dy lumenjve të mëdhenj.

Arsyet e humbjes së të Gjelbërve, duhet të gjenden tek mos mbajtja e një premtimi dhe tek tradhtia ndaj një pikënisje, ashtu siç arsyet pse elektorati i të rinjve shkoi diku tjetër, gjenden po këtu. Sot gati të gjitha partitë politike sot janë “të lëvizshme”, jo vetëm në Gjermani dhe po i përshtaten me shpejtësi nevojave të marketingut elektoral.

Megjithatë një minimum respekti në lidhje me historinë e tyre, duket ndonjëherë ende i nevojshëm. Annalena Baerbock, ka qenë shumë entuziaste në favor të një zgjidhjeje ekskluzivisht ushtarake të konfliktit ruso-ukrainas. Prandaj, nuk është për t’u habitur që elektorati gjerman ndëshkoi jo aq shumë të Gjelbrit dhe SPD-në, por vetë linjën e luftënxitësve.

Nuk është e lehtë ta deshifrosh deri në fund votën e gjermanëve. Sepse nuk është e lehtë as të deshifrosh Gjermaninë e sotme: një vend që nuk e do veten, dhe që nuk i ka kapërcyer ende pasojat e tmerrshme të nazizmit dhe Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, një gjë është e qartë, edhe pse mbetet e përmendur nga media: gjermanët nuk duan luftë, dhe e dinë shumë mirë se një konflikt i ri evropian do t’i shndërronte sërish në një fushëbeteje, diçka që ka ndodhur disa herë në histori. Edhe AfD-ja e ekstremit të djathtë është një parti fluide.

Ajo lindi si një forcë politike ultra-liberale (të paktën deri sa u largua nga skena Olaf Henkel), ndërsa sot po përjeton depërtimin e elementëve nacionalistë dhe të ekstremit të djathtë.

Por mbi të gjitha, sepse suksesi i AfD-së në këto zgjedhje mbështetja ndaj së cilës në mesin e votuesve më shumë pëshpëritet sesa thuhet me zë të lartë na kujton sukseset e Legës së Veriut në Itali lidhet me kërkesën për një minimum sovraniteti kombëtar, pikërisht për të mbrojtur paqen që perceptohet se është e kërcënuar si kurrë më parë.

Dhe ja ku vijmë tek pozita e vështirë e kancelarit Olaf Scholz. Pse nuk po vihet në diskutim vazhdimësia në detyrë e kancelarit? Ose më saktë: Pse nuk del asgjë në media mbi krizën që në mënyrë të pashmangshme po e lëkund fort shumicën qeverisëse “semafor” (liberalët-socialdemokratët-të gjelbrit)?

Në praktikë, për aq sa mundi, Scholz ishte shumë më pak luftënxitës sesa Ministrja e tij e Jashtme që vjen nga radhët e të gjelbërve. Ai u përpoq, me shumë kujdes, të pajtonte pozicionet e papajtueshme: atlantizmin e imponuar nga SHBA-ja me dëshirën e tij dhe të popullit gjerman për paqe.

Dhe në fund po dëgjojmë, me zë shumë të lartë, të thuhet se ka qëndrime që nuk mund të ndërmjetësohen. Në dallim nga Macron, Schloz nuk mund të vërë në dyshim, të paktën jo menjëherë, qeverinë e tij, pasi ai duhet t’i “bindet” një linje të imponuar nga jashtë.

Po ashtu, ai e di se mundësia e një paterice nga ana e CDU-CSU, përmes një forme të re të “Koalicionit të Madh” nuk mund të përjashtohet, sidomos nëse kjo do të kërkohet me ngulm nga Uashingtoni.

Por CDU-CSU, e cila ka mbledhur disa vota të tjera në zgjedhjet e fundit, e di se për të ndaluar avancimin e AfD-së, ajo duhet të pushojë së qeni një parti “e lëvizshme” dhe duhet të lobojë për të arritur paqen, ashtu siç veproi dikur Konrad Adenauer, kur punoi për rilindjen e Gjermanisë dhe themelimin e një Evrope të re./ Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiaro”.

Lini një Përgjigje