
Analisti Ilir Demalia deklaroi se vrasjet e Haklajve në Tropojë janë bërë me urdhër të Berishës. Ai ka komentuar kallëzimin e dytë të bërë për ish-kryeministrin Berisha në SPAK nga familja Haklaj, të cilët e akuzojnë se ka dhënë urdhër për vrasjet. Demalia bën thirrje që drejtësia duhet të nisë hetimet.
“Vrasjet e Haklajve janë bërë me urdhër të Berishës dhe kjo dihet se është edhe një incizim dhe shkaktari ka qenë Berisha për masakrën e Tropojës. Çështja duhet sqaruar dhe duhet që të hapet si çështje edhe ajo e vrasjeve në Tropojë. Ai është lindur edhe rritur atje dhe e ka lënë Tropojën në gjendjen më të mjerë. Nëse ka një njeri që i ka bërë dëm Tropojës është Sali Berisha. Janë vrarë njerëz në Gërdec, në Bulevard dhe krimi me vdekje nuk falet kurrë. Vrasja nuk parashkruhet”, tha ai.
Ilir Demalia u shpreh gjithashtu se SPAK duhet që të fillojë punën me dosjet për “Gërdecin” dhe “21 janarin” pasi janë bërë vrasje.
“Berisha ka bërë korrupsion e dinë të gjithë, se ka plas Gërdeci atje. A është krim Gërdeci? Gërdeci nuk është hetuar. Është Shkëlzen Berisha tek dosja e Gërdecit. Edhe SPAK nëse do të bëjë punë të fillojë me Gërdecin dhe me vrasjet e 21 janarit. Kanë bërë vrasje dhe korrupsion. Fatkeqësia e këtij vendi është se ka opozitë të diskredituar. Këta janë gënjeshtarë patologjik”, u shpreh ai për “Report Tv”.
Sipas familjes Haklaj në kallëzimin e dytë janë dhënë prova mbi ngjarjen e ndodhur në 21 Qershor 1997, ku iu bë pritë Fatmir Haklajt dhe 4 personave në urën e Milotit. Nga ngjarja mbetën të vdekur dy persona, një nga personat mbeti i vrarë në makinë, kurse gardisti i njohur Sokol Mulosmani, vdiq në spitalin e Laçit pasi mbeti i plagosur rëndë.
Lini një Përgjigje