Zyrtarët e sigurisë zbuluan pajisjen e fshehur në një ndërtesë të ndjeshme të qeverisë britanike...
Një kamerë e fshehtë është zbuluar në një ndërtesë të ndjeshme në Whitehall, duke nxitur shqetësime për spiunazh. Zyrtarët e sigurisë që punojnë në Marsham Street, në zonën Victoria të Londrës qendrore, një kompleks i madh zyrash ku ndodhen Ministria e Brendshme (Home Office) dhe Departamenti për Strehimin, Komunitetet dhe Qeverisjen Vendore (MHCLG), gjetën një kamerë të fshehur në një panel të tavanit. Ministrat janë informuar për zbulimin.
Ngjarja shkaktoi alarm sepse zyrtarët që punojnë në këtë ndërtesë kishin qenë të përfshirë në shqyrtimin e aplikimit të diskutueshëm për planifikimin e ambasadës së re gjigante të Kinës në Londër. Një burim i njohur me incidentin, i cili ndodhi gjatë dy muajve të fundit, tha se Shërbimet e Sigurisë janë njoftuar.
Mbetet e paqartë se si kamera u vendos në një vend kaq të ndjeshëm dhe sa kohë kishte qëndruar aty. Hetimet e mëvonshme janë përqendruar në identifikimin e personit ose grupit që e instaloi pajisjen.
Pajisja elektronike u gjet në një zonë të përbashkët të ndërtesës, e përdorur nga disa shërbime civile, dhe jo brenda ose pranë zyrave ministrore. Një nga vendimet më të rëndësishme të marra së fundmi në ndërtesën e Marsham Street ishte miratimi i planeve të Kinës për ndërtimin e një ambasade të madhe të re në qendër të Londrës, pavarësisht paralajmërimeve të kundërshtarëve se kompleksi mund të përdorej si bazë për spiunazh dhe të paraqiste rreziqe për sigurinë.
Ky zbulim pritet të rikthejë shqetësimet mbi sigurinë e ndërtesave qeveritare britanike. Gjatë viteve të fundit, hakerë të lidhur me Kinën dhe Rusinë janë përfshirë në një sërë operacionesh kibernetike kundër sistemeve të qeverisë britanike, me synim mbledhjen e informacionit politik dhe aksesimin e të dhënave të ndjeshme. Kërcënimi nga sulmet kibernetike konsiderohet serioz.
Prania e një pajisjeje të fshehtë në një ndërtesë të Whitehall-it, pranë zyrtarëve dhe ministrave përgjegjës për politika të ndjeshme, pritet të shtojë frikën për metoda të ndryshme spiunazhi.
Nuk ka asnjë tregues që aktorë të lidhur me Rusinë ose Kinën janë përgjegjës për pajisjen e zbuluar. Zbulimi tronditi stafin, i cili u shqetësua se mund të ishte monitoruar ose përgjuar dhe nisi të spekulonte se si dhe pse ishte vendosur kamera.
Megjithëse rrethanat ishin krejtësisht të ndryshme, disa nëpunës civilë thanë se rasti u kujtoi skandalin e vitit 2021, kur pamjet e kamerave të sigurisë që tregonin ish-ministrin e Shëndetësisë Matt Hancock duke puthur të dashurën e tij Gina Coladangelo në zyrë u publikuan në media. Edhe pse zemërimi publik u përqendrua te sjellja e Hancock-ut, në Whitehall pati shqetësime se mbledhje dhe biseda të ndjeshme të departamenteve mund të monitoroheshin.
Ministri në hije i Partisë Konservatore, Alex Burghart, deklaroi se ky është një incident jashtëzakonisht serioz që kërkon një hetim urgjent.
“Zbulimi i një kamere të fshehtë brenda një ndërtese ku ndodhen Ministria e Brendshme dhe departamente të tjera ngre pyetje serioze mbi sigurinë e institucioneve qeveritare dhe veprimet e atyre që përpiqen t’i minojnë ato”, tha ai.
Burghart, i cili mban postin e Kancelarit në hije të Dukatit të Lancasterit, shtoi, se duhet të mësojmë urgjentisht se kush është përgjegjës, sa kohë ka qenë e vendosur kjo pajisje dhe nëse është komprometuar ndonjë informacion i ndjeshëm ose i klasifikuar.
Një zëdhënës i MHCLG u shpreh se nuk komentojmë çështje që lidhen me sigurinë.
Home Office dhe MHCLG ishin të përfshirë në vendimin e debatueshëm për të miratuar ambasadën e re kineze më herët gjatë këtij viti.
Në janar 2025, The i Paper raportoi se vendndodhja e propozuar në Royal Mint Court ndodhet pranë kabllove me fibra optike që transmetojnë sasi të mëdha të dhënash shumë të ndjeshme nga qendra financiare e Londrës. Afërsia me këto kabllo ngriti shqetësime te shërbimet britanike të inteligjencës se ato mund të ishin të cenueshme ndaj sulmeve dhe të përdoreshin nga Pekini për të depërtuar në sistemin financiar britanik.
Megjithatë, në vendimin përfundimtar të janarit 2026, MHCLG deklaroi se nuk kishte asnjë tregues që përdorimi i zonës si ambasadë do të ndikonte në funksionimin e kabllove. Departamenti shtoi se asnjë institucion përgjegjës për sigurinë kombëtare, përfshirë Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Jashtme, nuk kishte ngritur shqetësime apo kundërshtime për shkak të afërsisë së kabllove.
Drejtori i përgjithshëm i MI5, Sir Ken McCallum, dhe drejtoresha e GCHQ, Anne Keast-Butler, deklaruan në një letër të përbashkët se ishte hartuar tashmë një paketë “proporcionale” masash për zbutjen e rreziqeve të sigurisë kombëtare në atë vendndodhje.
Vjeshtën e kaluar, Sir Ken paralajmëroi në fjalimin e tij vjetor se kërcënimet shtetërore nga Kina, Rusia dhe Irani po përshkallëzohen. Ai tha se MI5 kishte regjistruar një rritje prej 35 për qind të numrit të personave nën hetim gjatë vitit të fundit. Sipas tij, aktorët shtetërorë kinezë paraqesin një kërcënim të përditshëm për sigurinë kombëtare të Britanisë dhe MI5 kishte ndërhyrë së fundmi për të penguar aktivitete kineze që konsideroheshin shqetësuese për sigurinë kombëtare.
Vetëm javën e kaluar, aleanca e inteligjencës “Five Eyes”, e përbërë nga agjenci të Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së, Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re, paralajmëroi se spiunë kinezë po paraqiten si agjentë rekrutimi për të mashtruar punonjës të qeverisë dhe ushtrisë britanike me qëllim nxjerrjen e sekreteve shtetërore. Kjo përfshin edhe përdorimin e platformave legjitime si LinkedIn për të reklamuar vende pune të rreme për analistë.
The i Paper kishte raportuar më parë se një pajisje e fshehtë kineze gjurmimi ishte zbuluar në një automjet qeveritar britanik, pasi zyrtarët e inteligjencës kryen kontrolle të detajuara për shkak të shqetësimeve në rritje lidhur me pajisjet e spiunazhit.
Media britanike zbuloi gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes ndaloi automjetet elektrike që përmbanin komponentë kinezë nga hyrja në zona të ndjeshme dhe baza stërvitore ushtarake, pasi zyrtarë të lartë ngritën shqetësime se automjetet mund të gjurmoheshin dhe se sensorët e tyre mund të përdoreshin për mbledhje informacioni dhe transmetimin e tij në Pekin.
Ndër shkeljet e tjera të profilit të lartë të sigurisë përmendet edhe hakimi i dyshuar i telefonit të ish-kryeministres Liz Truss nga agjentë që dyshohet se punonin për Kremlinin, kur ajo ishte ministre e Jashtme.
Sipas raportimeve, spiunët kibernetikë kishin arritur të siguronin qasje në komunikime tepër sekrete me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, si edhe në biseda private me aleatin e saj politik, Kwasi Kwarteng.
Telefoni konsiderohej aq i komprometuar sa u vendos në një kasafortë të mbyllur në një objekt qeveritar të sigurisë së lartë, sipas raportimeve. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje