
Por edhe Ukrainës po i mbarojnë ushtarët dhe po fillon që të humbasë guximin.
Le të shpresojmë që kulmi i iluzionit evropian u arrit më 7 dhjetor, kur një analist televiziv pyeti në momentin e ceremonisë së rihapjes së Katedrales Notre Dame në Paris, nëse kravata e verdhë dhe kostumi blu i presidentit të porsazgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, duhej të merrej si një sinjal pozitiv që ai nuk do ta braktiste Ukrainën.
Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte nuk kishte iluzione të tilla. Dy javë më parë, ai ishte takuar me Trump në Palm Beach të Floridas. Sipas një zyrtari të lartë të NATO-s në Bruksel, ai doli nga ai takim shumë i tronditur.
Rutte po mendonte nëse angazhimi i vendeve evropiane për të shpenzuar 3 për qind të PBB-së për mbrojtjen, do ta kënaqte administratën e ardhshme të SHBA, apo nëse do të kërkohej një normë shpenzimi prej 4 për qind. Që atëherë, ai u ka bërë thirrje aleatëve të adoptojnë mentalitetin e kohës së luftës.
Nga ai moment ka pasur shumë lëvizje. Kryeministri britanik Keir Starmer vizitoi Estoninë për të takuar trupat britanike të vendosura atje, dhe për të marrë pjesë në një takim të Forcave të Përbashkëta Ekspeditare (JEF), një grupim i anëtarëve të NATO në Evropën Veriore (Britania, Holanda, 5 vendet nordike dhe 3 shtetet baltike) ku ai deklaroi: “Mendoj se të gjithë duhet të vendosim më shumë aftësi në Ukrainë me anë të pajisjeve tona”.
Britania konsiderohet si udhëheqëse e JEF-it, por një zyrtar i lartë estonez lartë më ka thënë se qëndrimi i Londrës po shihet gjithnjë e më me mosbesim. Sepse në dallim nga Polonia, e cila i ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake, Britania ka thënë fjalë të bukura, por pa i konkretizuar me aftësi ushtarake.
Ai lavdëroi ish-Sekretarin britanik të Mbrojtjes Ben Wallace për trajnimin e forcave ukrainase që nga viti 2014, dhe për dërgimin në Ukrainë të raketave antitank NLAW, dhe pak më vonë të raketave me rreze të gjatë “Storm Shadow”. Ndërkohë ministri i ri, Al Carns, deklaroi kohët e fundit se Britania mund të përballojë vetëm një luftë që zgjat 6 muaj.
Megjithatë, shumica e ekspertëve dyshojnë nëse forcat britanike mund të mbijetojnë më shumë se sa disa javë. Një shembull i vogël. Britania ka aktualisht vetëm 213 tanke “Challenger 2” ndërsa Ukraina ka humbur mbi 5.000 tanke në më pak se 3 vjet luftë.
Shpenzimet aktuale në mbrojtje prej 2.3 për qind të PBB-së, mund të duken të arsyeshme, por ato përfshijnë parandalimin bërthamor, i cili merr nga burimet e disponueshme për forcat konvencionale. Nevoja e dukshme që Britania të ketë disa mbrojtje themelore kundër raketave dhe aftësi të përmirësuara të dronëve, nënkupton se nuk do të mbetet asgjë për ta vendosur Britaninë në një bazë të besueshme lufte.
Starmer as që e përfshiu Ukrainën në mesin e 6 prioriteteve të tij në fjalimin e tij vjetor më 5 dhjetor. Evropa do ta ketë e vështirë të ketë një vend në tryezë, nëse Trump i çel negociatat me Putinin. Ajo as që u konsultua për evakuimin e SHBA-së nga Afganistani.
Ndaj mënyra e vetme për t’u marrë seriozisht nga administrata amerikane, do të ishte shpallja e një ndryshimi transformues në mbrojtjen evropiane, dhe angazhimi për të marrë përsipër pjesën më të madhe të kostove të luftës së Ukrainës, në këmbim të qëndrimit të SHBA-së në NATO dhe ofrimit të vazhdueshëm të aftësitë kyçe të saj, si transporti ajror dhe inteligjenca.
Kjo mund të jetë një kërkesë minimale për të ndryshuar mendjen e Trump dhe do të ishte shumë më efektive nëse ofrohet që në fillim, në vend s të përmbushet nën presionin e Uashingtonit. Gjithsesi, është e çuditshme që e ardhmja e sigurisë së Evropës, të mbështetet pothuajse tërësisht tek tekat e një njeriu shumë të paparashikueshëm.
Së fundmi, çfarë do të ndodhë nëse Putini refuzon të pranojë një marrëveshje në stilin “lëshim territori, në këmbim të paqes” vitin e ardhshëm? Nga këndvështrimi i tij, ai po fiton në Ukrainë, ndonëse me ritmin e kërmillit dhe duke pësuar shumë humbje në njerëz.
Por edhe Ukrainës po i mbarojnë ushtarët dhe po fillon që të humbasë guximin. Franca dhe Gjermania janë në një kaos politik. Pasi ka përjetuar një dështim në Siri, Putini mund të mos jetë në humor për të bërë kompromis mbi Ukrainën.
Çfarë do të bënte NATO, nëse trupat ruse do të thyenin mbrojtjen e Ukrainës dhe papritmas (si ushtria britanike në vitin 1918) do të fillonin të përparonin nga 20 milje dhe jo vetëm 20 metra çdo ditë. Po sikur Mykolaiv dhe Odessa, në bregun e Detit të Zi, të kapitullojnë dhe trupat ruse të nisen drejt Moldavisë, apo nëse kalojnë lumin Dnipro dhe marshojnë në veriperëndim drejt Kievit?
Shënim: Tim Willasey-Wilsey, profesor i studimeve të luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës, dhe një ish-diplomat britanik./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Scotsman”
Lini një Përgjigje