TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Mars 2024, 13:20

Ligji për Sigurinë Kibernetike, Jorida Tabaku: Qeveria po kërkon të ketë në dorë të dhënat e SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Ligji për Sigurinë Kibernetike, Jorida Tabaku: Qeveria po kërkon

Komisioni i Integrimit është mbledhur sot nën drejtimin e Jorida Tabakut dhe e praninë e deputetëve nga mazhoranca dhe Rithemelimi, ku u prezantuar projektligji “Për sigurinë kibernetike”.

“Ligji është i përafruar dhe është konsultuar me një shumësi institucionesh. Sa i takon çështjeve kushtetuese, këtu nuk ka vend për diskutime. Sepse nuk bëhet fjalë për akses në institucion, por për alertin e sigurisë kibernetike”, tha ministrja Elisa Spiropali gjatë prezantimit të tij.

Ndërkaq, drejtuesja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku ngriti pyetjen se mos me këtë ligjin “për sigurinë kibernetike”, mazhoranca mund të kërkojë të kontrollojë sigurinë kibernetike të SPAK-ut.

“Ligji është i përafruar, jo në nivelin maksimal as i plotë. Por gjithsesi ne në këtë fazë nuk kemi detyrën për ta përafruar të plotë, kjo është një çështje tjetër.

Shqetësimi im me një çështje që nuk është përafruar lidhet me nenin 3 në fushën e zbatimit, njëkohësisht me nenin 7 për të cilët kanë qenë në kontakt dhe stafet. Në ligjin e mëparshëm por dhe direktiva e BE-së, përjashton fusha që lidhen me sigurinë kombëtare, sigurinë publike, mbrojtjen ose zbatimin e ligjit duke përfshirë parandalimin, hetimin, zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale që kanë rëndësi të veçantë dhe që janë një pushtet i pavarur. Ndërkohë që ju i keni përfshirë këto në infrastrukturë kritike dhe nuk janë të përjashtuara. Me pak fjalë, në të gjithë infrastrukturën që ju po ngrini për sigurinë kibernetike, institucionet e pavarura të drejtësisë, SHISH-i dhe çdo institucion tjetër është pjesë e kësaj infrastrukture tashmë. Ky është një problem kushtetues dhe problem për ruajtjen dhe kontrollin e pushteteve.

Unë kam kontaktuar me disa prej institucioneve sot të cilët më kanë thënë që nuk janë konsultuar, si psh Byroja Kombëtare e Hetimit, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme. Që në momentin e parë që kam marrë ligjin, këtë punë të parë kam bërë, a janë konsultuar këto institucione? A siguron ky ligj që të ketë një pavarësi të hetimit dhe që të dhënat mos të cënohen? Ka qenë dispozita në ligjin e mëparshëm, është hequr dhe ndërkohë është një dispozitë tjetër që i përjashton këto fusha në ligjin europian. Përse e kemi ndjekur këtë standard dhe i keni përfshirë këto fusha tek infrastruktura kritike?”, u shpreh Tabaku.

jorida tabaku siguria kibernetike spak

Lini një Përgjigje