TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Qershor 2025, 21:47

Kreshnik Spahiu: Partitë Europiane duhet të përjashtojnë PD, nëse i ka vjedhur votat deputetëve të saj!

Shkruar nga Pamfleti

Kreshnik Spahiu: Partitë Europiane duhet të përjashtojnë PD,

Zgjedhjet e 11 majit kanë përfunduar prej gati një muaji, por certifikimi përfundimtar i tyre nuk është bërë, pasi miratimi i tabelave të KQZ-së në të 12 qarqet është kontestuar nga PD-ADSHM me ankimime dhe proceset janë nën shqyrtim në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor, duke përfshirë edhe ankimimet e kandidatëve brenda PD-së.

Juristi Kreshnik Spahiu e sheh këtë situatë të verifikimit të votave brenda partisë, pas ankimimeve të kandidatëve të PD-së, ku pritet të verifikohen 1280 kutitë e qendrave në qarkun e Tiranës nga KAS, si një paradoks dhe absurde, pasi do i bjerë përsipër si kosto politike dhe morale pikërisht Sali Berishës dhe partisë së tij.

I ftuar në “Frontline” në Report Tv mbrëmjen e sotme, ai u shpreh edhe se nëse do të konfirmohej vjedhja e votave brenda PD-së ndaj kandidatëve, atëherë edhe Partitë Europiane duhet të marrin vendimin e përjashtimit të Partisë Demokratike.

Juridikisht hapja e kutive nuk nënkupton çudira. Ajo të çon në dy rezultate, ose konfirmim të rezultatit, ose krim zgjedhor. Pra që klasifikohen nga Kodi penal dhe Elektoral. Ka dy probleme juridiko-politike. Por të çudit se si në Tiranë, në mbi 1200 qendra votimi, ku ka mbi 2 mijë komisionerë Partia Demokratike dhe nëse janë deformuar votat në këto qendra, i bie të arrestohen 2400 komisionerë të saj. Neni 326 parashikon falsifikimin e materialeve zgjedhore dhe rezultatin e zgjedhjeve, që parashikon dënim me burg 3-7 vjet. Pra nëse Prokuroria e Posaçme konfirmon se ka pasur manipulime në këto qendra votimi, duhet t’i arrestojë të gjithë”, tha juristi.

Por ai shprehu habinë, duke bërë edhe ironi me opozitën, se si duke pasur komisionerë, jo vetëm nuk arriti të ruante votën, por edhe ta deformonte atë duke vjedhur votat e deputetëve të vetë. Dhe nëse në fund rezulton se PD ka vjedhur kandidatët e saj, atëherë për Spahiun duhet të ketë një masë penalizuese dhe politikisht ndaj saj, nëpërmjet Partive Evropiane.

Marrim tjetrën, nëse nuk ka parregullsi dhe shkelje zgjedhore, lind pyetja se si ka mundësi që kishe kaq shumë komisionerë dhe nuk konstatove problematikat? Mirë ato parti që nuk kanë komisionerë, por ti që ke pasur komisionerë, si nuk i dallove apo kontrollove. E treta është se nëse ka pasur devijime votash brenda partisë, psh. I janë hequr Ilir Alimehmetit apo Kuçanës, atëherë i bie se kjo paska qenë e organizuar brenda partisë. Pra ka qenë në formë të organizuar nga brenda. Dhe nëse rezulton kjo, atëherë unë mendoj se Partitë Europiane duhet të përjashtojnë PD-në, pasi ajo rezulton se ka vjedhur edhe deputetët e saj. Unë parashikoj se rezultati nuk do ndryshojë, por do ketë shkelje penale tek vota preferenciale brenda partisë dhe vepra penale, por nuk do ketë ndryshim të rezultatit”, u shpreh Spahiu në analizën e tij për situatën politike pas zgjedhjeve të 11 majit.

Lini një Përgjigje