Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë për Oltion Bistrin, ish-shefi i Operacionales, që u arrestua me urdhër të SPAK. Kështu, Bistri u la në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 05.04.2024, ora 10:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 15 akti, datë 28.03.2024 regjistrimi, lidhur me rishqyrtimin e ankimit të personit nën hetim Oltion Bistri., ndaj vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në lëndë të masave të sigurimit personal), dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përkundrejt të hetuarit ankues Oltion Bistri.
Ish-kryepolici Oltion Bistri është arrestuar në 2023-shin me akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke nxjerrë sekrete hetimore e dekonspiruar aksione policie.
Në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, veç tij, u arrestuan edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori i Kukësit Xhevahir Lita dhe 3 të tjerë, mes tyre Edmond Preka dhe Astmer Bilali.
Oltion Bistri, në cilësinë shefit të Policisë ka abuzuar me detyrën në dy raste, duke informuar Pëllumb Gjokën në kohë reale për aksionet e policisë lidhur me operacionin e shumë-përfolur “Lojrat e Fatit”, dhe në një rast të dytë për kapjen e një personi në kërkim.
Bëhet fjalë për shtetasin nga Shkodra, Ali Hysa, i cili ishte shpallur në kërkim nga prokuroria e Përmetit për akuzën e “Prodhim dhe shitje të lëndeve narkotike”.
Hysa dilte në përgjime në një grup të madh të shpërndarjes së drogës, ndaj dhe prokurori i Përmetit, Asllan Bajramaj, kishte vendosur në 2020-ën t’a shpallte në kërkim duke urdhëruar policinë ta arrestonte.
Por në dosjen franceze del se plani operacional për kapjen e Ali Hysës nga Shkodra është dekonspiruar nga shefi i Policisë, Oltion Bistri.
Sipas dosjes, Oltion Bistri dyshohet se ka konsumuar edhe elementët e veprës penale “Zbulimi i akteve, ose të dhënave sekrete”, pasi për shkak të detyrës së tij ai erdhi në dijeni të dokumentit të titulluar "FATI I LOJRAVE".
Dokumenti mban datën 20 shkurt 2020 dhe është miratuar nga Drejtori i Policisë, pranë Drejtorisë së Tiranës, Rebani Jaupi, i cili është klasifikuar si sekret.
Bistri, pasi është vënë në dijeni të këtij plani, ka vënë në dijeni të hetuarin Pëllumb Gjokën me qëllim që ky i fundit të merrte masa që të mos zbuloheshin pajisjet e lojërave të fatit.
Po kështu për shkak të detyrës së tij, si dhe planeve operacionale të hartuara nga Drejtoria Vendore Tiranë në lidhje me faktin e shpalljes në kërkim të Ali M.Hysa, i shpallur në kërkim më datë 28 Shkurt 2020 nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bazë të urdhrit të Prokurorisë Përmet dhe këtë të dhënë sekrete Bistri, e ndau me të hetuarin Pëllumb Gjoka.
Lini një Përgjigje