
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për vdekjen e vogëlushes 7-vjeçare?
Gjykata e Vlorës ka vendosur të shpallë të pafajshëm pesë efektivët e policisë të akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me tragjedinë e Potamit, ku humbi jetën vogëlushja Jonada Avdiaj, vetëm 7 vjeç.
Pas një procesi gjyqësor që zgjati plot tre vite, prokuroria kërkoi dënimin me nga 1 vit e 6 muaj burg për secilin prej pesë efektivëve. Por Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë vendosi ndryshe: të gjithë të pafajshëm.
Në sallën e gjyqit foli edhe gjyshi i së ndjerës, Ismet Avdiaj, i cili u shpreh i tronditur dhe thellësisht i zhgënjyer nga vendimi. “Drejtësia nuk funksionoi; pretendimet tona nuk u dëgjuan asnjëherë,” tha ai, ndërsa vendimin e gjykatës e quajti të padrejtë dhe fyese për dhimbjen e familjes.
Ngjarja që tronditi Shqipërinë ndodhi më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit, Himarë. Një gomone e drejtuar nga oficeri i policisë Arjan Tase përplasi për vdekje Jonadën, teksa ajo po lahej në breg me babain e saj. Për këtë ngjarje, Tase u dënua me 18 vite burg për “vrasje me dashje”, por përfitoi ulje dënimi duke marrë 12 vite përfundimtare.
Ndërsa ai po vuan dënimin, hetimet për efektivët e tjerë që kishin për detyrë garantimin e sigurisë në plazh përfunduan me një “falje totale” nga drejtësia. Prokuroria i cilësoi ata si përgjegjës për mungesën e kontrolleve dhe masave, por më 16 korrik 2025, Gjykata e Vlorës vendosi ndryshe – pa ndëshkim, pa përgjegjësi.
A është kjo drejtësia që duam? A mund të ketë një fëmijë më pak vlerë se një tabelë rregullash të shpërfillura? Familja Avdiaj kërkonte drejtësi; mori një tjetër akt të heshtjes institucionale. Dhe pyetja që mbetet pezull është kjo: Kush e mban realisht përgjegjësinë për vdekjen e Jonadës?
Lini një Përgjigje