
Policia turke ka sekuestruar sasinë e tretë më të madhe të kokainës në historinë e vendit, ka njoftuar ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.
Grupet që monitorojnë krimin e organizuar, paralajmëruan se Turqia po shndërrohej në një pikë hyrjeje për drogën që arrinte në Evropë.
Mësohet se autoritetet kanë sekuestruar përafërsisht 608 kg kokainë, shumica e saj në formë të lëngshme. Sipas ministrit, lënda narkotike u konfiskuan në një operacion në tre provinca, gjithashtu u sekuestruan rreth 830 kg lëndë kimike pararendëse të përdorura për përpunimin e drogës.
Yerlikaya tha se operacioni i policisë kishte në shënjestër një bandë ndërkombëtare që dyshohet se drejtohej nga një shtetas libanezo-venezuelian, i cili ishte midis katër anëtarëve të huaj të grupit të krimit të organizuar të ndaluar, së bashku me nëntë turq.
“Sasia e kokainës së kapur në operacionin … ishte sasia e tretë më e madhe e kokainës e kapur në një kohë në Turqi ,” tha ministri.
Grupet që monitorojnë krimin e organizuar thonë se Turqia po rritet si një qendër tranziti për kokainën që vjen nga Amerika e Jugut në Evropë, ndërsa siguria në portet si Roterdami në Holandë bëhet më e fortë.
Në një raport të datës tetor të vitit të kaluar, Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional tha se një rritje prej 44% e konfiskimeve të kokainës në Turqi midis 2021 dhe 2022 nuk u reflektua në të dhënat për konsumin e brendshëm, “duke sugjeruar se vendi ka të ngjarë të shërbejë si korridor për trafikimin e drogës”.
Lini një Përgjigje