
514 mijë palestinezë në Gaza përballen me uri, Izraeli mohon deklarimin e OKB-së…
Në një deklaratë tronditëse të publikuar para pak minutash, sistemi i klasifikimit të urisë IPC, i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, konfirmoi se Gaza City ka hyrë në fazën më kritike të krizës ushqimore: "URI TOTALE". Më shumë se 514 mijë banorë të rajonit palestinez, rreth 25% e popullsisë, janë në rrezik jete nga kequshqyerja, uria dhe mungesa e kujdesit shëndetësor.
Sipas kritereve të OKB-së, faza 5 e IPC përfshin kushte ku mbi 20% e familjeve nuk kanë akses minimal ushqimi, mbi 30% e fëmijëve janë me kequshqyerje të thellë dhe vdekshmëria rritet ndjeshëm. Të dhënat tregojnë se përmasat e tragjedisë po thellohen dita-ditës, me paralajmërime se numri mund të rritet në mbi 640 mijë brenda muajit shtator.
Pavarësisht alarmeve, ndihma humanitare mbetet minimale. Më 21 gusht, vetëm 220 kamionë ndihma arritën në Gaza, shifër që është nën 15% e nevojave reale ditore.
Organizatat humanitare e quajnë situatën "një krizë të krijuar nga njeriu", që mund të ishte shmangur nëse nuk do të kishte pasur bllokim të qasjes humanitare.
Izraeli, nga ana e tij, ka mohuar ekzistencën e urisë së konfirmuar, duke e quajtur raportin të politizuar dhe të ndikuar nga Hamas. Por faktet në terren janë të pamohueshme dhe pamjet e fëmijëve të uritur, spitaleve të zbrazura dhe kolonave të refugjatëve flasin vetë.
Ky zhvillim ndodh në një kohë kur ofensiva izraelite ndaj Gaza City po intensifikohet, me qindra të vrarë nga bombardimet në ditët e fundit.
Ndërkombëtarët, përshirë OKB-në dhe BE-në, janë duke bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të luftimeve dhe garantim të qasjes së lirë të ndihmës.
Ky nuk është vetëm alarm humanitar. Është një test i drejtpërdrejtë moral dhe diplomatik për rendin botër, për të treguar nëse jeta në Gaza vlen po aq sa kudo në botë./Pamfleti
Lini një Përgjigje