Agjentët e BKH kanë zbarkuar në qytetin e Vlorës mesditën e së mërkurës rreth orës 12:30, me qëllimin e kontrollit të banesës së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ata kanë pritur tre orë pasi kanë kërkuar çelësin e banesës, por nuk është paraqitur askush. Pas tre orësh, rreth orës 15:30, kanë lajmëruar shërbimin zjarrfikës me qëllimin e hapjes së banesës me forcë.
Burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se në banesë nuk janë gjetur sende të dyshimta përveç disa shisheve me verë. Edhe pse nga avokati i Beqaj ka pasur një reagim për objektin që nuk është në pronësi të Ilir Beqaj, agjentët e SPAK-ut kanë kryer kontrollin.
Sipas informacioneve, në kontrollet e mëparshme në sendet e Beqaj janë gjetur foto të objektit me të njëjtin arredim.
Ndërkohë, pas kontrollit të banesës deri në orët e pasdites (18:00), agjentët kanë kontrolluar disa garazhe në pallat. Informacionet e grumbulluara bëjnë me dije se ish-ministri parkonte një makinë pikërisht në atë pallat. Një burim tha se gjatë kontrolleve të pronave të ish-ministrit nuk është gjetur një automjet, prandaj po kërkohet edhe në garazhet e pallatit.
Beqaj u arrestua në fillim të muajit korrik me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se përmes njerëzve të besuar ku njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë SASPAK, ata kanë përfituar shuma të mëdha parash duke lëshuar fatura fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.
Mbi ish-ministrin e Shëndetësisë rëndojnë akuzat “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësi publik ose çdo personi tjetër, që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, si dhe “Mashtrimi”.
Dy ditë më parë, më 22 korrik, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka ankimuar në apelin e GJKKO, masën e sigurisë arrest me burg duke argumentuar se nuk ka rrezik që të largohet jashtë vendit apo të prishë provat.
Lini një Përgjigje