TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Qershor 2026, 20:32

Mbyllet pas 2 orësh protesta për Zvërnecin, qytetarët paralajmërojnë: Nesër më shumë

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllet pas 2 orësh protesta për Zvërnecin, qytetarët
Pamje nga protestat

Pas disa orësh protestë në qendër të Tiranës, është mbyllur tubimi i organizuar kundër projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në zonën e Zvërnecit. Protesta nisi në orën 18:00 para Ministrisë së Brendshme, për të vijuar më pas me marshim drejt Kryeministrisë, ku qytetarët qëndruan deri në mbylljen e aktivitetit.

Qindra qytetarë, aktivistë dhe ambientalistë iu bashkuan protestës së dytë radhazi në kryeqytet, duke kundërshtuar projektin që sipas tyre cenon një prej zonave më të rëndësishme natyrore dhe turistike të vendit.

Gjatë tubimit, protestuesit mbajtën pankarta me mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Anulo projektin”, ndërsa nuk munguan as thirrjet politike. Para Kryeministrisë u dëgjuan vazhdimisht sloganet “Rama ik” dhe “Lironi zyrat”, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve shprehën kritika edhe ndaj opozitës dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Një nga momentet më simbolike të mbrëmjes ishte ndezja e blicave të telefonave celularë nga protestuesit e mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në shenjë sensibilizimi dhe mbështetjeje për kauzën e tyre.

Në fund të protestës, organizatorët dhe pjesëmarrësit paralajmëruan se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Mes thirrjeve dhe duartrokitjeve, nga protesta u përcoll mesazhi “Nesër më shumë”, duke lënë të kuptohet se kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec pritet të vijojë me tubime të tjera në kryeqytet.

 

protesta zverneci

Lini një Përgjigje