
Vendimi për të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Fierit do të merret në datën 19 dhjetor në Gjykatën e Posaçme.
Gjykata e Posaçme e Apelit do të shpallë në datë 19 Dhjetor ora 14:00 vendimin për dosjen e inceneratorit të Fierit. Këtë të mërkurë bëri mbrojtjen e tij ish-ministri Lefter Koka, i cili nëpërmjet avokatit të tij Julian Mërtiri, kërkoi pafajësi.
Ai mohoi të kishte shpërdoruar detyrën, duke argumentuar se nuk kishte ndikuar dhe as nuk kishte kompetenca në procedurat koncensionare. Rrjedhimisht sipas mbrojtjes, nuk kishte as arsye pse të korruptohej nga biznesmeni Klodian Zoto.
Më tej Koka mohoi gjithashtu të ketë pastruar para duke rrëzuar pretendimet e SPAK se e kishte marr ryshfetin nëpërmjet disa transaksioneve me fatura fiktive.
Ndërkohë, SPAK nga ana tjetër thotë se ka të provuar fajësinë e tij, të ish deputetit Alqi Bllako dhe 14 personave të tjerë të gjykuar në ketë proces.
Në tetor të këtij viti Kolegji Penal vendosi të riçelë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor në Apel, gjykim që në Shkallën e Parë u krye me procedurë të shkurtuar. Pasi mori edhe miratimin e prokurorit të SPAK, Apeli vendosi të përsërisë shqyrtimin gjyqësor për të pandehurit që fituan pafajësi në Gjykatën e Posaçme.
Në rishqyrtim gjykata e Apelit pyeti disa dëshmitarë, si edhe të pandehurën Arjola Kodra. Nga ana e tij, prokurori i çështjes Dritan Prençi i kërkoi gjykatës të deklarojë fajtor për akuzat të gjithë të pandehurit e çështjes, përfshirë Alqi Bllakon, Arben Dervishajn, Juri Imerajn dhe Arjola Kodrën, që fituan pafajësinë Shkallën e Parë.
Në shtator të vitit të kaluar, në mbyllje të gjykimit të dosjes së Inceneratorit të Fierit, Gjykata e Posaçme dënoi më 6 vjet e 8 muaj burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “pastrim të parave”. Ish-deputeti Bllako u fajësua vetëm për një akuzë me 2 vjet e 8 muaj.
Zotërues i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Fierit, Klodian Zoto, u dënua me 12 vite burg. Nga 4 akuza për “korrupsion” Zoto u deklarua fajtor vetëm për një prej tyre, ndërsa u gjet fajtor edhe për “mashtrim me pasoja të rënda”, “krijim skemash mashtruese” dhe “pastrim të parave”.
Për të pandehurit e tjerë gjykata dha pafajësi, ose dënime nga 3 në 3.5 vite burg, për të cilët më pas u vendos pezullimi i dënimit me burg, ose lirim nga qelia, pasi koha e qëndrimit në paraburgim ishte më e madhe se dënimi i dhënë.
Lini një Përgjigje