TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Maj 2025, 12:54

Gafat e Melonit po ia ulin kokën Italisë në skenën ndërkombëtare

Shkruar nga Giovanna Vitale
Gafat e Melonit po ia ulin kokën Italisë në skenën
Matteo Renzi dhe Giorgia Meloni /

Në një intervistë për të përditshmen italiane, kreu i partisë Italia Viva në opozitë, Matteo Renzi akuzon kryeministren Georgia Meloni se mendon vetëm për fotot dhe debatet me Macronin, ndërkohë që vendi mbetet e izoluar në skenën ndërkombëtare...

“Giorgia Meloni gënjen me vetëdije. Si në rastin kur mburret për ecurinë e ekonomisë, por që kundërshtohet nga të dhënat e ISTAT, ashtu edhe kur pretendon se ka një rol qendror në arenën ndërkombëtare, të cilin në fakt nuk e njeh asnjë nga fuqitë me peshë”.

Si ish-kryeministër i Italisë, Matteo Renzi, i sheh me habi lëvizjet e kryeministres aktuale. Sipas tij zhvillimet e 10 ditët e fundit, janë një përmbledhje emblematike e paaftësisë totale të kësaj qeverie dhe të kryeministres.

A mos janë të nxituara kritikat tuaja ndaj Melonit?

Faktet dhe të dhënat e rrëzojnë kryeministren dhe propagandën e saj mbi ekonominë dhe politikën e jashtme. Për këtë mjafton që t’i renditësh faktet.

Pra nuk është e vërtetë që ekonomia italiane po lulëzon?

Meloni gënjeu 2 ditë në parë në parlament, kur tha se nëse diferenca është nën 100 për qind, kjo do të thotë që obligacionet tona qeveritare konsiderohen më të sigurta se ato gjermane. S’ka nevojë të jesh i diplomuar në ekonomi për ta kuptuar që ky është një absurditet.

Por ajo e tha me një siguri të tillë në vetvete, sa që e duartrokitën të gjithë ministrat, përveç të ngratit Giorgetti, i cili mbeti i shtangur. Për të mos folur pastaj për të dhënat e ISTAT. Ato tregojnë se borxhi publik është rritur, varfëria po ashtu, teksa janë zgjatur listat e pritjes.

Dhe kjo në vitin 2024, jo 10 vjet më parë. Instituti Kombëtar i Statistikave, zyrtarët e lartë të të cilit emërohen nga qeveria, e hodhi poshtë të gjithë narrativën e Melonit, duke shtuar se pagat reale kanë rënë me 10.5 për qind në 5 vitet e fundit. Gjysma e kësaj kohe përkon me këtë qeveri. Pra e kundërta e asaj që ka pretenduar gjithmonë Meloni.

Po çfarë po ndodh me politikën e jashtme?

Ka rezultate akoma më të këqija. Zgjodhi të mos shkonte në Kiev për shkak të një zënke me Macronin. Pastaj e kuptoi se kishte bërë një gabim të madh, dhe u lidh online me pjesëmarrësit në takim. Pas kësaj, në samitin e Tiranë ishte aq e hutuar saqë nuk mori pjesë takimin e ngushtë të grupimit “të të vullnetshmëve”, duke preferuar maskaradën me Edi Ramën.

Pastaj doli para gazetarëve për t’u thënë një gënjeshtër sensacionale: që nuk mori pjesë, sepse atje po diskutohej për dërgimin e trupave evropiane në Ukrainë. Një turpërim më përmasa globale.

Ndoshta mendoi se kolegët e saj nuk do të guxonin ta kritikonin?

Ajo e bëri këtë deklaratë në orën 18:45 të pasdites, pikërisht në kohë për lajmet e mbrëmjes, e bindur se asnjë nga udhëheqësit ndërkombëtarë nuk do ta vinte re. Por gjërat nuk funksionojnë kështu. Jo kur në lojë janë negociata delikate, si ajo për paqen në Ukrainë.

Dhe në fakt, atë sjellje e vuri re Macron, që i dha një shuplakë morale, të cilën më vonë ia dha edhe Merz. Në politikën e jashtme nuk mund t’i thuash të gjitha, është e kundërta. Unë shpresoj që ajo ta ketë nxjerrë mësime nga këto gafa.

A i rikthen Italisë kjo sjellje imazhin e një vendi të pabesueshëm?

Po, rikthen imazhin e një Italie të qeverisur nga një gënjeshtare, që në një përpjekje për t’u rikuperuar sadopak veten nga gafat e mëparshme, organizoi një samit midis J.D.Vance dhe Von der Leyen, të cilët ishin në Romë për inaugurimin e Papës së ri.

Meloni e shfrytëzoi këtë rast, duke thënë edhe një gënjeshtër tjetër: që ishte takimi i parë midis të dyve, ndërkohë që ata ishin takuar në Paris, në samitin mbi Inteligjencën Artificiale, të cilin Meloni e kishte bojkotuar për shkak të antipatisë së hapur që ka ndaj Macron.

Por lidhja e saj me Trump është e pamohueshme, a nuk mund të jetë e dobishme ajo për Evropën?

Një tjetër përrallë. Trump nuk ka nevojë për ndërmjetës. Ai flet me cilindo që dëshiron. Ai bëri marrëveshje me presidentin e ri sirian, Ahmed Al Sharaa, ish-udhëheqës i një dege të Al-Kaedës, me rebelët Huthi në Jemen dhe me Korenë e Veriut. Dhe ju mendoni se i duhet Meloni që të bisedojë me BE-në?

E vërteta është tjetër: kryeministrja po përpiqet të gjejë një rol për veten, sepse nuk di çfarë të bëjë. Duke qenë larg të qenit një urë lidhëse midis dy anëve të Atlantikut, ajo është ura lëvizëse e Italisë. Na ka izoluar në Evropë, e ka vendosur Italinë në periferi të gjithçkaje.

Ndërkohë falë Trumpit, kryeministrja është rikthyer tek “Të vullnetshmit”...

Po, sepse e vetme nuk do të kishte pasur sukses. Për shkak të piruetave të saj, Polonia e ka zënë tashmë vendin e Italisë në grupin kryesor të BE-së. Shtetet e Bashkuara kanë nisur një sfidë ekzistenciale ndaj rendit botëror aktual, ato janë larguar nga përgjegjësia e udhëheqjes së Evropës dhe janë zëvendësuar nga Tusk. Për Melonin, është më mirë të shfaqesh fotozhenik në ceremonitë zyrtare, sesa të jesh në vendet ku merren vendime.

Megjithatë, i telefonoi Papa Leonit XIV për t’i propozuar që të organizonte takimin Putin-Zelensky në Vatikan...

Po. Por kjo nuk është ideja e saj. Atë e kishin propozuar tashmë Parolin dhe Zuppi, më pas e përsëriti Leoni XIV kur bëri apelin  - “Lërini armiqtë të flasin me njëri-tjetrin” - i cili u pranua menjëherë nga Trump.

Tani Meloni po përpiqet të ketë një protagonizëm të caktuar. Ajo po tenton të marrë përsipër diplomacinë e Vatikanit, pa pasur asnjë diplomaci të sajën. Por thellë-thellë unë e kuptoj: nëse vazhdon të mbështetet tek Antonio Tajani, do të jetë në telashe serioze./Pamfleti nga “La Repubblica”

gafat e melonit matteo renzi ulin kokën e italisë

Lini një Përgjigje