
Durimi është i nevojshëm në përpjekjet e SHBA-së për të negociuar paqen midis Rusisë dhe Ukrainës, por "nuk kemi kohë për të humbur", tha sot Sekretari i Shtetit Marco Rubio, duke paralajmëruar Moskën të mos paraqesë një propozim jorealist për armëpushim.
“Ata ranë dakord që do të shkëmbejnë dokumente mbi idetë që çojnë në një armëpushim. Nëse këto dokumente kanë ide që janë “realiste dhe racionale, atëherë mendoj se e dimë që kemi bërë përparim.
Nëse këto dokumente, nga ana tjetër, kanë kërkesa që ne i dimë se janë jorealiste, atëherë do të kemi një vlerësim të ndryshëm. Kërkohet një element durimi. Nga ana tjetër, nuk kemi kohë për të humbur, kështu që nuk duam të përfshihemi në këtë proces bisedimesh të pafundme”, tha Rubio, pasi delegacionet ruse dhe ukrainase u takuan në Turqi të premten.
Sekretari i shtetit shprehu optimizëm se plani i Presidentit Donald Trump për të folur drejtpërdrejt në telefon nesër me homologun rus Vladimir Putin mund ta zgjidhë "ngërçin".
Rubio nuk tha nëse një takim ballë për ballë është duke u planifikuar ende, por theksoi se Trump është ofruar. Ndërsa bisedimet vazhdojnë, Rubio sugjeroi që administrata nuk do të pengojë shqyrtimin nga Senati të sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Projektligji për sanksionet po drejtohet nga senatorja republikane Linsey Graham.
Lini një Përgjigje