
Një incident është regjistruar sot në qendrën e votimit nr. 3899/00, e vendosur në ambientet e shkollës “Koli Gusho” në Pogradec. Gazetarja e "Euronews Albania", Ferikan Iljazi, është përballur me kërcënime për shkak se ushtronte të drejtën e raportimit nga kjo qendër votimi.
Sipas raportimeve të vetë gazetares dhe pamjeve të siguruara, kryetari i komisionit të qendrës së votimit ka kërcënuar Iljazin se do të njoftonte policinë për të kërkuar arrestimin e saj, ndonëse ajo ishte e pajisur me akreditim zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Fillimisht, kreu i komisionit i ka kufizuar asaj kohën e lejuar për të filmuar në ambientet e qendrës së votimit, për të vijuar më pas me thirrjen ndaj anëtarëve të tjerë të komisionit për ta nxjerrë gazetaren jashtë me forcë.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura për një sqarim, kryetari i komisionit ka refuzuar të japë shpjegime përpara kamerës në lidhje me këtë sjellje.
Ky veprim përbën një shkelje të të drejtave të gazetarëve të akredituar për të ndjekur nga afër dhe për të raportuar mbi procesin zgjedhor dhe ngre shqetësime serioze për lirinë e medias dhe transparencën në ditën e votimit.
Euronews Albania ka reaguar duke dënuar incidentin dhe duke kërkuar që autoritetet përkatëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të ndërhyjnë për të garantuar mbarëvajtjen e punës së gazetarëve në terren dhe respektimin e të drejtave të tyre ligjore.
Lini një Përgjigje