TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Shtator 2024, 10:09

Mbyllen hetimet për aferën "Partizani", Sali Berisha shkon të mërkurën në SPAK 

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllen hetimet për aferën "Partizani", Sali Berisha shkon
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen “Partizani”.

Të pandehurit janë ftuar të paraqiten në SPAK për të firmosur mbylljen e hetimeve të mërkurën e kësaj jave. Mbrojtja ligjore e Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës do paraqiten ditën e mërkurë.

Së bashku me mbylljen e hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe aktet përfundimtare në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tyre nga struktura e posaçme.

Në 11 shtator, SPAK i komunikoi Berishës akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”.

Një ditë me vonë, në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja si dhe financieres Andia Pustina.

Afati i fundit i SPAK për mbylljen e hetimeve për privatizimin e ish klubit sportiv Partizani ishte data 2 tetor. Hetimet për këtë çështje nisën katër vite më parë. 

Në muajin tetor 2023 SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin dhe mori nën akuzë ish-kryeministrin Sali Berisha, me masën “detyrim paraqitjeje”. Për shkak të thyerjes së masës, më 30 Dhjetor 2023 GJKKO shtrëngoi masën ndaj Berishës, duke e izoluar me “arrest shtëpiak”, ku dhe ndodhet aktualisht.

Malltezit iu zbut masa disa ditë pas ndalimit, nga arrest në burg, në atë shtëpiak.

Berisha akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin e Parlamentit për “mosndryshimin e destinacionit të terreneve sportive” dhe se “terrenet sportive nuk privatizohen”, duke ua kthyer ish-pronarëve, mes tyre edhe dhëndri i tij.

Në pronat e ish-klubit u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh, duke u siguruar një fitim të konsiderueshëm të pandehurve nga ky biznes që nisi me paligjshmëri.

partizani sali berisha

Lini një Përgjigje