TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Shkurt 2024, 22:25

Shtohen telashet për Edi Ramën, McGonigal dënohet me 28 muaj burg për dosjen shqiptare

Shkruar nga Pamfleti

Shtohen telashet për Edi Ramën, McGonigal dënohet me 28 muaj burg

Me mbylljen e çështjes në SHBA dhe shpalljen fajtor të McGonigal, mbetet për tu parë se cili do të jetë hapi i radhës i SPAK-ut për këtë çështje!

Ish agjenti i FBI-së, Chrles McGonigal është dënuar nga gjykata federale e Uashingtonit me 2,4 vite burg për dosjen shqiptare.

Charles McGonigal, u dënua me 28 muaj burgim “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama.

Sipas prokurorëve të çështjes, McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private.

“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t'i kryente ato”, thuhet në dokument.

Në shtator McGonigal pranoi fajësinë në gjykatën federale në Uashington, në lidhje me të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet e paraportuara me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.

Pranimi i fajësisë u bë në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të McGonigal. Në këmbim të pranimit të fajësisë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.

Me mbylljen e çështjes në SHBA dhe shpalljen fajtor të McGonigal, mbetet për tu parë se cili do të jetë hapi i radhës i SPAK-ut për këtë çështje!

Prokuroria e Posaçme ka hapur një hetim për çështjen McGonigal, ku dhe ka thirrur për të dëshmuar dy nga personazhet e përfshirë në këtë aferë, Agron Nezën dhe Dorian Duçkën. Ndërsa për kryeministrin Rama ende nuk dihet nëse është thirrur në SPAK për këtë rast. 

Ndërkohë, kujtojmë se në muajin dhjetorë ish-agjent i lartë i FBI-së u dënua me më shumë se katër vjet burg për ndihmën e një oligarku rus që donte të hiqej nga lista e sanksioneve amerikane.

McGonigal ishte agjenti special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork para se të tërhiqej në vitin 2018, kishte për detyrë të hetonte oligarkët rusë.

Prokurorët thanë asokohe se ai dhe ish-diplomati rus Sergey Shestakov kanë shkelur sanksionet e SHBA-së duke rënë dakord t'i ofrojnë shërbime miliarderit dhe industrialistit rus Oleg Deripaska. SHBA e sanksionoi Deripaskën në vitin 2018 pasi e akuzoi atë dhe disa oligarkë dhe zyrtarë të tjerë rusë për "aktivitet keqdashës në mbarë globin"./Pamfleti

mcgonigal

Lini një Përgjigje