TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Gusht 2025, 19:36

Pse u takua me Ramën? Behgjet Pacolli thyen heshtjen, mediat e nxjerrin zbuluar

Shkruar nga Pamfleti

Pse u takua me Ramën? Behgjet Pacolli thyen heshtjen, mediat e nxjerrin

Behgjet Pacolli ka thyer heshtjen lidhur me vizitën e dy ditëve më parë në ambientet e Kryeministrisë në Tiranë. Ai u takua me kryeministrin Rama, teksa nuk pati asnjë reagim. Sot në media pati një artikull se Behgjet Pacolli është ankuar te Rama, pasi duan t’i marrin koncesionin e aeroportit të Vlorës. Po ashtu “Pamfleti” raportoi se ai mund të jetë dhe pjesë e qeverisë së re. Pacolli ka reaguar pak më parë lidhur me zërat për konfliktin e nisur mbi Aeroportin e Vlorës.

Reagimi i Pacollit:

Është e padrejtë të krijohen histori me insinuata. Artikulli i gazetës Kapitali është po aq i shtrembëruar sa edhe i padrejtë.

Unë, së bashku me drejtorin e kompanisë Mabco, koncesionare shumicë e Aeroportit të Vlorës, kemi qenë në Kryeministri thjesht për një vizitë kortezie, ku informuam për ecurinë e punimeve në aeroportin e Vlorës.

Nuk është aspak e vërtetë, as korrekte, të thuhet se ka pasur ndonjë presion apo kërkesë për t’u përfshirë qeveria, ashtu siç raportojnë disa media.

Në fakt, duke qenë se aeroporti tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional, Mabco ka nisur procesin e riorganizimit të brendshëm, që lidhet vetëm me menaxhimin normal.

Duke marrë shkas nga leximi me i thellë i  një shkrimi në  media, dua të konfirmoj që puna për përfundimin e aeroportit të Vlorës po ecën përpara me sukses dhe me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare! Ne mezi presim që ta përfundojmë aeroportin në afat për ti dhënë Shqipërisë dhe bregdetit të saj të bukur dhe një destinacion tjetër. 

Vendimet e aksionerit te VIA nuk janë asgjë tjetër përveçse procedura rutinë që kanë të bëjnë me procese normale qe kane lidhje me garancine ndaj institucioneve financiare për mos transferimin e kuotave sa kohe qe kreditë e marra apo që do merren në lidhje me zhvillimin e aeroportit nuk janë shlyer.

Shkrimi i Kapitalit

Axhenda e Edi Ramës ka qenë e ngjeshur me takime ditët e fundit, teksa kryeministri thuhet se ka nisur konsultimet për qeverinë e re. Por mes vizitave të shumta, në zyrën e shefit të qeverisë, pati dhe një vizitë disi të pazakontë.

Dy ditë më parë, mediat raportuan se në Kryeministri mbërriti me urgjencë edhe ish Presidenti i Kosovës, biznesmeni Behgjet Pacolli. Ndonëse vizita e Pacollit u raportua si e lidhur me konsultimet politike, baca nga Kosova kishte një tjetër hall. Pacollit po i bëjnë presion për t'i marrë aeroportin e Vlorës me forcë.

Kapitali kontaktoi kompaninë Vlora International Airport për këtë çështje, por kompania nuk pranoi të flasë. Megjithatë Kapitali ka mundur të shtjerë në dorë dokumenta zyrtarë që faktojnë se koncesioni i aeroportit të Vlorës është nën sulm.

Në datën 21 gusht, asambleja e ortakëve të shoqërisë Mabco Construction, e cila zotëron 98 për qind të aksioneve të aeroportit të Vlorës, u mblodh me urgjencë në Lugano të Zvicrës. Në rendin e ditës të mbledhjes jashtë radhe kishte vetëm një pikë totalisht të pazakontë dhe shumë të çuditshme.

"Sot me date 21.08.2025, shoqeria Mabco Constructions SA ortake ne shoqerine "Vlora International Airport -VIA" sh.p.k vendosi kufizimin e çdo transferimi pronesie (te kaluar, te tashem apo te ardhshem) te kuotave te zoteruara nga Mabco ne kapitalin themeltar te VIA, deri ne nje vendimmanje te dyte, dhe te regjistrimit te tyre ne Qendren Kombetare te Biznesit," thuhet në vendim.

Vendimi i pazakontë i Mabcos

Pra shoqëria ka marrë vendim që të mos lejojë asnjë shitje aksionesh në aeroportin e Vlorës. Kjo është njësoj sikur një qytetar të marrë vendim për të ndaluar shitjen e shtëpisë së tij, kur në fakt i vetmi që mund ta shesë shtëpinë është po vet qytetari.

Çfarë e shtyn një kompani të marrë një vendim të tillë?

Në fakt, kjo është mbrojtja që Pacolli po i bën vetes nga Zvicra për presionet që po i bëhen në Tiranë për t'i marrë aeroportin. Ose dalja nga një marrëveshje potenciale jopublike. Dhe mënyra se si është formuluar vendimi flet për shitje aksionesh apo marrëveshje në të kaluarën. Kjo hedh dyshime të tjera.

Skandal ndërkombëtar

Skandali i rëndë tashmë është ndërkombëtarizuar. Kapitali ka mësuar se kompania ka vënë në dijeni zyrtarisht të paktën dy ambasada në Tiranë se po tentojnë t'i rrëmbejnë biznesin. Kjo ishte me sa duket se arsyeja se pse Edi Rama e priti me urgjencë Behgjet Pacollin në zyrën e tij në kryeministri.

Në fakt, pritja e Pacollit në ambientet e kryeministrisë është po ashtu e pazakontë. Edi Rama preferon që skandale kaq të mëdha t'i zgjidhë në privat, larg syve të publikut.

Por këtë herë Edi Rama nuk e zhvilloi takimin privatisht në një nga vilat e tij të shumta qeveritare, por zgjodhi që pritjen ta bëjë në Kryeministri publikisht. Dhe dikush që është mjeshtri më i madh i llogarive në këtë vend nuk bën asgjë pa një arsye.

Mos e ka bërë Mehmeti me kokën e tij

Pritja publike e Pacollit në kryeministri është në fakt edhe një mesazh, përmes të cilit Edi Rama po distancon formalisht veten nga skandali që po shpërthen. Kjo rrezikon dikë tjetër; zëvendësen e tij në qeveri, Belinda Balluku.

Zonja Balluku është titullarja e autoritetit kontraktor për koncesionin e aeroportit të Vlorës. Ajo bashkë me Edi Ramën, janë dy njerëzit e vetëm në Shqipëri që kanë fuqi për t'i rrëmbyer biznesin Behgjet Pacollit. Por sicc koha e ka treguar tashmë në më shumë se një rast, kur intrigat korruptive të qeverisë shpërthejnë në publik, bëhet gjithmonë një kurban dhe kurbani nuk është asnjëherë Edi Rama.

A do të jetë skandali i Aeroportit të Vlorës tërmeti që do të lëkundë pozitat e ministres më të fuqishme të qeverisë. Kjo mbetet për t'u parë, por tani Belinda Balluku është seriozisht në rrezik.

Gjithsesi skandali i Aeroportit të Vlorës sapo ka shpërthyer. Gjatë ditëve në vijim me shumë gjasa do të publikohen të tjera detaje. Por e gjitha kjo dëshmon një të vërtetë tragjike. Shqipëria është shndërruar në një vend ku rrëmbehen si njerëzit ashtu dhe bizneset, ditën për diell. Kjo është karakteristika kryesore e një shteti të pastër mafioz.

Lini një Përgjigje