Ju ftojme te ndiqni nje bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zeze, ku nder te tjera vecojme:
RENEA dhe policia vijojnë kërkimet për Sadik Llanin, i dyshuar për një vrasje në Kamëz. Gjatë operacionit në Fushë-Krujë dhe zonat përreth janë kontrolluar dhjetëra banesa, ndërsa në Bovillë është gjetur automjeti i braktisur që dyshohet se është përdorur nga autori. Në një tjetër rast, në Tiranë është arrestuar një person i dyshuar për përfshirje në zhdukjen e Eglant Koçit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të fatit të tij.
Në Shkodër, policia ka ndaluar një person të dyshuar për transportimin e autorit të sulmit ndaj drejtorit të AKU-së, duke identifikuar edhe një autor tjetër të shpallur në kërkim. Ndërkohë, në Vlorë është goditur një grup kriminal me 6 të arrestuar, i dyshuar për armëmbajtje, trafik droge dhe plagosje, ku janë sekuestruar armë, automjete dhe para cash.
Po në Vlorë, Prokuroria ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 5 milionë euro, të dyshuara të përfituara përmes dokumenteve të falsifikuara, në kuadër të hetimeve për pastrim parash. Po ashtu, një aksident i rëndë në bypass-in e qytetit i mori jetën një 40-vjeçari, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur.
Në sistemin e drejtësisë, GJKKO ka vijuar me çështje të rëndësishme: Ilir Beqaj në dosjen “Sterilizimi” ka kërkuar përjashtimin e provave dixhitale, duke vënë në dyshim laboratorin e SPAK, ndërsa janë dhënë edhe vendime për anëtarë të grupeve kriminale të lidhura me Laert Haxhiun, përfshirë dënimin e Kristi Bixhekut dhe Artan Tafanit.
Jashtë vendit, në Itali është goditur një rrjet i madh trafiku kokaine me 12 të arrestuar, ku një piceri përdorej si bazë logjistike. Në Kosovë po zhvillohet një operacion i gjerë antidrogë me përfshirjen e Europol dhe disa shteteve të BE-së, ku janë firmosur disa fletë-arreste.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, një investigim i “Daily Mail” ka ngritur shqetësime për disa lokale në veri të Londrës, të lidhura me ankesa për zhurmë, shkelje licencash dhe dyshime për aktivitet kriminal, duke nxitur reagimin e autoriteteve vendore dhe policisë.
Lini një Përgjigje