
Publikimi i transkriptit të seancës gjyqësore të 12 Shkurtit, ku u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun Erion Veliaj, ka krijuar një përplasje të madhe mes këtij të fundit, GJKKO-së dhe SPAK-ut.
E gjithë përplasja nisi kur Veliaj postoi në rrjetin e tij social, një pjesë të cilën ai pretendon se është transkriptit nga seanca gjyqësore në GJKKO, ku prokurori Ols Dado i drejtohet kryebashkiakut me fjalët “ndyrësirë”. Nga transkriptimi që është publikuar nga Erion Veliaj, vihen re gjithashtu tonet e larta që kanë shoqëruar seancën në GJKKO.
Reagimi i Veliajt
“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!
Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, shkruan Veliaj në postimin e tij në rrjetin social “Facebook”, teksa bashkëngjit dhe foton e transkriptit.
Reagimi i GJKKO
Pas deklaratave të Veliajt, ka reaguar Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) e cila ka hedhur poshtë transkriptin e publikuar nga Veliaj në rrjetin e tij social “Facebook”.
Në një deklaratë për mediat, GJKKO theksoi se ky procesverbal nuk është i vërtetë, pasi nuk rezulton që gjatë seancës të jetë përdorur përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado.
“Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.
Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, shkruhet në reagimin e GJKKO-së.
Reagimi i SPAK
Pas GJKKO-së, ka reaguar edhe Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) e cila gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, se gjatë seancës është cilësuar si “ndyrësirë” nga prokurori i çështjes, Ols Dado.
SPAK ka publikuar dokumentet zyrtare të GJKKO-së dhe transkriptin e mbledhjes, teksa thekson se kjo seancë është dhe e regjistruar me audio dhe në asnjë rast nuk është përdorur termi fyes ndaj Erion Veliajt. Në bisedën e publikuar nga SPAK, shihet teksa prokurori e cilëson si kërcënim publikimin e adresës së banesës së tij nga kryebashkiaku Veliaj.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ju informon si vijon: Procesverbali i seancës gjyqësore i datës 12.02.2025, në faqen 292, e numërtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media. Kjo mësipër është faqja 292 e procesverbalit të skanuar, e firmosur nga sekretarja e GJKKO-së”, thuhet ne reagimin e SPAK.
Lini një Përgjigje