Afatet e punimeve të komisionit të Fatmir Xhafës pritet të zgjaten deri më 30 korrik...
Fokusi kryesor i Parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë te Reforma në Drejtësi.
Ndonëse këto ditë e ka frenuar retorikën, Edi Rama e ka bërë tashmë të qartë se SPAK është kthyer në shqetësim edhe për të. Sulmi që nisi pas arrestimit të Veliajt ishte shumë i kalkuluar.
Rama testoi opinionin publik, por nuk i doli sikundër priste. Në sondazhet që ka bërë vetë PS, mbështetja për SPAK është rritur më shumë pas arrestimit të Veliajt, ndërkohë që sulmet e Ramës nuk janë mbështetur. Për këtë arsye kryeministri ka ndryshuar kurs dhe nuk e përmend më SPAK. Madje ka udhëzuar dhe deputetët që të mos e sulmojnë më.
Por kjo nuk do të thotë se ai ka hequr dorë nga plani për “ta futur në shina Strukturën e Posaçme”. Vetë Rama ka thënë se duhen standarde evropiane dhe në lojë do të futet komisioni i Fatmir Xhafës, i cili vijon punën pavarësisht se PD e ka bojkotuar. Në mbledhjen e fundit të pak ditëve më parë, ky komision ka vendosur të zgjasë afatet e punës deri më 30 korrik.
“Komisioni i Posaçëm miratoi dhe kërkesën e paraqitur nga znj. Lefterije Luzi, drejtuese e Sekretariatit Teknik për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtij Komisioni, deri më datë 30 korrik 2025, për t’iu lënë kohë në dispozicion ekspertëve të reflektojnë sugjerimet dhe komentet e përftuara gjatë diskutimeve teknike për përfundimin e Planit Kombëtar të Veprimit për të tre shtyllat. Kërkesa e miratuar nga komisioni i posaçëm, do i kalojë për shqyrtim, Konferencës së Kryetarëve dhe seancës plenare”, njoftoi komisioni.
Nëse analizojmë detajet, më 30 korrik mbyllet sesioni parlamentar dhe vendimet që do të merren do të duhet të shqyrtohen nga Parlamenti i ri, i cili nis punën në shtator.
Patjetër duhet të merren parasysh shumë elemente. Së pari nëse PS do të vijojë të jetë në pushtet, pasi nëse vjen PD, me gjasë ky komision nuk do të ekzistojë, pasi Berisha do ta shkrijë SPAK me metoda të tjera.
Por sipas burimeve, Edi Rama synon të ketë një shumicë më të konsoliduar. Edhe nëse PS mund të mos ketë 84 mandate, e synon që t’i arrijë ato me aleanca, duke futur në këtë mes Tom Doshin apo deputetë të tjerë. Nëse arrihet numri magjik prej 84 votash, pritet të bëhen ndryshime thelbësore që do të kufizojnë arrestimet e SPAK. Por duhet të presim 11 majin, pasi nga aty do të vendoset gjithçka. /Pamfleti
Lini një Përgjigje