TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Janar 2025, 15:32

A do ta pushtojë vërtet Kanadanë Donald Trump?

Shkruar nga Peter Suciu

 A do ta pushtojë vërtet Kanadanë Donald Trump?

Presidenti i porsazgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i ka shpallur në thelb luftë Kanadasë. Sigurisht, nuk ka gjasa të kemi një sulm të plotë ushtarak, por një luftë tregtare që mund të vijë nga zotimi i Trump për të vendosur që në ditën e parë të presidencës së tij një tarifë prej 25 për qind për të gjithë mallrat kanadeze.

Por nuk do të jetë hera e parë. Gjatë administratës së tij të mëparshme, Trump vendosi tarifa për çelikun dhe aluminin kanadez, dhe Otava u kundërpërgjigj me një tarifë për të njëjtat produkte amerikane. Dhe ka shumë të ngjarë të reagojë në një mënyrë të ngjashme nëse Trump e zbaton këtë kërcënim.

Trump është parë si shumë i fiksuar pas Kanadanë, duke përdorur vazhdimisht mediat sociale për ta përshkruar atë si “shteti i 51-të” SHBA-së,  ndërsa i është referuar si “guvernator” kryeministrit kanadez Justin Trudeau. Presidenti i ardhshëm i Amerikës, ka deklaruar se do të ishte në interesin më të mirë të të gjithëve, që Kanadaja të bashkohej me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, kjo nuk do të ishte dhe aq e lehtë. Siç raportoi kohët e fundit revista amerikane “The Interpreter “50 shtetet aktuale do ta konsideronin Kanadanë një kërcënim të madh për peshën e tyre brenda republikës”. Sepse Kanadaja do të ishte shteti më i madh nga sipërfaqja dhe i dyti për nga popullsia.

Ndikimi i saj do të ishte shumë i madh, dhe do të ndryshonte rrënjësisht ekuilibrin e pushtetit brenda vendit. Alternativa do të ishte që “secila nga 10 provincat e Kanadasë t’i bashkoheshin SHBA-së si shtete të veçanta”. Megjithatë revista thekson se as kjo nuk do të ishte e lehtë, pasi Kanadaja ka evoluar drejt një decentralizimit më të madh të pushtetit.

Në skenarin e fundit, Kanadaja do të sillte papritur në Senat 20 senatorë të rinj, të cilët vijnë nga një vend me një kujdes shëndetësor universal, kontroll të armëve dhe pushime të paguara për punonjësit. Nuk është e vështirë që shumica e tyre, madje edhe disa që janë “konservatorë” të rreshtohen me Partinë Demokratike.

Trump ka sugjeruar se kanadezët do të ishin më mirë si amerikanë, por në fakt nuk ka paraqitur shumë argumente. Megjithatë, nëse skema e karotës nuk funksionon, atëherë Shtetet e Bashkuara mund t’i drejtohen qasjes së shkopit, dhe ta pushtojnë ushtarakisht Kanadanë. Dhe disa nga mbështetësit e Trump duket se janë dakord.

Prezantuesi i Fox News, Jesse Watters u shpreh kohët e fundit: “Fakti që ata nuk duan të bashkohen paqësisht me ne, më nxit dëshirën që t’i pushtoj. Unë dua ta shuaj etjen time imperialiste!”. Watters mund të ketë bërë shaka (ose jo), por amerikanët e kanë pushtuar Kanadanë në të kaluarën.

Dhe jo një, por dy herë! Hera e parë ndodhi edhe para se Shtetet e Bashkuara të fitonin pavarësinë e tyre nga Britania e Madhe. Ndodhi në qershor 1775, dhe synonte marrjen nën kontroll të  provincës së Kebekut nga kurora britanike dhe bindjen e kanadezëve (vendasit frëngjisht-folës) për t’iu bashkuar Revolucionit.

Fushata zgjati deri në tetor 1776 dhe përfundoi me fitoren e britanikëve. Ajo rezultoi të ishte një katastrofë për Ushtrinë Kontinentale. Megjithatë pushtimi i Kebekut dhe i kolonive të tjera kanadeze, mbeti një objektiv i Kongresit të SHBA-së. Etërit tanë Themelues, mund të kenë pasur vizionet e tyre për ta bërë Amerikën më të madhe.

SHBA-ja u përpoq sërish gjatë Luftës së vitit 1812. Amerikanët korrën disa fitore, dhe madje pushtuan qytetin e Jorkut, që ishte kryeqyteti i Kanadasë së Epërme. Pasi fituan betejën, amerikanët fitimtarë dogjën ndërtesën e parlamentit dhe plaçkitën disa ndërtesa të tjera qeveritare.

Britanikët u kundërpërgjigjën pak më vonë duke djegur Uashingtonin. Kur forcat britanike dukeshin në prag të humbjes, gjërat ndryshuan dhe ata kaluan në avantazh. Me mbështetjen e aleatëve të tyre vendas, amerikanët u zmbrapsën. Edhe fushata në Kanadanë e Poshtme nuk përfundoi me fitoren e SHBA-së.

Ai moment shënoi pushtimin e fundit të Kanadasë, por nuk ishte hera e fundit që u morën në konsideratë veprime të tilla. Strategët ushtarakë në të dyja vendet, kanë hartuar plane pushtimi që nga shekulli XIX.

Gjatë epokës së pas Luftës së Parë Botërore, gjenerali kanadez James Broën u ngarkua me hartimin e një plani për pushtimin e Shteteve të Bashkuara. Brown konceptoi edhe skemën e mbrojtjes së Kanadasë, që ishte një plan për t’i rezistuar një pushtimi të mundshëm të SHBA-së.

Në vitin 1930, SHBA-ja hartoi Planin e Kuq të Luftës, një studim i detajuar se si ushtria amerikane mund të pushtonte me sukses Kanadanë. Siç raportoi Politico.com  në 2018 (kur Trump dhe Trudeau u përplasën për herë të fundit në publik), plani parashikonte një “sulm në 3 drejtime nga toka dhe deti, duke filluar me një bllokadë detare të Halifax-it, dhe duke dërguar kolona trupash nga Detroit dhe Albany për të pushtuat Toronton dhe Montrealin, nga Bellingham për të pushtuar Vankuverin dhe nga Bostoni për të marrë Halifax-in.

Fakti që SHBA-ja hartonte një plan të tillë më pak se një shekull më parë nuk është befasues, pasi strategët ushtarakë mendonin shpesh mbi luftëra në dukje të paimagjinueshme. Ai madje u shoqëria me një stërvitje që përfshiu 36.000 ushtarë vetëm 40 km larg kufiri. Ai u deklasifikua vetëm në vitin 1974, por ka të ngjarë që në fuqi të jetë një plan më i ri.

A mund të kemi këtë vit një pushtim? Është e vështirë të thuhet me saktësi, por nuk ka dyshim se ushtria e Shteteve të Bashkuara do të kishte një avantazh të madh. Vetëm pak kufij natyrorë, do të ngadalësonin një forcë sulmuese amerikane, e cila do të kishte një avantazh të madh për sa i përket numrit të avionëve, tankeve dhe personelit.

Marina amerikane mund të bllokojë shpejt çdo port dhe Forca Ajrore e SHBA-së, do të kishte me siguri epërsi ajrore. Kjo do të çonte në një fitore të shpejtë. Ndërkohë forca luftarake modeste e Kanadasë mund të arratisej më në veri. Forca e saj totale, duk përfshirë ato aktive dhe në rezervë është vetëm rreth 100.000 trupa.

SHBA-ja do të ishte e pandalshme në depërtimin e saj në qytetet e mëdha. Në këto kushte, forcat e vogla elitare kanadeze, ka të ngjarë të fshihen në zonat e shumta të pabanuara, duke synuar të luftojnë në një moment të dytë.

Dhe në vend të një lufte si ajo midis Rusisë dhe Ukrainën, me linja të gjata llogoresh, duele artilerie dhe rrethime, një pushtim i Kanadasë ka të ngjarë të ngjasojë me fushatat kryengritëse me të cilat SHBA-ja u përball në Afganistan dhe Irak. Por me një popull që flet të njëjtën gjuhë si forca pushtuese. Çdo përpjekje për të shtypur një kryengritje, do të kishte kosto jo të vogla./Përshtati Pamfleti nga “National Interest”

donald trump kanadaja

Lini një Përgjigje