Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për 23 anëtarët e dy grupeve kriminale të akuzuara për trafikimin e emigrantëve të paligjshëm drejt Shqipërisë dhe më pas në vendet e Bashkimit Europian. Në total, 19 persona u dënuan me 104 vite burg, ndërsa 4 të tjerë u shpallën të pafajshëm.
Sipas hetimeve të SPAK, grupet kriminale kanë organizuar hyrjen e paligjshme të më shumë se 650 shtetasve të huaj, kryesisht nga Bangladeshi dhe Kameruni, gjatë periudhës 2023-prill 2024. Emigrantët paguanin nga 6 mijë deri në 8 mijë euro për t’u futur në Shqipëri dhe më pas për të vijuar rrugën drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Paratë transferoheshin kryesisht nëpërmjet sistemit informal “Hawala”, ndërsa pagesat kryheshin në Dubai dhe më pas mbërrinin te drejtuesit e rrjetit në Shqipëri.
Hetimet e SPAK zbuluan se organizata funksiononte në dy nivele. Një grup siguronte kontrata pune fiktive dhe dokumentacionin e nevojshëm për pajisjen me viza pune, ndërsa grupi tjetër merrej me transportimin e emigrantëve nga Shqipëria drejt Kosovës, më pas në Serbi dhe në fund në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas dosjes hetimore, vetëm në një periudhë gjashtëmujore mbi 250 shtetas nga Bangladeshi kanë hyrë në Shqipëri përmes këtij mekanizmi. Ata deklaroheshin si të punësuar në fasoneri apo biznese të ndryshme, ndërsa në realitet qëllimi final ishte largimi drejt vendeve të Europës Perëndimore.
Në qendër të hetimit ka qenë biznesmeni Endri Seiti, të cilin SPAK e konsideron një nga organizatorët kryesorë të skemës. Sipas prokurorisë, ai përdorte njohjet dhe bizneset për të siguruar kontrata pune fiktive për emigrantët. Si organizator tjetër është identifikuar edhe Luan Tafalla, i cili sipas hetimeve priste shtetasit e huaj në Aeroportin e Rinasit dhe kujdesej për akomodimin e tyre.
Më pas, emigrantët i kaloheshin rrjetit të transportit të drejtuar nga Luan Sulaj, i cili sipas SPAK organizonte lëvizjen e tyre drejt kufirit me Kosovën përmes një grupi kriminal që vepronte në zonën e Kukësit.
Gjatë hetimeve, SPAK dokumentoi edhe takime mes personave të përfshirë në skemë. Përgjimet tregojnë se në shtator 2023, disa nga të pandehurit janë takuar në një restorant për të koordinuar veprimtarinë e grupit, ndërsa një pjesë e tyre siguronin kontrata qiraje dhe adresa fiktive për të justifikuar qëndrimin e emigrantëve në Shqipëri.
Nga vendimi i shpallur nga GJKKO, dënimet më të larta u dhanë për Endri Seitin dhe Luan Tafallën, të cilët u dënuan me nga 12 vite burg secili, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktuan në 8 vite. Ndërsa shumica e anëtarëve të tjerë morën dënime nga 5 deri në 10 vite burg, të reduktuara më pas me një të tretën.
Katër persona, Edmond Braha, Artan Sulaj, Orkid Pijaneci dhe Ermal Hoxha, u shpallën të pafajshëm dhe për ta u shuan masat e sigurisë.
Operacioni i SPAK kishte çuar fillimisht në arrestimin e 24 personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Mes personave të përfshirë në dosje kishte edhe efektivë policie, çka e bëri çështjen një nga hetimet më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e trafikut të emigrantëve.
Sipas prokurorisë, aktiviteti i grupit kishte krijuar një korridor të mirëorganizuar për futjen dhe tranzitimin e emigrantëve të paligjshëm, duke përdorur dokumente fiktive, kompani private dhe rrjete transporti për të anashkaluar kontrollet kufitare.
Dënimet e dhëna nga GJKKO:
-Endri Seiti dhe Luan Tafalla dënohen me 12 vite burg, 8 vite me gjykim të shkurtuar.
-Endrit Ismailaj dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
-Arnold Shpata dënohet me 10 vite burg, 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.
-Altin Hasani dënohet me 2 vite e 6 muaj burg dhe lirohet nga qelia.
-Edmond Braha shpallet i pafajshëm dhe lirohet nga qelia. Shuhet masa “arrest në burg”.
-Xhuljeta Çopa dënohet me 8 vite burg, 5 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar.
-Artur Mata dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
-Artan Sulaj shpallet i pafajshëm dhe lirohet nga qelia.
-Luan Sulaj dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
-Emmanuel Delphin Assako dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
-Arba Hysenallari dënohet me 6 vite burg, 4 vite me gjykim të shkurtuar.
-Shkëlzen Matmuja dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
-Faik Matmuja dhe Bukurosh Muja dënohen me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
-Lulëzim Lami dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
-Tomë Preka dënohet me 10 vite burg, 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.
-Xhuljo Krasniqi dënohet me 5 vite burg, 3 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar.
-Iglan Allici dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
-Edmond Baklli dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
-Arjel Hoxha dënohet me 5 vite burg.
-Orkid Pijaneci dhe Ermal Hoxha shpallen të pafajshëm.
Lini një Përgjigje