
Një 27-vjeçar ka vdekur dhe më shumë se 20 persona janë plagosur në Ohio pas një sulmi me armë nga persona ende të paidentifikuar.
Policia mori telefonata që raportonin të shtëna pranë Kelly Avenue dhe 8th Avenue, rreth 40 milje në jug të Cleveland, pak pas mesnate. Nuk është e qartë për momentin se çfarë ndodhi përpara të shtënave.
"Oficerët u dërguan menjëherë dhe u përgjigjën në zonë. Menjëherë pas mbërritjes së atyre thirrjeve, qendra e thirrjeve mori njoftime nga spitalet lokale se shumë persona po vinin në departamentet e urgjencës me plagë nga armë zjarri", tha Departamenti i Policisë Akron në një njoftim për shtyp.
Të paktën 26 persona mbetën të plagosur, ndërkohë që po marrin trajtime nëpër spitalet në afërsi të zonës.
Një armë dhe “disa dhjetëra gëzhoja” u gjetën nga vendi i të shtënave. Ende nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen.
Në një deklaratë të përbashkët, kryebashkiaku i Akronit, Shammas Malik dhe shefi i policisë Brian Harding thanë se qyteti ndodhet në shok pas ngjarjes tronditëse.
“Ne do t'i nxjerrim përgjegjësit para drejtësisë dhe kemi nevojë për ndihmën e komunitetit tonë për ta bërë këtë. Për ata që kanë informacion për këtë të shtëna të tmerrshme – ne kemi nevojë që ju të flisni për të parandaluar dhunën dhe hakmarrjen e mëtejshme”, thuhet në deklaratë.
Lini një Përgjigje