
Këto tensione, janë pjesë e një klime të përkeqësuar, të denoncuar që në dhjetor 2024 nga shefi i Gjykatës së Lartë John Roberts në raportin e tij vjetor...
Shqetësimi mbi ruajtjen e paanshmërisë së Departamentit të Drejtësisë, bën që në përgjithësi presidentët amerikanë të shmangin të folurit brenda mureve të tij. Por presidenti Donald Trump, nuk kishte skrupuj të tillë të premten e 14 marsit, kur mbajti një fjalim shumë të ngjashëm me ato të mitingjeve të fushatës së tij.
Ai sulmoi të gjithë personat e përfshirë në proceset gjyqësore kundër tij, por edhe median, investigimet e të cilës për të i quajti “të paligjshme”. Para se të ndodhte, fjalimi i tij u paraqit si një mundësi për të ringjallur parimet tradicionale republikane: ligjin dhe rendin.
Por ajo që u pa, ishte shenjtërimi i një forme privatizimi të institucionit të drejtësisë, e ilustruar kjo nga emërimi i besnikëve në postet më strategjike të këtij departamenti, të cilëve ai u thuri shumë lavde, duke filluar nga avokatët që e kishin ndihmuar gjatë proceseve gjyqësore më të fundit.
“Gjithçka që do të bëj është të përcaktoj vizionin tim”- u shpreh Trump një ditë para fjalimit në departament. “Do të jetë vizioni i tyre, por në fakt janë idetë e mia!”-shtoi ai. Për të drejtësia federale mishërohet nga Pam Bondi, ish-Prokurorja e Përgjithshme e Floridës, e cila ishte në krah të tij gjatë procedurës së parë të shkarkimit (impeachment) në Kongres në vitin 2019.
Bondi, tani Prokurore e Përgjithshme e SHBA-së, po udhëheq me grusht të hekurt një departament, që po i nënshtrohet një spastrimi të madh qëkur ajo mori detyrën. Bondi pohoi besnikërinë e saj ndaj presidentit edhe në një intervistë që dha për nusen e djalit të Trump, Lara Trump, në televizionin Fox News.
Ky koncept pronësor mbi drejtësisë, është vetëm një nga aspektet e betejës së vazhdueshme midis ekzekutivit dhe gjyqësorit. Ndër direktivat e saj të para, Bondi udhëzoi zyrtarët nën autoritetin e saj që të “mbrojnë fuqishëm politikat dhe veprimet presidenciale kundër sfidave ligjore”.
Këto të fundit, vazhdojnë të shtohen si rezultat i zgjedhjes së Trump për të qeverisur kryesisht përmes urdhrave ekzekutivë që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht nga shumica republikane që ekziston si në Kongres ashtu edhe në Senat.
Mëngjesin e të premtes, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, denoncoi numrin e madh të vendimeve të pafavorshme nga gjyqtarët federalë. Ajo sulmoi ata që i quajti “aktivistët partiakë në gjyqësor, të cilët po përpiqen të uzurpojnë vullnetin e presidentit”.
Një ditë më parë, dy gjyqtarë federalë në Kaliforni dhe Maryland, e urdhëruan administratën të ripunësonte mijëra nëpunës civilë në provë, që sipas tyre ishin shkarkuar në kundërshtim me rregullat në fuqi.
Më 12 mars, një gjykatës në qarkun e Kolumbias bllokoi pjesërisht një dekret presidencial që vendoste sanksione të rënda ndaj një studio ligjore të njohur, të punësuar dikur nga Partia Demokratike. Këto vendime gjyqësore, ashtu si të mëparshmet, kanë shkaktuar reagime të ashpra nga Trump dhe bashkëpunëtorët e tij.
Kështu zëvendës/presidenti J.D.Vance, i diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetin Yale, deklaroi në mediat sociale më 9 shkurt, pas bllokadave të para të dekreteve presidenciale të Trump se “nëse një gjykatës do të përpiqet t’i tregojë një gjenerali se si të kryejë një operacion ushtarak, kjo do të ishte e paligjshme”, dhe për këtë arsye “gjyqtarët nuk janë të autorizuar të kontrollojnë pushtetin legjitim të ekzekutivit”.
Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, i cili drejton Departamentin e Efiçencës së Qeverisë (DOGE), dhe është përgjegjës për shkarkimin e nëpunësve civilë në provë, reagoi ndaj vendimit të dy gjyqtarëve federalë duke shkruar në platformën e tij X: ”Pa një reformë në gjyqësor, pra pa shkarkimin e gjyqtarëve të këqij, s’mund të kemi një demokraci të vërtetë në Amerikë”.
Ky nuk është sulmi i parë i Musk ndaj gjyqtarëve federalë, të cilësuar si “të korruptuar”, “ekstremistë” apo “simbole të tiranisë”. Kur gjykatësi i qarkut Amir Ali vendosi më 13 shkurt se administrata Trump duhet të rifillojë pjesërisht pagesat e ndihmës ndërkombëtare të bllokuara prej tij, Musk tha se gjyqtarët që “e dëmtojnë rëndë vullnetin demokratik të popullit... duhet të shkarkohen”.
Në platformën X u shtuan kërcënimet me vdekje ndaj gjyqtarit. Dukshmëria që i është dhënë këtyre sulmeve nga algoritmet e mediave sociale, ka nxitur autoritetet e mbrojtjes së gjyqtarëve që të rritin masat e sigurisë për 2 prej tyre në Nju Jork, pas vendimeve të tyre kundër qasjes së punonjësve të DOGE në të dhëna të ndjeshme të Departamentit të Thesarit.
Këto tensione, janë pjesë e një klime të përkeqësuar, të denoncuar që në dhjetor 2024 nga shefi i Gjykatës së Lartë John Roberts në raportin e tij vjetor. “Zyrtarët publikë kanë të drejtë të kritikojnë punën e gjyqësorit, por ata duhet të kenë parasysh se mospërmbajtja në deklaratat e tyre, mund të nxisë reagime të rrezikshme nga të tjerët”- paralajmëroi ai.
Shoqata Federale e Gjyqtarëve, shprehu keqardhjen në një deklaratë për mediat më 5 mars për “retorikën e papërgjegjshme të mbështjellë me mashtrime, që e minon besimin e publikut se sistemi ynë i drejtësisë mund t’i përmbushë detyrat e tij kushtetuese”.
Është e vërtetë që gjyqësori, është prej kohësh peng i polarizimit të madh politik. Konfirmimi në Senat i gjyqtarëve federalë në gjykatat e rretheve, të cilat janë gjykatat e shkallës së parë, por edhe në gjykatat e apelit, është shndërruar në një betejë të egër dhe një mjet për të krahasuar suksesin e presidentëve demokratë dhe republikanë.
Joe Biden mori pak me tepër konfirmime se Trump gjatë mandatit të parë të republikanit. Praktika tashmë e përhapur e partive opozitare që thërrasin gjyqtarët e emëruar nga presidentët e anës së tyre, me shpresën e kundërshtimit të dekreteve të presidentëve që vijnë nga kampi tjetër, e ka përforcuar klimën e luftës së llogoreve.
“Një shkarkim i motivuar politikisht i gjyqtarëve federalë, mbetet një skenar shumë i vështirë që të ndodhë”- thotë William Galston, politolog në Institutin Brookings, një institut i qendrës së majtë në Uashington. Sipas tij, kjo kërkon një shumicë prej 2/3 në Senat, ndërsa Partia Republikane ka aktualisht vetëm 53 nga 100 vendet.
Që nga viti 1804, ka pasur vetëm 15 raste shkarkimesh, dhe më të fundit kanë qenë për korrupsion dhe ngacmime seksuale. Galston thekson se anulimi i vendimit të një gjyqtari do të krijonte një krizë të madhe kushtetuese, duke e dobësuar gjyqësorin dhe forcuar ekzekutivin.
Ka shumë se gjasa që një pjesë e mirë e proceseve gjyqësore aktuale të përfundojnë para Gjykatës së Lartë. Atje Trump shpreson tek mbështetja e 6 gjyqtarëve konservatorë, teksa 3 të tjerët janë emëruar nga presidentët demokratë./Pamfleti nga “Le Monde”
Lini një Përgjigje