TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Prill 2025, 14:30

Erdogani po përgatitet të nisë luftën ndaj Izraelit

Shkruar nga Reuel Marc Gerecht
Erdogani po përgatitet të nisë luftën ndaj Izraelit
Reccep Tayip Erdogan

Në fakt, Turqia po shfaqet si rreziku më i madh për shtetin hebre në Lindjen e Mesme, duke e përshkallëzuar kërcënimin e një konflikti, që ai nuk do të jetë në gjendje ta shmangë.

Republika Turke është në prag të humnerës. Ndërsa sulltani i saj, Recep Tayyip Erdogan, po e çmonton demokracinë laike të vendit, presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka vënë re atë. Megjithatë shumë shpejt Trump s’do të ketë zgjidhje tjetër veçse t’i kushtojë vëmendje.

Sepse ndërsa Erdogan po e konsolidon pushtetin në vend dhe përgatitet ta projektojë atë edhe jashtë vendit, ka krijuar terrenin për një përplasje ushtarake me Izraelin. Në fakt, Turqia po shfaqet si rreziku më i madh për shtetin hebre në Lindjen e Mesme, duke e përshkallëzuar kërcënimin e një konflikti, që ai nuk do të jetë në gjendje ta shmangë.

Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) i kanë nënshtruar kundërshtarët e tyre liberalë, kanë blerë shumicën e medias turke, e kanë spastruar dhe reformuar ushtrinë turke - sidomos pas shtypjes së një përpjekjeje për grusht shteti në vitin 2016 - dhe kanë riorganizuar shërbimet sekrete.

Muajin e kaluar, ai arrestoi me akuzën e rreme si terrorist rivalin më të fuqishëm politik me të cilin është përballur që kur u bë kryeministër në vitin 2003: kryetarin e bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu. Madje i hoqi edhe diplomën universitare, duke e bërë teorikisht të papërshtatshëm për të kandiduar për president.

Në vend shpërthyen shumë protesta, të cilat u shua gradualisht, teksa regjimi tregoi edhe njëherë fytyrën  tij brutale duke arrestuar qindra demonstrues. Erdogan duket i gatshëm të përdorë fuqinë e tij në rritje në shërbim të qëllimeve të tij imperialiste.

Ai e ka shkrirë nacionalizmin turk dhe islamizmin, me synimin e rindërtimit të Perandorisë Osmane, duke përmbysur kursin që vendosi dikur Kemal Atatürk, themeluesi i republikës turke. Ataturku e farkëtoi shtetin modern turk nga rrënojat e Perandorisë Osmane, duke e fokusuar identitetin turk tek kombi dhe jo tek besimi fetar.

Ajo që e shtyn Erdoganin në këtë rrugë, është një lloj ëndrre neo-otomane, duke u sjellë në rolin e një kalifi ose siç thoshte dikur “shërbëtori të Sheriatit”. Pavarësisht kundërshtimit të brendshëm ndaj sundimit të tij, Erdogan ka një rrugë të besueshme drejt kësaj ambicie.

E vërteta është se shumë turq, madje edhe ata laikë, kanë një dashuri për të kaluarën perandorake të vendit të tyre, kur turqit i frikësoheshin pushtuesve dhe jo emigrantëve që kërkojnë punë në vendin e tyre. Planet madhështore të Erdoganit, duket se përfshijnë pozicionimin e tij si mbrojtësi kryesor i botës myslimane dhe lideri i anti-sionizmit.

Presidenti turk ka pritur vazhdimisht për vizita zyrtare liderët e Hamasit, dhe i ka etiketuar si një “grupim çlirimtar” arkitektët e sulmit të 7 tetorit 2023. Në fund të muajit të kaluar, thuhet se tha para një turme adhuruesish në xhaminë më të madhe të Turqisë:“Allahu e shkatërroftë Izraelin!”.

Duke u kthyer kundër Izraelit dhe pro Hamasit, Erdogan po drejton dhe përdor një valë anti-sionizmi dhe antisemitizmi që është ngritur në Turqi të paktën që nga vitet 1980, veçanërisht në të majtën laike. Gjithsesi, riorganizimi i Erdoganit përbën një përmbysje të jashtëzakonshme të historisë së mëparshme të vendit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Turqia ishte vendi më pro-perëndimor me shumicë myslimane në botë. Ajo e njohu Izraelin si shtet që në vitin 1949 - kombi i parë mysliman që e bëri këtë - dhe është anëtare e NATO-s që nga viti 1952. Por aleanca e Turqisë me Perëndimin është prej kohësh e trazuar.

Gjatë 20 viteve të fundit, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se Turqia nuk është e mirëpritur në bllok. As SHBA-ja dhe Evropa, nuk i kanë qëndruar në krah Ankarasë kundër grupeve kurdë, për të cilat ajo beson se e kërcënojnë integritetin e saj territorial në juglindje të vendit.

Ndërkohë, Erdogan e ka cilësuar Perëndimin si një promovues të vlerave, që myslimanët tradicionalë i konsiderojnë dekadente dhe mëkatare. Presidenti turk e ka intensifikuar dëshirën e kahershme në vendin e tij për të pasur një distancë më të madhe nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, në mënyrë që Turqia të jetë e lirë të përfitojë nga pozicioni i saj strategjik dhe t’i detyrojë lojtarët kryesorë në botë - përfshirë ato përtej Perëndimit - t’i japin Ankarasë atë që do. Megjithatë, përjashtimi i madh ka qenë Izraeli, ku simpatitë dhe ambiciet islamiste të Erdoganit kanë kufizuar tregtinë dhe turizmin dhe kanë nxitur kundërshtime. Tani që Erdogan e ka refuzuar Perëndimin dhe po shënjestron Izraelin, Turqia mund të jetë një problem më shqetësuese për kryeministrin Benjamin Netanyahu se thuajse çdo vend tjetër.

Ushtria e saj është shumë e madhe, e mirë-pajisur, e trajnuar relativisht mirë dhe e mbështetur nga një PPB më shumë se 1 trilion dollarë. Një vlerësim i fundit nga autoritetet e sigurisë, i ashtuquajturi raporti i Komisionit Nagel, e identifikoi Turqinë si një kërcënim në rritje, duke pasur parasysh praninë e saj ushtarake në Sirinë fqinje dhe ambiciet e saj imperialiste në rajon.

Këta faktorë, paralajmëroi raporti, mund të “shtojnë rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë turko-izraelit”. Trump është i interesuar të ulë tensionet midis dy vendeve përpara se ato të ndizen në nivele të pakontrolueshme. Gjatë konferencës për mediat me kryeministrin Benjamin Netanyahu javën e kaluar, Trump e paraqiti veten si një ndërmjetës i mundshëm: “Bibi, nëse ke një problem me Turqinë, unë mendoj se do të jem në gjendje që ta zgjidh atë!”.

Ai mund të ketë të drejtë. Pentagoni dhe CIA kanë ende marrëveshje të mëdha me Ankaranë, duke i siguruar leva që Uashingtoni mund të përdorë për të frenuar Erdoganin. Kur udhëheqësi turk i kërkoi Trump gjatë mandatit të tij të parë që të tërhiqte forcat amerikane nga Siria, ai ra dakord. (Tek e fundit, Trump e konsideroi “mik” Erdoganin).

Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes James Mattis dhe të tjerët e këshilluan të distancohej, por tani presidenti nuk ka këshilltarë të tillë rreth tij, që të pengojnë një marrëveshje me Erdoganin, të cilin ai e lavdëroi në konferencën për mediat. Një nga “karotat” që mund të përdorë Trump është ripranimi i Turqisë në programin e prodhimit të avionëve F-35.

Trump ndaloi shitjen e tyre tek Ankaraja në mandatin e tij të parë, pasi Erdogan bleu sistemet kundërajrore ruse. Por në një telefonatë të zhvilluar midis 2 liderëve muajin e kaluar, thuhet se Trump mund të shqyrtojë mundësinë e rifillimit të shitjeve, si dhe heqjen e sanksioneve.

Për të kuptuar se cilat mund të jenë hapat e ardhshëm të Erdoganit, mjafton të shihni Sirinë, ku ai mund të fillojë të mobilizohet kundër Izraelit. Erdogan ka atje një ndikim shumë të madh për shkak të mbështetjes së tij me para, armë dhe inteligjencë për milicinë Hay’at Tahrir Al-Sham (HTS), e cila përmbysi regjimin e Assadit në dhjetorin e 2024-ës.

Situata atje mbeten e brishtë, e karakterizuar nga varfëria dhe dhuna, sidomos veçanërisht në zonat kurde pranë kufirit me Turqinë. Erdogan ka gjasa të synojë rivendosjen e rendit, pjesërisht që refugjatët sirianë në Turqi të kthehen në shtëpitë e tyre, dhe pjesërisht për shkak se në një boshllëk pushteti në Siri përfiton kurdët, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të naftës në Siri, me mbrojtjen ushtarake të SHBA-së (gjithnjë nëse Trump nuk ia heq).

Izraelitët janë të shqetësuar se me mbikëqyrjen dhe ndihmën e Turqisë, HTS mund të shndërrohet në një forcë ushtarake e frikshme, e aftë për të përsëritur kërcënimin ndërkufitar

që ka paraqitur Hezbollahu nga Libani. (Edhe pse një udhëheqës i HTS-së është zotuar të mos godasë Izraelin, anëtarët e tjerë i kanë miratuar historikisht sulmet ndaj vendit).

Një skenar edhe më i keq për Izraelin, është që Ankaraja të krijojë një prani ajrore dhe detare në bazat anembanë Sirisë. Gjithsesi për momentin, mënyra më e mundshme e veprimit për presidentin turk, është të gjejë mënyra të vogla për të mbështetur sulmet ndaj Izraelit, veçanërisht ato që vijnë nga palestinezët.

Izraelitët kanë arsye të shqetësohen për këtë mundësi: në korrik 2023, kapën një dërgesë nga Turqia në Gaza me klorur amoni, një kimikat që Hamasi e ka përdorur për lëshimin e raketave. Nëse Trump dëshiron të zvogëlojë rrezikun e një lufte tjetër rajonale, ai duhet të gjejë mënyra për të pasur më tepër ndikim në Ankara. Dhe kjo nuk bëhet vetëm duke e quajtur “mik” Erdoganin./ Përshtati "Pamfleti"  Nga “The Altantic

Shënim: Reuel Marc Gerecht, ish-zyrtar i lartë i CIA-s në Turqi, tani studiues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Lini një Përgjigje