TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Prill 2025, 21:30

A do të jetë vërtet Meloni një urë lidhëse midis BE-së dhe Trumpit?

Shkruar nga Julia Khrebtan-Hörhager & Miranda Mccreary

A do të jetë vërtet Meloni një urë lidhëse midis

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u bë së fundmi udhëheqësja e parë evropiane që vizitoi Shtetet e Bashkuara.

Duke u përpjekur të luajë me të dyja palët, ajo mund të përfundojë e izoluar nga të dyja, duke e dëmtuar besueshmërinë dhe ndikimin e Italisë në skenën botërore.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u bë së fundmi udhëheqësja e parë evropiane që vizitoi Shtetet e Bashkuara, pasi Presidenti Donald Trump njoftoi një regjim të ri tarifor për partnerët tregtarë, përfshirë një taksë prej 20 për qind mbi importet nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa këto tarifa janë shtyrë për momentin, kërcënimi i vazhdueshëm për miratimin e tyre, e rriti vëmendjen ndaj vizitës së Melonit në mesin e prillit. E diskutueshme dhe shpesh e perceptuar nga kritikët si një llogaritëse pragmatike, që kur u bë kryeministre e Italisë në vitin 2022, Meloni ka ndjekur një ekuilibër delikat, midis solidaritetit me BE-në dhe përqafimit të kauzave të ekstremit të djathtë.

Ajo ishte e vetmja udhëheqëse evropiane që mori pjesë në inaugurimin e Trump në janar, dhe midis aleatëve të saj, numëron edhe gjigantin e teknologjisë Elon Musk. Meloni pasqyron në shumë aspekte krizën e identitetit të vetë Evropës: një fuqi rajonale me ambicie globale.

Italia ishte një nga vendet themeluese të Bashkimit Evropian, me nënshkrimin e Traktateve të Romës në vitin 1957 që themeluan tregun e përbashkët evropian. Por për dekada të tëra, ajo ka qëndruar shpesh jashtë zonës ndikuese të BE-së, e lënë në hije nga partneriteti franko-gjerman.

Megjithatë, kur është momenti i duhur, Italia di si ta përdorë ndikimin e saj, veçanërisht si një urë lidhëse midis kampeve kundërshtare në Bruksel. Në Uashington, Meloni i bëri Trumpit ofertën e saj: një aleancë më e ngushtë ideologjike, bazuar tek përbuzja e përbashkët për politikën majtiste të diversitetit, axhendave të barazisë dhe gjithëpërfshirjes, dhe qasjes së butë ndaj migracionit.

Ajo ofroi më shumë investime italiane në SHBA, si një zgjidhje për mosmarrëveshjen tregtare transatlantike. Por nga ana tjetër, përsëriti mbështetjen e saj dhe të BE-së për Ukrainën, në një kontrast të drejtpërdrejtë me mosbesimin e Trumpit ndaj mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së në konfliktin e Ukrainës me Rusinë.

Në këtë mënyrë, Meloni e ka paraqitur veten si dikush që mund t’i shërbejë si Brukselit ashtu edhe Uashingtonit, pa djegur urat e bashkëpunimi me asnjërën palë. Rreziku? Ky akt balancues mund të prodhojë efektin e kundërt.

Kërkesat e Trumpit mbi tregtinë, dhe rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nga ana e vendeve të NATO-s, e detyrojnë Melonin të zgjedhë midis qetësimit të Uashingtonit dhe qëndrimit në përputhje me normat e BE-së. Miqësia e saj me Trump, rrezikon të armiqësojë aleatët kryesorë evropianë, të cilat janë shumë të kujdesshëm ndaj politikës së tij shkatërruese.

Duke u përpjekur të luajë me të dyja palët, ajo mund të përfundojë e izoluar nga të dyja, duke e dëmtuar besueshmërinë dhe ndikimin e Italisë në skenën botërore. Historia e Italisë moderne, ka qenë një histori e të luajturit në pozicion jashtë loje. Gjatë Luftës së Ftohtë, Italia ndiqte një politikë delikate midis angazhimeve të NATO-s dhe akomodimit të një Partie Komuniste të fuqishme vendase.

Asokohe, Italia qeverisej rregullisht nga një sërë koalicionesh shpesh të tensionuara të qendrës së djathtë, të cilat u detyruan të punonin në mesin e një polarizimi politik shumë të lartë midis të djathtës dhe të majtës ekstreme. Kristiandemokratët e qendrës së djathtë që e dominuan atë periudhë, kombinuan konservatorizmin në vend me një pikëpamje të fortë pro-evropiane.

Në dekadat e para pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Italia vazhdoi të ndiqte rrugën e saj të veçantë, duke kërkuar një qasje të moderuar për çështje si migracioni dhe rregullat fiskale.

Ajo u luhat midis integrimit pro-evropian dhe periudhave të euroskepticizmit, me qeveritë e njëpasnjëshme që sfidonin shpesh Brukselin mbi kufizimet buxhetore ose menaxhimin e kufijve.

Edhe ngjitja në pushtet e Melonit i ka rrënjët pas vitit 2015, kur e mbingarkuar nga kriza e emigrantëve në Mesdhe, Italia u ndje e braktisur nga partnerët e saj evropianë. Qëndrimi i ashpër i partisë së saj ndaj migracionit, shfrytëzoi më së miri zhgënjimin e qytetarëve.

Tani ajo tani e paraqet veten si një mbështetëse të vendosur të BE-së, sepse ky është një version i Evropës që përputhet me vizionin e saj: kufij më të sigurt, sovranitet më të fortë kombëtar dhe më pak ndërhyrje teknokratike.

Ironikisht, ndërsa vetë blloku po anon djathtas në lidhje me migracionin, qëndrimet e Melonit nuk duken më aq ekstreme, duke e lejuar ta përqafojë qasjen e BE-në në një mënyrë pragmatike, edhe pse e kritikon ideologjikisht këtë të fundit. Karriera e Melonit pasqyron këtë paqartësi dhe dualitet.

Duke dalë nga një lëvizje politike me rrënjë fashiste, ajo e paraqet tani veten si një evropianiste dhe pacifiste e pasionuar, ndërsa ruan qëndrimet e krahut të djathtë në lidhje me çështjet e migracionit dhe ato kulturore.

Retorika e fortë nacionaliste e Melonit dhe pikëpamjet kulturore të krahut të djathtë, mund të duken në kundërshtim me qëllimin e BE-së, por qasja e saj ndaj kontinentit është shumë pragmatike. Kështu, edhe pse kritikon rregullisht burokracinë e BE-së, qeveria e saj mbetet përfituesja më e madhe e fondeve të rimëkëmbjes së BE-së, duke siguruar 191.5 miliardë euro nga programi i planit të rimëkëmbjes pas Covid-it.

Përveç kësaj, Italia vazhdon të përfitojë nga fondet e kohezionit dhe ato strukturore afatgjata. Ndërkohë, mbështetja e Melonit për Ukrainën, e ndihmon atë të qëndrojë larg zërave pro-rusë në koalicionin e saj, dhe forcon pozitat e Italisë në NATO-n dhe BE.

Ndërsa qasja e Melonit për ta paraqitur Italinë si një urë midis SHBA-së dhe Evropës, mund të sjellë disa përfitime diplomatike afatshkurtra, kjo është një rrugë delikate e mbushur me rreziqe. Afrimi me Uashingtonin nën drejtimin e Trump, politikat e të cilit - veçanërisht në tregti - kanë shkaktuar zemërim të madh në Evropë, rrezikon që ta shqetësojnë Brukselin./Përshtati "Pamfleti" nga “The Conversation”

Lini një Përgjigje