Detajet e plota të skemës korruptive dhe kush është Andrii Yermak, krahu i djathtë i Zelenskyt
Ukraina është përfshirë nga një krizë e thellë politike pas shpërthimit të një skandali të madh korrupsioni që ka tronditur qeverinë e Volodymyr Zelenskyyt dhe ka sjellë dorëheqjen e shefit të kabinetit presidencial, Andrii Yermak.
Hetimi, i quajtur “Mida”, po zhvillohet nga Byroja Kombëtare Antikorrupsion dhe Prokuroria Speciale dhe ka në qendër biznesmenin Timur Mindich, një figurë e njohur për lidhjet e tij të hershme me Zelenskyn, kur presidenti aktual ishte ende aktor dhe producent televiziv. Mindich dyshohet se ka drejtuar një skemë rryshfetesh me vlerë mbi 75 milionë paund, të lidhur me kontratat e ndërmarrjes shtetërore të energjisë bërthamore.
Sipas hetuesve, për vite të tëra janë përvetësuar rreth 15% të vlerës së kontratave, shifra marramendëse që kanë ekspozuar korrupsion të thellë në nivelet më të larta të administratës ukrainase.
Zbulimi i aferës ka çuar në goditje të rënda politike: ministrat e Drejtësisë dhe Energjisë dhanë dorëheqjen dhe u shkarkuan nga parlamenti, megjithëse mohuan çdo shkelje. Shtatë persona janë vënë nën akuzë, ndërsa dy prej tyre janë ende në arrati. Hetuesit kanë publikuar edhe përgjime ku të dyshuarit i referohen një figure të quajtur me nofkë “Ali Babà”, që sipas tyre do të ishte një figurë shumë e fuqishme brenda presidencës. Pikërisht këtu përfshihet emri i Andrii Yermakut, edhe pse ai nuk është akuzuar formalisht për asnjë shkelje.
Mëngjesin kur agjentët e Nabu-s dhe Sapo-s mbërritën në shtëpinë e tij në rrugën qendrore të Kievit për një kontroll të plotë, Yermak tha se ishte i përgatitur për bashkëpunim, por as vetë ai nuk mori një shpjegim të qartë se çfarë kërkohej. Megjithatë kontrolli i banesës se tij, në një moment kaq kritik, u pa si shenja e fundit e dobësimit të tij politik.
Yermak, i quajtur shpesh nga mediat “kardinali gri” i Ukrainës, ishte njeriu më i fuqishëm në Kiev pas Zelenskyyt. Me një karrierë të nisur larg politikës, fillimisht si avokat dhe më pas si producent kinematografik, ai u bë këshilltar i ngushtë i Zelenskyyt në vitin 2019 dhe shumë shpejt u ngjit në postin e shefit të kabinetit, duke marrë kontroll mbi kanalet diplomatike, çështjet e sigurisë dhe strategjinë e brendshme të luftës.
Në shumë raste ai shihej si përfaqësuesi real i presidentit në tryezën e negociatave ndërkombëtare dhe njeriu që vendoste ritmin e komunikimeve mes Kievit dhe aleatëve perëndimorë. Gjatë luftës, ishte gjithmonë në krah të Zelenskyyt, madje edhe në videon e famshme të natës së parë të pushtimit rus, ku presidenti deklaroi se “ne jemi të gjithë këtu”.
Megjithatë, ndërsa skandali i korrupsionit thellohej, pozita e Yermakut dobësohej dita-ditës. Dy nga zëvendësit e tij ishin larguar më herët pas dyshimeve për keqpërdorime financiare dhe një i tretë ishte i hetuar për rryshfete. Brukseli dhe Washingtoni, të shqetësuar se kjo çështje po dëmtonte besueshmërinë e Ukrainës në momentin kur vendi po kërkon të forcojë marrëdhëniet me BE-në dhe të mbajë mbështetjen amerikane, ushtruan presion për një pastrim të plotë të institucioneve. Deputetë ukrainas pohonin prej kohësh se Yermak ishte bërë “shumë i rëndë për qeverinë” dhe se prania e tij po ndikonte negativisht në negociatat e paqes. Anketat publike tregonin se rreth 70% e qytetarëve kërkonin largimin e tij.
Në fund Zelensky u detyrua të pranonte dorëheqjen, duke e falënderuar publikisht Yermakun për punën e bërë dhe duke theksuar se ai gjithmonë kishte mbrojtur pozicionin e shtetit. Por dorëheqja e tij ndodhi në momentin më të papërshtatshëm: Ukraina po hyn në fazën më delikate të bisedimeve me SHBA-në, ndërsa Rusia po përpiqet ta shfrytëzojë dobësinë e brendshme të Kievit. Tani Zelensky duhet të gjejë një zëvendësues të ri, ndërkohë që përkohësisht rolet kryesore në negociata po mbahen nga një grup zyrtarësh të rangut të lartë, mes të cilëve Rustem Umerov, i emëruar së fundi si drejtues i delegacionit ukrainas.
Kombinimi i skandalit të korrupsionit dhe largimit të njeriut më të afërt me presidentin ka krijuar boshllëkun më të rrezikshëm të pushtetit që nga nisja e luftës. Megjithatë disa analistë e shohin këtë si shans për Ukrainën që të tregojë para partnerëve perëndimorë se është e gatshme të pastrojë korrupsionin në nivelet më të larta dhe të përmbushë standardet e kërkuara nga BE-ja. Për Zelenskyn, sfida kryesore tani është ruajtja e unitetit të brendshëm: ai paralajmëroi se përçarja në këtë moment mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e vendit dhe për vetë rezultatin e luftës.
Në këtë klimë të paqartë, skandali që nisi me kontrata energjetike është shndërruar në një çështje që prek drejtpërdrejt kahun e djathtë të presidentit, duke vënë në pikëpyetje stabilitetin e qeverisë dhe gatishmërinë e Ukrainës për të përballuar presionet e brendshme e të jashtme. Çdo vendim i ardhshëm do të peshohet me kujdes nga aleatët perëndimorë, të cilët e shohin këtë çështje si test të vendosmërisë së Kievit për reformë në një moment historik. /Përgatiti “Pamfleti”
Lini një Përgjigje