
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, njoftoi sot se agjencia federale ka parandaluar një "sulm terrorist të mundshëm" të planifikuar për të ndodhur në Michigan gjatë fundjavës së Halloween-it, duke arrestuar disa individë të dyshuar.
"Këtë mëngjes, FBI-ja parandaloi një sulm të mundshëm terrorist dhe arrestoi disa individë në Michigan, të cilët dyshohen se planifikonin një sulm gjatë fundjavës së Halloween-it", deklaroi Patel në një postim në rrjetet sociale.
Kreu i policisë federale nuk dha detaje të mëtejshme mbi identitetin e të arrestuarve ose natyrën e saktë të planit, por theksoi se operacioni ka qenë i suksesshëm për të mbrojtur sigurinë publike. Sipas raportimeve nga CBS News, duke cituar burime policore, sulmi ishte "i frymëzuar" nga Shteti Islamik (ISIS). Rrjeti televiziv amerikan specifikoi se pesë persona, të moshës midis 16 dhe 20 vjeç, u arrestuan në qytetin e Dearborn-it, në periferi të Detroit-it.
Të paktën një nga të arrestuarit kishte lidhje me një ish-anëtar të Gardës Kombëtare të Michigan-it, i cili u arrestua në maj të këtij viti me akuzën e planifikimit të një sulmi terrorist ndaj objekteve ushtarake amerikane në zonën metropolitane të Detroit-it.
FBI-ja kishte monitoruar një diskutim online në lidhje me këtë sulm për njëfarë kohe, sipas mediave amerikane. CNN raportoi se anëtarët e grupit kishin marrë trajnim me armë automatike, si AK-47, dhe kishin folur për "Ditën e Kungullit", një referencë simbolike ndaj Halloween-it, si datë e zgjedhur për sulmin. Këto biseda online ishin thelbësore për zbulimin e komplotit nga autoritetet federale.
Policia e Dearborn-it konfirmoi arrestimet në një postim në Facebook, duke u siguruar banorët se nuk ka kërcënim aktual për popullsinë.
"Ne i sigurojmë banorët e qytetit tonë se aktualisht nuk ka asnjë kërcënim për popullsinë", thuhet në deklaratën zyrtare të policisë së qytetit, i cili ka një komunitet të madh mysliman dhe ndodhet në një zonë të ndjeshme gjeografikisht.
Lini një Përgjigje