Me gjithë retorikën e tij për përfundimin e luftërave, Trump ka treguar se është vetëm një ingranazh tjetër në atë makineri. Populli amerikan - dhe jetët e panumërta të humbura në Palestinë dhe Ukrainë - nuk janë gjë tjetër veçse dëme kolaterale në këtë cikël të pamëshirshëm, të diktuar nga etja për para...
Motoja “Amerika e Para” e Donald Trump, supozohej të ishte një ndryshim radikal i lojës, pra një premtim për të vendosur jetën, burimet dhe prioritetet amerikane mbi gjithçka tjetër. Megjithatë, siç po e tregojnë edhe emërimet e tij të fundit në qeverinë e re, ajo nuk ka qenë asgjë më shumë se sa një gënjeshtër e paturpshme.
Marco Rubio, Mike Huckabee dhe Tulsi Gabbard, që të gjithë mbështetës zulmëmëdhenj të Izraelit, janë tani figurat kyçe që do të diktojnë drejtimin e administratës së tij. Siç e theksoi kohët e fundit TRT World, zgjedhjet në kabinetin e ri të Trump, përfshijnë sionistët e vijës së ashpër, kryqtarët e vetëshpallur si të tillë dhe avokatët e paturpshëm të terrorit.
Në Lindjen e Mesme, nuk kemi qasjen “Amerika e Para”, por “Izraeli i Pari”. Huckabee e mishëron dukshëm këtë qasje ideologjike. Ish-guvernatori, që së shpejti do të mbajë postin e ambasadorit të SHBA-së në Izrael, mbron hapur një “zgjidhje të konfliktit përmes një shteti”, ndërsa refuzon termin “palestinez”, pra të njohë identitetin e një populli.
Dhe deklaratat e tij nuk janë të izoluara. Ato pasqyrojnë një mentalitet, që ngre interesat e Izraelit mbi çdo gjë tjetër, duke anashkaluar diplomacinë kuptimplote dhe çdo lloj ekuilibri. Rubio dhe Gabbard, vetëm sa e nënvizojnë më tej këtë prirje shqetësuese.
Larg përmbushjes së premtimit të tij për të çmontuar “makinerinë e luftës”, Trump po e përforcon atë, duke e rreshtuar veten me ata që e shohin konfliktin e pafundmë si një veçori, dhe jo një defekt. Tradhtia përjetohet si personale për shumë amerikanë, pasi premtimi gjatë fushatës u duk shumë i vërtetë.
Donald Trump bëri fushatë si udhëheqësi që do t’i jepte fund përfshirjes së kushtueshme të SHBA-së në krizat e vendeve të huaja, të cilat kanë harxhuar shumë para por edhe i kanë marrë jetën mijëra amerikanëve.
Por në vend të saj, administrata e tij e re i ngjan gjithnjë e më shumë përsëritjes së të njëjtit skenar të parë tashmë. Luftëra të pafundme, mbështetje e palëkundur për Izraelin, dhe një politikë e jashtme që i lë amerikanët të pyesin se kush përfiton vërtet nga kjo.
Ky është realiteti i motos “Amerika e Para”. Shkrimtari Tom Woods e kapi më së miri këtë pashmangshmëri tragjike. “Pavarësisht se për kë votoni, në fund do të keni në krye John Mccain!”- thoshte ai. Me emërimet e fundit të Trump, kjo ndjenjë po ndihet si më e saktë se kurrë më parë.
Një senator republikan dhe një i vetëquajtur patriot, i ndjeri John Mccain ishte luftëtari i fundit. Ai ishte një avokat i pamëshirshëm për ndërhyrjet ushtarake të Amerikës, nga Iraku në Afganistan e deri në Libi, duke mbështetur shpeshherë politika që pasuruan kompanitë nënkontraktore private në fushën e mbrojtjes, ndërsa ua linin amerikanëve që ta paguanin koston në gjak dhe para.
Mccain u bë një simbol i establishmentit dypartiak që lulëzon nën një konflikt të përhershëm, pa marrë parasysh administratën, demokrate apo republikane. Sa për Ukrainën, Trump ka premtuar t’i japë fund luftës, një premtim madhështor nga një njeri, historia e të cilit zbulon zakonin e të thënit të një gjëje, dhe të bërit të diçkaje tjetër.
Marrëdhënia e tij e ngushtë me Larry Fink, kreun e BlackRock, hedh hije të mëdha dyshimi mbi këtë premtim. Fink nuk është thjesht një ndërmjetës pushteti. Ai drejton kompaninë më të madhe në botë për menaxhimin e aseteve, duke mbikëqyrur një qarkullim prej triliona dollarësh, dhe duke ushtruar një ndikim të madh tek tregjet dhe qeveritë e shumë vendeve të botës.
Në shumë aspekte, ai është mishërimi i “kënetës”, të cilën dikur Trump u zotua që ta thante. E megjithatë, ata janë aleatë shumë të ngushtë, duke ecur së bashku në një sinkronizim të përsosur. Kjo marrëdhënie ka shumë rëndësi. Sepse sa më gjatë të mbetet Ukraina në kaos, aq më e madhe është mundësia e BlackRock të arkëtojë fitime të mëdha.
Kjo kompani ka siguruar kontrata fitimprurëse për të ndihmuar në “rindërtimin” e Ukrainës, një proces që varet nga konflikti i vazhdueshëm. Ndikimi i tij shtrihet përtej ekonomisë së thjeshtë; BlackRock ka shumë ndikim në vendimmarrjen e Kievit , përfshirë planifikimin urban.
Ata shohin tek Ukraina më pak një vend sovran, dhe më shumë mundësitë që kanë për të fituar.
Në kohë paqeje nuk ka fitime, dhe këtë e di shumë mirë BlackRock, një arkitekt i madh i krizës financiare të vitit 2008, që tani e sheh kaosin e Ukrainës si minierën e re të arit.
Tabloja errësohet më tej kur analizojmë lidhjet e ngushta të BlackRock me kompleksin ushtarako-industrial amerikan. Sipas Corporate Açountability, një organizatë mbikëqyrëse që merret me kërcënimet e korporatave ndaj demokracisë, BlackRock ka dhjetëra miliarda dollarë investime tek gjigantët e mbrojtjes si Lockheed Martin, Raytheon dhe Boeing.
Këto kompani lulëzojnë gjithnjë në konfliktet e përhershme. Çdo raketë e lëshuar, çdo tank i vendosur është para në xhepin e tyre. Dhe BlackRock fiton si një nga palët më të mëdha të interesit. Ndërkohë, taksapaguesit amerikanë paguajnë faturën për luftërat që duket se nuk kanë fund në horizont.
Lidhjet e ngushta të Trump me Fink, nxjerrin në pah një kontradiktë të dukshme. Njeriu që kundërshton elitat globaliste dhe luftërat e pafundme, është i lidhur ngushtë me një nga figurat më të fuqishme në të dyja sferat. Me gjithë retorikën e tij për paqen në Ukrainë, ndikimi i BlackRock - dhe si rrjedhojë e Fink - hedh dyshime serioze mbi qëllimet e tij.
A është ai kundër luftës apo kundër të vërtetës? E gjitha kjo duhet parë me një lente më të gjerë. Trump e ka paraqitur veten prej kohësh si një kandidat kundër luftës, si njeriu që më në fund do t’i jepte fund ngatërresave të përhershme të Amerikës. Ai është mbështetur mbi këtë imazh prej vitesh, por kjo është një tjetër gënjeshtër.
Pretendimi i tij se mandati i parë ishte një “presidencë pa terrorizëm dhe pa luftë”, është pa dyshim i rremë. Pavarësisht tetralitetit, Trump as nuk i solli trupat në shtëpi, dhe as nuk i dha fund luftërave të pafundme të Amerikës. Në fakt, ai ka hedhur më tej benzinë zjarrit.
Nën mbikëqyrjen e tij, u shtuan trupat e angazhuara në misione jashtë vendit, dhe u thellua mbështetja tek kontraktorët privatë, duke e forcuar më tej makinerinë e luftës që ai u zotua ta çmontonte. Lufta ajrore, tashmë shkatërruese nën administratat e mëparshme, u përshkallëzua në nivele të paprecedenta.
Siç ka zbuluar portali Responsible Statecraft, Autorizimet e vjetruara të viteve 2001 dhe 2002 për Përdorimin e Forcës Ushtarake - mjete ligjore gjithëpërfshirëse që kanë nxitur dekada konflikte - mbetën të paprekura nën presidencën e Donald Trump.
Madje më keq akoma, u zgjerua shtrirja e tyre, duke i hapur rrugën edhe më shumë ndërhyrjeve ushtarake të SHBA-së në vende të tjera. Njëkohësisht, Trump rriti për 4 vitet e mandatit të tij të parë buxhetin e Pentagonit, duke pompuar miliarda në kompleksin ushtarako-industrial që ai gjoja e kundërshtonte (dhe që gjoja ende e kundërshton).
Parë në këtë këndvështrim, emërimet e fundit të Trump nuk duhet që të befasojnë askënd. Ato tregojnë një model të qëndrueshëm të thellimit, dhe jo të çmontimit të makinerisë së luftës. Premtimi i “Amerika e Para“, ka qenë gjithmonë një fantazi e pamend. Fituesit këtu nuk janë populli amerikan, dhe as jetët e panumërta të shkatërruara nga konfliktet e përhershme.
Përfituesi i vetëm i vërtetë i politikës së jashtme të kësaj administrate është Izraeli, një komb, prioritetet e të cilit janë ngritur mbi ato të amerikanëve, që Trump pretendon se u shërben.
Me gjithë retorikën e tij për përfundimin e luftërave, Trump ka treguar se është vetëm një ingranazh tjetër në atë makineri. Populli amerikan - dhe jetët e panumërta të humbura në Palestinë dhe Ukrainë - nuk janë gjë tjetër veçse dëme kolaterale në këtë cikël të pamëshirshëm, të diktuar nga etja për para./ Përshtati Pamfleti nga “TRT World”
Lini një Përgjigje