TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 5 Shkurt 2024, 15:49

Rrugët e “arta” që gërryejnë buxhetin: Shtyrje afatesh, rritje kostosh dhe shpërdorim fondesh!

Shkruar nga Pamfleti

Rrugët e “arta” që gërryejnë buxhetin: Shtyrje

Rrugët vijojnë të gllabërojnë miliona nga buxheti i shtetit. Edhe pse ministrja Belinda Balluku del përditë nëpër media dhe inauguron copëza rruge, në fakt ka disa akse që nuk po mbarojnë kurrë dhe vijojnë të marrin miliona fonde.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë

Shembulli më skandaloz i abuzimeve me rrugët është aksi Qukës-Qafë Plloçë. Kjo rrugë ka afro 15 vite që është në ndërtim dhe nuk po mbaron. Një vit më parë qeveria mori 49 miliardë borxh për përfundimin e punimeve. Kemi të bëjmë me një rrugë vetëm, 44 kilometra dhe vetëm shtohen fondet vit për vit.

Për të pasur një ide më të qartë të këtij aksi: Puna për të filloi në vitin 2009 nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha. Në atë kohë u asfaltuan vetëm 3 kilometra rrugë për efekt fushate dhe më pas rruga mbeti rrugëve.

Projekti fillestar kushtonte 134.6 milionë dollarë ndërkohë që pas ndryshimeve të njëpasnjëshme të projektit, vlera u shtua me 63% e vlerës fillestare, ku vlera shkoi në 218.8 milion dollarë.

Qeveria aktuale planifikonte që rruga të mbyllej në vitin 2019, por afati u shty për në 2023 dhe po ashtu kjo u shoqërua me ndryshime në buxhet.

Në shtator të vitit 2020 ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se për përfundimin e saj nevojiten edhe 105.8 mln USD, prej të cilëve 56.8 mln USD për lotin I dhe II dhe 49 mln USD për lotin III, ndërkohë që nga aprovimi i fondit do të duheshin edhe 22 muaj për të dorëzuar veprën.

Por afatet u shtynë dhe u kërkuan sërish para. Në fund të vitit 2021, qeveria njoftoi se e duhen së paku edhe 56.7 milionë euro shtesë për financimin e punimeve deri në përfundimin e plotë. Rruga vijon të mbetet rrugëve.

Rruga e Arbrit

Rast tjetër është Rruga e Arbrit. Kryeministri e inauguroi me shumë bujë, por edhe kjo është një “gjysmë rruge”. Punimet kanë mbetur në mes dhe në një pjesë të madhe të saj ka vetëm asfalt elektoral, jashtë standardeve. Ndërtimi i rrugës 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare për kompaninë ‘Gjoka Konstruksion’, filloi në vitin 2018. Projekti parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta.

Por edhe pse u inauguruar me bujë, në dimër kjo rrugë nuk është e kalueshme. Të gjithë e pamë pak javë më parë kur ra dëborë që në Qafën e Murrizit nuk kalohej. “Gjoka Konstruksion” vijon të marrë miliona, pro edhe kjo rrugë ka mbetur rrugëve.

Ndërtimi i rrugës prej 54 kilometrash që lidh Tiranën me Dibrën filloi në vitin 2018, pasi kompania “Gjoka Konstruksion” fitoi koncesionin me ofertën prej 33.6 miliardë lekësh. Deri në qershor të vitit 2023, kompania mori pagesa me vlerë 13.4 miliardë lekë. Projekti parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta. Por vepra kryesore e projektit, tuneli i Qafës së Murrizit, 3.8 kilometra i gjatë,  është zëvendësuar nga një rrugë e ngushtë malore 8.8 kilometra.

Problemet e hasura me hapjen e këtij tuneli janë përdorur si justifikim i ministrisë për zgjatjen e kësaj kontrate 2 herë me 37 muaj në total. Plani është që punimet të përfundojnë në vitin 2025, por duhet të shihet.

Rruga Thumanë-Kashar

Në maj të vitit që shkoi, qeveria i hapi rrugë koncesionit për aksin Thumanë-Kashar. Pas anulimit të tij në vitin 2019, qeveria vendosi të zbatojë një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit, e cila kundërshtoi pezullimin e kontratës.

Kujtojmë se, ndërtimi i segmentit Thumanë-Kashar me kosto stratosferike 457 milionë euro u rikthye nga Gjykata e Apelit pas padisë së “Gener 2” ndaj ministrisë. Trupa gjykuese e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa rrëzuan urdhrin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të datës 25 janar 2019, për ndërprerjen e koncesionit Thumanë-Kashar.

Por interesant është fakti se qeveria nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë për këtë koncesion dhe tashmë i është hapur rruga vijimit të kontratës.

Pas përfundimit të tenderit, qeveria dhe Gener 2 hynë në një fazë negociatash, të cilat duhej të çonin në kontratën finale. Por një skandal shpërtheu dhe negociatat nuk u përmbyllën. Në dhjetor 2018, u zbulua se një kompani fantazmë me emrin DH Albania rezultoi fituese e dy tenderëve me vlerë 30 milionë euro në Shqipëri, pasi kishte përdorur më parë dokumente të falsifikuara.

Përveç kostove tepër të larta të ndërtimit prej 225.8 milionë euro për 21 km, koncesionari tashmë do të vendos një tra, për faturimin e çdo automjeti që do të kalojë në këtë aks rrugor. Faturimi do bëhet mbi një formulë komplekse ku parashikohet të jetë 2.1 euro për automjetet, ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë me më pak se katër akse 6.3 euro dhe për ato me mbi katër akse arrin deri në 9 euro

Në fund të 35 viteve është parashikuar që koncesionari të përfitojë rreth 1.3 miliardë euro pa TVSH. Gjithashtu në kontratën e bërë publike shteti vendos edhe  22.8 milion euro garanci për 8 vite nëse privati nuk mbledh të ardhurat e planifikuara. /Pamfleti

Lini një Përgjigje